Sherri, plagoset me thikë një adoleshent
Një sherr mes dy adoleshentësh ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Durrës, kur dy të rinjtë janë zënë për një konflikt të momentit. Burimet zyrtare nga Policia e Durrësit bënë të ditur se pak orë më vonë është bërë edhe arrestimi i autorit. Sipas informacioneve nga policia e qytetit bregdetar, në orën 17.00 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Enrik Abaz Gega, 17 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në fshatin Arapaj të Durrësit. Uniformat blu detajuan se arrestimi tij u bë sepse rreth orës 12.00, për motive të dobëta ka goditur thikë në trup, duke i dëmtuar organet e brendshme, adoleshentin Alban Bilbil Kalemi, 17 vjeç, banues në lagjen nr. 13 të Durrësit. Sipas grupit hetimor, ky person ndodhet në spitalin ushtarak në Tiranë dhe paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia tha se në cilësinë e provës materiale u bllokua dhe sekuestrua një thikë, një dërrasë si dhe rroba të njollosura me gjak. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të "plagosjes së rëndë me dashje".