E Diel, 1 Nëntor 2026

"Piramida 72", arrestohen pesë trafikantë klandestinësh

Pesë persona të dyshuar për trafik klandestinësh janë vënë në pranga nga policia e Vlorës. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, uniformat blu të qytetit bregdetar, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar, Tiranë, ka kryer arrestimin e 5 personave, të cilët prej kohësh ishin dyshuar për trafik klandestinësh. Vala e arresteve ishte rezultat i operacionit të koduar "Piramida 72" ka deklaruar policia, e cila shtoi se nga hetimet e kryera u bë e mundur zbardhja e linjës së trafikut të klandestinëve në detaje dhe njëkohësisht prangosjen në kushtet e flagrancës së 5 të dyshuarve. Të arrestuarit janë Qazim Dautaj, 55 vjeç, lindur në fshatin Dukat dhe banues në lagjen "28 Nëntori" të qytetit të Vlorës, Elidon Demaj, 31 vjeç, lindur në fshatin Velçë e banues në lagjen "Isa Boletini", Vlorë, Andrea Rako, 44 vjeç, lindur e banues në fshatin Mursi të Sarandës. Dalip Dalipaj, 34 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Sarandë dhe Simon Kato, 47 vjeç, nga Vlora. Të pestë këta persona janë kapur teksa po çonin klandestinë në afërsi të kufirit tokësor me shtetin grek, linjë që sipas policisë ndiqej nga ky grup. Nga hetimet ka rezultuar se klandestinët vinin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, transportoheshin me shoqërues në Sarandë, ku akomodoheshin në hotele dhe më tej me autobusë i afroheshin fshatit Xarrë të Sarandës e më tej kufirit tokësor grek. Transporti i klandestinëve në shtetin grek kryhej me autobusë nëpërmjet shoqëruesve, të cilët pasi kalonin territorin shqiptar, i shpërndanin klandestinët nga Greqia në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Sipas policisë, transporti drejt Greqisë i klandestinëve kryhej kundrejt pagesës prej mbi 2 mijë eurosh për person. Policia ka prangosur pesë personat, ndërsa ka shoqëruar edhe klandestinët, ndaj të cilëve janë marrë masat e gjobës dhe më tej janë lënë të lirë. Si prova materiale, policia ka mundur të sekuestrojë tre automjete, një numër të konsiderueshëm aparatesh celularë dhe një sasi parash prej 6 mijë eurosh. Të pestë personat tashmë janë në paraburgimin e Vlorës ku do të presin gjykimin për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Sakaq, hetimi po vazhdon, për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të grupit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›