E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson: Tani të eliminojmë Milanin

Uejn Runi në fushë, ndërsa tifozët anglezë do të protestojnë në tribunat e “Olld Traford”

Sër Aleks Ferguson inauguron konferencën për shtyp përpara ndeshjes së kthimit në Champions League me Milanin, me lajmin e shumëpritur: “Po! Runi është i gatshëm. Lojtari është përmirësuar dukshëm në krahasim me të shtunën. Mund t’ia dalë që të aktivizohet për të ndihmuar skuadrën”. Por, anonçimi për rikuperimin në kohë të elementit më të rëndësishëm të Mançester Junajtid, shoqërohet me një lajm të keq. Ues Braun është dëmtuar rëndë. Në ndeshjen kundër Volverhempton, mbrojtësi ka pësuar një frakturë në këmbë dhe rrezikon të humbasë pjesën e mbetur të sezonit. Dyshime serioze janë ngritur edhe për prezencën e tij në Botërorin 2010. Braun i shtohet listës së të dëmtuarve të “Djajve të Kuq”, që aktualisht kanë në infermieri edhe Anderson, Gigs, O’Shi dhe Ouen. Kur flet për mungesën e radhës, Ferguson merr një pamje të trishtuar: “Ues do të qëndrojë jashtë fushave të paktën për 5-6 javë. Shpresoj ta rikuperoj për pjesën e fundit të kampionatit, do të kemi nevojë për shërbimet e tij”. Megjithatë, tekniku skocez nuk është prej atyre që vetëm ankohet. Tashmë, Junajtid ka përpara sfidën me Milanin, ndërsa ata kanë hedhur një këmbë drejt çerekfinaleve, me fitoren 3-2 në “San Siro”. “Edhe pse kemi fituar në përballjen e parë, ndeshja e kthimit është e hapur dhe aty mund të regjistrohet çfarëdolloj rezultati. Normalisht që në fushë nuk do të mungojë spektakli. Ne do të përpiqemi që ta mbyllim takimin duke shfrytëzuar sulmin tonë të fortë, gjithsesi e kemi të qartë që Milani nuk do të dorëzohet lehtë dhe duhet të jemi gati për betejë deri në fund”, tha më tej Fergi. “Filozofia jonë nuk ndryshon; nuk do të ndikohemi nga rezultati i sfidës së parë. Ne jemi Mançester Junajtid. Si zakonisht, edhe në këtë ndeshje do të hyjmë në fushën e lojës vetëm për të fituar”.

Të paevitueshme pyetjet rreth rikthimit në “Olld Traford” të Devid Bekam. Sapo ka zbritur në aeroportin e qytetit, mesfushori britanik është pritur nga tifozët, të cilët ishin në delir, ndërsa policia e shoqëronte hap pas hapi. Sër Ferguson deklaroi: “A mund të jetë i rrezikshëm? E njohim potencialin e tij dhe e kemi të qartë sa i rrezikshëm mund të jetë nga krahët. Harkimet e Bekam janë të famshme në të gjithë botën. E admiroj shumë, por duhet të përqendrohemi vetëm te loja jonë. Gjithsesi kush më jep siguri se ai do të aktivizohet si titullar? Jam i sigurt se fansat do t’i rezervojnë një pritje të jashtëzakonshme, ndërsa gjatë ndeshjes do ta harrojmë miqësinë. Ajo që nuk duhet të harrojmë është fakti se te Milani militojnë edhe shumë lojtarë të tjerë të mëdhenj”. Në përgjithësi, trajneri skocez shfaqet i qetë dhe nuk i kushton shumë rëndësi eliminimit të tri viteve më parë, pikërisht prej kuqezinjve. “Në atë periudhë ishim të lodhur në aspektin fizik. Fitorja në ‘San Siro’ është një hap përpara; tashmë duhet të hedhim hapin më të madh. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë kundërshtarët. Tani ka ardhur koha që ta eliminojmë këtë Milan”.

Ndërkohë, në Mançester po merr formë një tjetër protestë e tifozëve kundër familjes Glejzër, e cila zotëron klubin. Ideja e mbështetësve të Junajtid është që të bojkotojnë 10 minutat e para të ndeshjes me Milanin, duke hyrë me vonesë në stadium. Sipas mediave britanike, numri i fansave që do të aderojnë në këtë protestë shkon në afro 10 mijë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›