E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani "rihap" dosjen e Libofshës

Shpresa për rigjykim të ngjarjes së Libofshës, e cila çoi në ekzekutimin me varje në litar të dy vëllezërve, ka ardhur nga Avokati i Popullit. Mësohet se përpjekjet e familjarëve të të ekzekutuarve kanë mbërritur deri tek Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i cili ka pranuar të shqyrtojë dosjen e ngjarjes së bujshme të Libofshës dhe të marrë hapa konkretë për të kërkuar rigjykimin e çështjes, nëse vërehen parregullsi.

Përgjigjja e Dobjanit

Olimbi Çuko është motra e dy të rinjve, të cilët u varën në litar në qendër të Fierit, në qershor të vitit 1992. Ajo thotë se Avokati i Popullit i ka dërguar disa ditë më parë përgjigjen pozitive për marrjen në shqyrtim të dosjes në fjalë. Reagimi i Dobjanit ka ardhur pas ankesës që Olimbi Çuko ka bërë te ky institucion.

Pasi ka marrë kontakt jo vetëm me krerët e Gjykatës së Fierit, Prokurorisë së Rrethit, por edhe të drejtorisë së policisë, Olimbia i është drejtuar Gjykatës së Lartë, Parlamentit, qeverisë dhe vetë Presidentit Bamir Topi. Duke parë një indiferentizëm të këtyre institucioneve, si dhe mosmarrjen e asnjë lloj përgjigjeje zyrtare prej tyre, motra e Dritëbardh dhe Josif Çukos i është drejtuar me një letër Avokatit të Popullit.

Olimbia tregon për "Shqip": "Letrën e kam dërguar në fillim të vitit 2008 dhe përgjigjja nga Avokati i Popullit, që ka mbërritur me postë në shtëpinë time në Libofshë, mban datën 21 mars 2008, edhe pse konkretisht në shtëpi ka ardhur me plot pesë ditë vonesë".

Në përgjigje thuhet shprehimisht: "Ankesa juaj ndaj Gjykatës së Fierit, e cila nuk ju ka vënë në dispozicion dosjen përkatëse që kërkoni, u mor në shqyrtim nga institucioni ynë. Avokati i Popullit".

Gjithashtu, prej shkresës së Avokatit të Popullit mësohet se për dosjen e dy vëllezërve Dritëbardh dhe Josif Çuko, ky institucion i është drejtuar kreut të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, me qëllim marrjen e gjithë dosjes dhe vendimit me shkrim të saj. Gjithashtu, mes avokatit të vënë në dispozicion nga zyra Avokatit të Popullit, Hajredin Hysa edhe Olimbi Çukos, ka nisur komunikimi për një hap më shumë për kërkesën që ka familja Çuko mbi gjykimin e përshpejtuar të Dritëbardh dhe Josif Çukos, si dhe moszbardhjen përfundimtare të ngjarjes së tmerrshme të Libofshës.

Olimbi Çuko thotë për gazetën "Shqip" se "kërkoj vetëm rigjykim dhe rihetim të dosjes në fjalë. Unë kërkoj drejtësi në procesin e gjykimit të vëllezërve të mi dhe jo shmangie të përgjegjësisë së mundshme të tyre në krim".

Ngjarja

Më 29 maj të vitit 1992, në fshatin Libofshë të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Fierit, 13 kilometra larg nga qyteti, pesë persona të një familjeje u ekzekutuan me sëpatë. Të pesë personat, mes tyre edhe një foshnjë disamuajshe, janë qëlluar në po të njëjtin pozicion, në mes të ballit. Ekzekutimi është cilësuar në atë kohë si vrasje për shkak të grabitjes, ndërkohë që edhe 16 vite pas ngjarjes në fjalë familjarët e viktimave janë shprehur se grabitja nuk ka qenë arsyeja e krimit. Ata, në një prononcim për gazetën "Shqip", kanë hedhur hipotezat e mundshme rreth motivit të ngjarjes dhe kanë pranuar se nuk është zbardhur akoma krejt ngjarja. Autorët, që sipas policisë ishin dy vëllezërit Dritëbardh dhe Josif Çuko, janë ndaluar dy ditë më pas dhe janë cilësuar vrasës pas një gjykimi prej 25 ditësh, duke përfunduar në dënimin e tyre me vdekje. Ekzekutimi i tyre me varje në litar u bë në qendër të qytetit të Fierit, në qershor 1992 dhe ishte i fundit dënim me vdekje i ekzekutuar në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›