Lënë çantën me drogë, i ikin policisë
Pikasen nga policia, braktisin çantën me drogë. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, kur dy persona i kanë shpëtuar policisë dhe janë larguar me vrap sapo kanë vënë re një patrullë të uniformave blu, duke hedhur një çantë. Fakti se të dy personat janë larguar me shpejtësi duke braktisur një çantë sportive, ka bërë që policia të kontrollojë, duke u gjendur para një sasie me bimë narkotike. Sipas të dhënave të Policisë së Korçës, ngjarja ka ndodhur në orën 13:45 minuta të ditës së enjte. Dy persona ende të paidentifikuar kanë qenë duke transportuar bimë narkotike kanabis. Kjo ka ndodhur në rrugën nacionale që lidh fshatin Pobickë me fshatin Radan në Komunën e Leskovikut. Sipas policisë, ata janë pikasur si të dyshimtë nga ana e shërbimeve të policisë kufitare dhe migracionit. Në çantë janë gjetur pako me bimë të ngjashme me kanabisin. Në brendësi të çantës, që e kanë braktisur dhe hedhur në rrugë, policia ka gjetur plot 7 pako, ndërkohë që nga veprimet e mëtejshme rezultoi se kishin një peshë të përgjithshme prej 10 kg dhe 600 gramësh. Policia ka thënë se janë parë dy shtetas duke vrapuar, pasi kanë rënë në kontakt me shërbimet policore, por si për çudi nuk është bërë e mundur kapja e tyre, edhe pse kanë qenë në këmbë. Nga ana e drejtorisë rajonale u bë e ditur se bima është e ngjashme me kanabis sativa, por priten analizat laboratorike për ta vërtetuar këtë.