E Shtunë, 31 Tetor 2026

E premtja e zezë

Dita e djeshme ka qenë e zezë për Shqipërinë. Në protestat e dhunshme, në Tiranë, kanë vdekur tre qytetarë, ndërkaq janë plagosur dhjetëra të tjerë. Kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjëse opozitën për ngjarjen tragjike, kurse Edi Rama tha se Berisha i ka lyer duart me gjak. Nga BE dhe SHBA vijnë thirrje për qetësi dhe maturi. Nga Express më 22 janar 2011 në ora 08:44

Tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur është bilanci i demonstratës së të premtes në Tiranë. Viktimat, ndër të cilët një nga Gjirokastra e një tjetër nga Dibra, janë qëlluar nga afërsia me armë të kalibrit të vogël.

Demonstrata e ftuar nga opozita, por në të cilën nuk ka folur asnjë përfaqësues opozitar, ka eskaluar në dhunë pak kohë pasi ka filluar. Mijëra qytetarë kanë gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të policëve. Policia ka përdorur armët, gazin lotsjellës, bomba molotovi dhe vrushkuj uji për t’i shpërndarë, ndërkohë që iu është vënë zjarri disa makinave të policisë dhe makinave të tjera.

Demonstruesit kanë mbajtur në duar pankarta me emrat e qyteteve nga vijnë dhe parulla kundër qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Një grup i tyre janë ngjitur në hekurat që rrethojnë ndërtesën e Kryeministrisë, duke brohoritur “Iku, iku...”. Të tjerë janë përpjekur të hyjnë brenda oborrit të Kryeministrisë, duke hapur portën me forcë. Më pas ka reaguar edhe më me forcë policia.

Në një prononcim të mbrëmjes, Kryeministri Sali Berisha ka thënë se përgjegjësia për ngjarjen bie mbi organizatorët e demonstratës, qëllimi i të cilëve ishte që me çdo kushte të merrej Kryeministria, Parlamenti dhe ministritë. Sipas tij, demonstrata ishte puç i trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thënë se demonstruesit u provokuan. Sipas tij, gjithçka filloi natyrshëm, por ata u provokuan rëndë.

“Turp për ata që kanë mbajtur në këmbë pushtetin e vjedhur, provokuan gjatë gjithë ditëve dhe në këtë moment delikat në mënyrën më të pamundur një masë gjigante qytetarësh që deri në fund tregoi se ishte aty për të ngritur zërin paqësisht", tha Rama në një nga konferencat e shumta për gazetarë.

Ai porositi Berishën të mos thellohet në rrugën qorre, që ka treguar gjatë gjithë kësaj periudhe. “Kryeministri Sali Berisha i lyu duart me gjak shqiptarësh”, theksoi ai.

Sipas Ramës, sot është dita për zgjidhje të domosdoshme për të mirën e gjithë shqiptarëve. "Tani e në çdo minutë, ajo që po shfaqet përpara syve tuaj e mbarë botës, është natyra e vërtetë e këtij pushteti që duhet të largohet”.

Presidenti Bamir Topi ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi. Ai i ka ftuar faktorët politikë t’i rikthehen urgjentisht dialogut dhe të marrin përgjegjësitë politike për ruajtjen e stabilitetit të vendit.

Reagimet

Reagime për ngjarjen kanë ardhur nga BE e SHBA. Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu keqardhje që demonstrata nuk ishte paqësore dhe nuk u morën parasysh thirrjet për qetësi. Ndërkaq, Bashkimi Evropian iu ka bërë thirrje liderëve politikë që të përmbahen nga provokimet e mëtejme dhe të ftojnë popullin të ruajë qetësinë.

Në një deklaratë të përbashkët të përfaqësueses për politikë të jashtme e siguri, Catherine Ashton dhe komisionarit për zgjerim, Stefan Füle, thuhet se politikanët duhet të angazhohen në dialog konstruktiv politik dhe pa asnjë vonesë ta zgjidhin ngërçin aq të gjatë politik.

Ka reaguar edhe Kosova. Kryeministri Hashim Thaçi, ka ftuar të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, spektrin e gjerë politik dhe qytetarët që të ruajnë stabilitetin e vendit, duke i hapur rrugë bashkëpunimit dhe dialogut mes forcave politike. LDK konsideron se zhvillimet e tilla dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit shqiptar dhe integrimet në BE. AAK ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi, kurse sipas Lëvizja Vetëvendosje në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht shihen partitë pa popull, kurse të premten u pa populli pa parti.

Situatë e trishtueshme

Eurodeputetja Doris Pack ka thënë se situata në Shqipëri është e trishtueshme dhe se tashmë gjendja po përshkallëzohet. “Situata është e trishtueshme, situata tani po eskalon. Është në rregull që Ilir Meta dha dorëheqjen. Por, në Shqipëri ka vazhdimisht të akuzuar për korrupsion, vazhdimisht njëra palë fajëson tjetrën. Natyrisht që opozita e shfrytëzon këtë sa të mundet, por kjo e tëra mund të rezultojë në bumerang”, ka theksuar Pack.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›