E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lazarat, plagos vëllain dhe vetëvritet

Një lazaratas ka mbetur i vdekur dhe vëllai i tij është plagosur mesnatën e djeshme, pasi viktima kishte vendosur t‘i jepte fund jetës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht në fshatin e njohur të Gjirokastrës, kur Adriatik Skënderi ka vendosur të vetëvritet, ndërkohë që vëllai i tij, Dritan Skënderi, ka mbetur i plagosur pasi kishte ndërhyrë për të ndaluar këtë akt vetëflijimi. Policia e Gjirokastrës deklaroi se një vetëvrasje tronditëse ka ndodhur dje në mesnatë në Lazarat, ku një djalë i ri i ka dhënë fund jetës duke u qëlluar me armë zjarri. Në këtë ngjarje është përfshirë dhe vëllai i të ndjerit, i cili sipas dëshmive që dha në polici, në përpjekje për të shmangur vetëvrasjen, mbeti i plagosur. Ngjarja ka ndodhur sot në orën 00.20 në familjen Skënderi në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër, ka deklaruar policia. Adriatik Skënderi, 34-vjeçar, lindur e banues në Lazarat, ishte përballur këtë fundjavë me një gjendje të rënduar psikologjike. Sikundër tregojnë burimet hetimore nga policia lokale, Adriatiku po kalonte një situatë depresive që po i sillte dëshirën për të mos e jetuar më pjesën tjetër të jetës së tij. E nata e djeshme ka qenë fatale dhe e fundit për të riun lazaratas. Fillimisht ai ka pirë disa gota pije alkoolike, ndoshta për të nxitur edhe më shumë sigurinë në dëshirën për të kryer vetëflijimin e dhimbshëm. Pas mesnate është kthyer në shtëpi dhe aty, ka vendosur të mbyllë hesapet me jetën e tij. Duket se është kuptuar nga familjarët, sepse i vëllai 32-vjeçar Dritan Skënderi, nuk i është ndarë për asnjë çast, edhe në momentet fatale të vetëvrasjes. Më kot, 32-vjeçari është përpjekur ta bindë vëllain dy vjet më të madh, që të mos e ndërmerrte aktin e vetëvrasjes.

Minuta të dhimbshme janë përjetuar mes tyre, kur i sigurt në atë që donte të bënte, Adriatiku ka rrëmbyer armën e zjarrit dhe ka nisur të bëjë qitje. Arma është shndërruar në mjet flijimi, por edhe plagosjeje, sepse ndërsa përpiqej të vetëvritej, Adriatiku hasi në përpjekjet e të vëllait që donte ta shpëtonte. Për pasojë, 32-vjeçari mbeti i plagosur në krah duke u hedhur i përgjakur përdhe. Duket se ky ishte momenti më i mirë për Adriatikun, që duke mos u ndeshur më me kundërshti nga i vëllai, ka përfituar të nxitojë në realizimin e planit vdekjeprurës. Pak minuta pas ngjarjes, familjarët i dërguan që të dy vëllezërit e plagosur, te urgjenca e spitalit rajonal "Omer Nishani" Gjirokastër. Atje, ndihma mjekësore për 34-vjeçarin Adriatik Skënderi ishte e kotë, sepse plumbat e kishin bërë të vetën, duke i sjellë vdekjen e dëshiruar, vetëm pak minuta më vonë. Ndërkohë, vëllai 32-vjeçar i të ndjerit, Dritan Skënderi, me plagën në krah, nuk paraqet rrezik për jetën. Policia e lajmëruar nga urgjenca spitalore, nisi menjëherë më pas, hetimet për ngjarjen e rëndë dhe tha se do të hetojë mbi rrethanat e vetëvrasjes dhe plagosjes së të riut. Sipas policisë, po punohet nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›