E Shtunë, 31 Tetor 2026

E premte e përgjakur në Lushnjë, tre të vdekur në aksidente

Tre veta kanë gjetur vdekjen, ndërsa tre të tjerë janë plagosur rëndë në tri aksidente të rënda të ndodhura gjatë ditës së djeshme në Rrethin e Lushnjës. Një 53-vjeçar, një tjetër 63 vjeçe dhe një 16-vjeçar janë viktimat e së premtes.

Aksidenti i parë

Një i vdekur dhe 3 të tjerë të plagosur. Ky ka qenë bilanci i aksidentit të ndodhur në aksin rrugor Lushnjë-Berat, duke gdhirë e premtja. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Karbunarë të rrethit Lushnjë. Viktima Flamur Kurteshi, 53 vjeç, banues në qytetin e Lushnjës, ka qenë duke udhëtuar së bashku me nipin dhe mbesën e tij, Erjon dhe Veronika Rebeshi, me automjetin tip "Audi", me targa LU6776B. Sapo kishte kaluar qytetin e Lushnjës, në afërsi të fshatit Karbunarë, mjeti i tij është përplasur me një "Mercedes Benz" me targa LU3563B, që drejtohej nga 47-vjeçari Bilbil Lamcelari. Përplasja ka qenë fatale për 3 shtetasit që udhëtonin me "Audi". Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën Flamur Kurteshi, ndërsa dy të rinjtë që udhëtonin në të janë plagosur, por ndodhen aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti i dytë

Burimet policore tregojnë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00 të së premtes, në rrugën kombëtare Fier-Lushnjë, pranë fshatit Savër. Një grua 63 vjeçe është përplasur nga një makinë, teksa kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Fatime Gega ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga përplasja me një kamionçinë me targa LU0361C, që drejtohej nga 45-vjeçari Tafil Çela. Në vendin e ngjarjes janë mbledhur mjaft persona të zonës, ndërsa policia ka shkuar rreth 10 minuta më vonë. Uniformat blu kanë marrë trupin e 63-vjeçares dhe e kanë dërguar atë drejt morgut të Lushnjës, ndërsa kanë shoqëruar e më pas ndaluar drejtuesin e kamionçinës, 45-vjeçarin Tafil Çela. Ky i fundit, sipas policisë, do të procedohet për veprën penale "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor". Policia bën të ditur se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën po udhëtonte 45-vjeçari Çela, banor i fshatit Spolat të Lushnjës, si dhe pakujdesia e viktimës.

Aksidenti i tretë

Ka qenë një 16-vjeçar, banor i qytetit të Lushnjës, që ka mbyllur jetën në mënyrë tragjike të premten e aksidenteve. Burimet policore tregojnë se Eno Koreshi ka qenë duke zbritur nga treni i linjës Tiranë-Vlorë, por me të prekur tokën është rrëzuar dhe ka përfunduar nën rrotat e hekurta që e kanë copëtuar. Policia tha se djali ishte vonuar në zbritje dhe kur kishte vënë këmbën në tokën treni kishte filluar të lëvizte. Menjëherë pasi kanë marrë vesh lajmin, forca të policisë, si dhe grupi i ekspertëve, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Burimet policore që janë ende në vendngjarje pohojnë për gazetën se trenisti do të shoqërohet për në policinë e qytetit deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›