E përfshin rrjedha e lumit, mbytet 53-vjeçari
Shkodër- Ka humbur jetën i përfshirë nga rrjedha e ujit teksa tentonte të kalonte lumin, përmes një shkalle druri. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Tamarë të komunës Këlmend, në rrethin Malësi e Madhe, pikërisht në lumin Cem. Ndue Lekocaj, 53-vjeç, banues në Tamarë, baba i katër fëmijve është gjetur në ujin e lumit Cem në një thellësi rreth 3 m.
Ka qenë një fqinj i tij, i cili po shkonte për të gjuajtur peshk që ka konstatuar trupin në ujë dhe më pas, me ndihmën e të tjerëve e kanë nxjerrë nga uji.
Sipas policisë, vdekja e tij ka ardhur si rezultat i mbytjes në ujë dhe ka qenë aksidentale. Mësohet se Ndue Lekocaj ka dalë nga shtëpia për të shkuar për të gjuajtur peshk, pasi këtë e bënte vazhdimisht. Banorët e lagjes ku ai jeton, për të kaluar në anën tjetër të lumit Cem përdorin një shkallë të ndërtuar vetë e cila është prej druri dhe e amortizuar.
Viktima ka qenë duke kaluar nëpër këtë shkallë ku i ka rrëshqitur këmba, pasi shkalla ka patur lagështirë dhe është rrëzuar duke rënë në lumë. Në atë moment përreth nuk ka qenë asnjë person dhe kështu që askush nuk ka mundur t’i japë ndihmën e parë të dëmtuarit në mënyrë që ai të nxirrej nga lumi. Uji i ftohtë dhe qëndrimi gjatë në të kanë sjellë vdekjen e 53-vjeçarit.