E përplas makina, 65-vjeçari në koma
Një aksident rrugor ka sjellë plagosjen e rëndë të një 65-vjeçari, teksa po lëvizte me biçikletë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Bardhyl" në Tiranë, ndërkohë që policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë të ditur se në orën 15.00 të së djeshmes, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Rezart Agron Sulçe, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim 8 klasë, i padënuar. Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 09.00 të mëngjesit, duke drejtuar automjetin veturë tip "Lançia", me targa TR 8722 R, në kryqëzimin e rrugës "Bardhyl" në rrugën "Vllazër Huta", ka aksidentuar çiklistin Myrteza Dervishi, 65 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. I dëmtuari është dërguar nga vetë drejtuesi i automjetit në spital dhe ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia tha se u kryen veprimet procedurale dhe materialet do t‘i kalojnë prokurorisë, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".