E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Raporti i KE-së për Kosovën është vlerësim real

Kryeministri Hashim Thaçi ka prezantuar sot qëndrimet e Qeverisë së Kosovës rreth Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, të cilin e ka përshkruar real, ndërsa ka shtuar se rekomandimet do të jenë "udhërrëfyese dhe të implementueshme nga Institucionet e Kosovës".

“Raporti i Progresit është shqyrtuar me kujdes dhe është pranuar nga Qeveria si vlerësim real për gjendjen në Kosovë në periudhën tetor 2007- tetor 2008 dhe rekomandimet do të jenë udhërrëfyese dhe të implementueshme nga Institucionet e Kosovës”, ka thënë me këtë rast Thaçi.

Komisioni Evropian në Raportin e tij ka propozuar intensifikimin e dialogut politik e teknik mes Kosovës dhe KE-së, ndërsa ka kritikuar Kosovën për praninë e korrupsionit dhe krimin e organizuar dhe se ka bërë pak për të luftuar këtë fenomen.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe secili dikaster i saj veç e veç, ka potencuar kryeministri Thaçi, do ta shqyrtojë këtë raport edhe në një mbledhje të saj të veçantë, si dhe në takimin e radhës të Mekanizmit Përcjellës për Stabilizim-Asocimin që do të mbahet me 2 dhjetor, e ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian.

“Shpreh konsiderata për hartuesit e këtij raporti dhe kontributin e institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe mekanizmave ndërkombëtarë në këtë raport, ku edhe në angazhimet e mëtejme do të jemi partnerë’, theksoi ai.

Ky raport, sipas Thaçit, është mundësi për ta vlerësuar rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian dhe mundësi që institucionet e Kosovës te ndërmarrin veprime në përputhje me kriteret për anëtarësim.

“Është synim i Kosovës që të jetë shtet funksional, demokratik dhe i ndërtuar mbi bazën e kritereve të anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe të jemi shtet konkurrues dhe meritor për t’u anëtarësuar”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›