Spaguan gjobën, arrestohet vjedhësi i energjisë
Berat- Ka rënë në pranga, pasi nuk ka shlyer dënimin e dhënë me gjobë nga gjykata për vjedhjen e energjisë elektrike. Burime të komisariatit të policisë Berat bëjnë me dije se në pranga është vënë shtetasi Fatmir Xhaxhaj.
Ka qenë organi i akuzës që ka lëshuar urdhërin e ndalimit për 43-vjeçarin, lindur dhe banues në qytetin e Urës Vajgurore. Prokuroria ka kërkuar ndalimin e 43-vjeçarit, pasi gjykata i ka konvertuar gjobën në dënim me 20 ditë burg, me akuzë vjedhje të energjisë elektrike.
Kështu, sipas një vendimi të gjykatës së Shkallës së Parë, 43-vjeçari pranon dënimin me 20 ditë burg nga vendimin me 100.000 lekë gjobë me akuzën e “ vjedhjes së energjisë elektrike”. Një kontroll i bërë nga punonjësit e Ndërmarjes së Energjisë Elektrike në Urën Vajgurore, kontroll i bërë dy muaj më parë ka rezultuar se Xhaxhaj kish kryer vjedhje të dyfishtë të energjisë në banesën e tij, duke shkaktuar humbje të energjisë.
Pasi çështja ka kaluar për ndjekje penale ku 43-vjeçari është hetuar në gjendje të lirë gjykata vendos ndaj tij dënimin me një gjobë. Por, i akuzuari ka kërkuar konvertimin e dënimit duke pranuar dënimin me 20 ditë burg.