Korçë, dalin nga qelitë biznesmenët e "piramidës"
Gjykata e Faktit në Korçë ka zbutur masën e sigurisë për dy biznesmenët që dyshohet se kanë ndërtuar një skemë piramidale duke mbledhur para me fajde. Gjykata ka vendosur dje masën e sigurisë "arrest shtëpie" për dy biznesmenët Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha, pas përfundimit të afatit të masës së sigurisë me një muaj burg. Dy biznesmenëve u është caktuar masa arrest shtëpie, pas vlerësimit që është bërë edhe ndaj pasurisë së tyre dhe kredive deri në 700 mijë euro të marra nga bankat. Gjykatësja e çështjes, Vojsava Osmani, ndërsa ka dhënë vendimin, ka thënë se për faktin që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, dy të akuzuarit do të qëndrojnë me arrest shtëpie, ndërkohë që duhet t‘i përgjigjen në çdo kohë thirrjes së prokurorisë. Prokurori Bardhi Lako kërkoi që dy të akuzuarit për mashtrim të qëndrojnë në burg pa afat, pasi, sipas tij, janë shtuar edhe 9 padi nga kreditorë të tjerë që deklarojnë mashtrimin, ndërsa pasuria e të arrestuarve nuk ka asnjë vlerë përpara shumave të mëdha që ata kanë marrë në formë huaje dhe me përqindje. Sipas akuzës, gjatë një muaji hetime është kryer ekspertiza ndaj firmës "Interkonfeksion", ndërsa krahas borxheve ndaj kreditorëve ata kanë një borxh prej 90 milionë lekësh ndaj degës së tatimeve. Madje pikërisht për shkak të këtij borxhi, dega e tatim-taksave në Korçë kishte vendosur bllokimin e aktivitetit të Llukës dhe Nikollës, në muajin tetor të vitit të kaluar. Nga ana e tyre, dy biznesmenët Jani Lluka dhe Ilia Nikolla kërkuan lirimin edhe pse kanë pranuar shumat që kanë borxh, por sipas tyre kanë aq pasuri për të shlyer detyrimet. Pasi ka parë aktet e ekspertimit, gjykata ka vendosur t‘i lerë në arrest shtëpie dhe ka bërë çlirimin e menjëhershëm të tyre nga prangat, pasi ata pretendojnë se mund të shesin të gjitha pronat e tyre për të bërë pagesat ndaj kreditorëve.