E pranoj humbjen, në futboll është pjesë e lojës
Rudi Vata është kandidati tjetër që doli i humbur në zgjedhjet presidenciale të FSHF-së. Për të shkoi vetëm 1 nga 65 votat e mundshme të delegatëve pjesëmarrës në Asamblenë Zgjedhore të mbajtur dje në Durrës. Vata vjen nga bota e futbollit, ku spikati si lojtar i Vllaznisë, Dinamos, Tiranës por edhe si ish-kapiten i Kombëtares kuqezi, aktualisht menaxher i FIFA-s për futbollistët. Që në momentet e para të fushatës u pozicionua kundër presidentit aktual, duke formuar një koalicion me rivalin tjetër, Refik Halili. Menjëherë pas shpalljes zyrtare të rezultatit, ai u shpreh: “U pasqyrua qartë ideja e secilit kandidat. çdo gjë shkoi qetë. Shpresoj që të kemi një zgjedhje të mirë, të drejtë e sportive. Do ta pranoj humbjen. Në futboll është pjesë e lojës. Jeta ime do të vazhdojë pranë futbollit. Jam i zhgënjyer nga disa klube. Treguam që jemi qytetarë të civilizuar, treguam se e duam futbollin dhe duam përparimin e futbollit kombëtar. Gjithsesi, unë ndihem fituesi moral i kësaj Asambleje”.
#