Pirja e ilaçeve rrezikon jetën e një 22-vjeçareje
Veç ngjarjes së rëndë të Lazaratit, edhe një vajzë e re në Durrës ka qenë duke i dhënë fund jetës, nga vetëhelmimi me ilaçe. Esmeralda Keci, 22 vjeçe, si pasojë e ilaçeve të pira ka kaluar në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkohë që është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë për kurim më të specializuar. Gjendja e saj shëndetësore ende mbetet problematike, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit bënë të ditur se rreth orës 08.30 në Spitalin Ushtarak Tiranë ka shkuar në gjendje të rëndë shëndetësore shtetasja Esmeralda Ismet Keci, 22 vjeçe, banuese në fshatin Gjepalë të Shijakut, me arsim 8 klasë, e martuar. Sipas të dhënave hetimore nga grupi i punës në qytetin bregdetar, nga veprimet e para rezulton se kjo shtetase ka pirë pa kriter një sasi ilaçesh "Paracatamol", të cilës i kanë shkaktuar rëndimin e gjendjes shëndetësore. Ndërkohë, pasditen e djeshme, gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar dhe ajo është marrë në pyetje nga një oficer i policisë gjyqësore. Në deklarimin e saj, vajza e re ka deklaruar se nuk kishte ndërmarrë asnjë akt vetëvrasjeje, por kishte konsumuar ilaçe për shkaqe shëndetësore.