Përdoruesit e drogës, dhunues të "përnatshëm" të mjekëve
Urgjenca e spitalit të Fierit duket sikur është kthyer në një pre përdoruesish droge, të cilët, pothuajse çdo natë dhunojnë stafin. Sipas bluzave të bardha të repartit të pranim-urgjencës mësohet se shpeshherë mjekët dhe infermierët e këtij reparti ndihen të rrezikuar pikërisht nga përdoruesit e drogës. Madje, në bazë të të dhënave që japin mjekët e urgjencës, konfirmohet se numri i përdoruesve të drogës në Fier është rritur. "Brenda një nate mund të vijnë për mjekim apo në gjendje të rëndë shëndetësore 2 ose 3 grupe përdoruesish droge", shprehen infermierët e urgjencës. Burimet nga shërbimi mjekësor i këtij reparti tregojnë për gazetën "Shqip" se zakonisht grupet e përdoruesve të drogës përbëhen deri në 4 të rinj, të cilët vijnë "dhunshëm" në spital dhe nuk ngurrojnë të përdorin edhe rebelimin e tyre, jo vetëm ndaj bazës materiale, por edhe ndaj njerëzve, qofshin këta pjesë e shërbimit spitalor, apo dhe të sëmurë të rastësishëm. "Xhamat e dyerve dhe të dritareve të repartit të pranim-urgjencës janë thyer me dhjetëra herë nga përdoruesit e drogës. Ky kontingjent vjen zakonisht në orën 01:30 pas mesnate. Nën efektin e drogës që mund të ketë përdorur, ky kontingjent realizon veprime të pakontrolluara dhe të papërgjegjshme. "Edhe pse më duhet të shërbej si mjek, e kam të vështirë një gjë të tillë, pasi në shumë raste kam marrë edhe grushte nga fytyra dhe në trup", shprehet Maksimi, një prej bluzave të bardha në këtë repart. Shërbimi mjekësor i repartit të urgjencës në spitalin rajonal të Fierit kërkon që kësaj shtrese "të sëmurësh" t‘i shërbehet me një repart të veçantë, i cili të jetë në shërbim 24 orë. Nga ana tjetër , prej drejtuesve të spitalit të Fierit konfirmohet se në repartin e patologjisë së spitalit rajonal është një seksion i veçantë për përdoruesit e drogës, por trajtimi në këtë seksion padyshim që realizohet duke kaluar nga urgjenca. Sipas drejtuesve të spitalit të Fierit mësohet gjithashtu se po shihet mundësia e futjes së shërbimit 24 orë i një reparti të veçantë për këta pacientë. Ndërsa një shtresë tjetër dhunuesish bluzash të bardha në Fier janë edhe të alkoolizuarit. Ndërkohë, mjekët e urgjencës tregojnë se ka pasur raste të shumta kur të afërt të të sëmurëve, kanë ushtruar presion dhe dhunë fizike mbi ta, pa pasur në fakt asnjë shkak. Tri ditë më parë, kanë qenë 6 mjekë dhe infermierë të pranim-urgjencës, ata që janë bërë pre e dhunës së personave të panjohur. Edhe pse spitali ruhet me polici private, numri i kësaj policie nuk përballon as dublim shërbimi. Duke u nisur nga ky fakt, drejtoresha e spitalit mësohet se ka kërkuar ndihmën e policisë së rendit, si dhe shtimin e shërbimit me polici private në godinat e grupit spitalor.