Bushaj provohet në Orebro

Talenti kosovar Gjergj Bushaj i është bashkuar skuadrës suedeze Orebro, ku do të testohet për disa ditë.
Ish futbollisti i Vëllaznimit nga Gjakova klubit nga elita e futbollit suedez i është bashkuar në Turqi, ku kjo skuadër po kryen fazën përgatitore.
“20-vjeçari Gjergj Buashaj do të provohet në Orebro SK për një javë”, ka njoftuar ueb faqja zyrtare e klubit suedez oskfotboll.se.
Në anën tjetër, edhe menaxheri i 19 vjeçarit, Enver Raça e ka konfirmuar për gazetën Express se klienti i tij po provohet te klubi nga Allsvenskan.
“Drejtori i Orebros më ka kontaktuar dhe më ka pyetur për Gjergjin. Ai më tha se kanë informata të mira për të. Në fundjavë Orebro ka një ndeshje miqësore ku do të luajë edhe Gjergji dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Raça.
Talenti kosovar së fundi ka luajtur te klubi kroat Istra, ku ishte transferuar gjatë verës së vitit të kaluar nga Vëllaznimi, por shkëputi kontratën gjatë këtij muaji pasi nuk pati hapësirë të mjaftueshme.
Nëse Bushaj kalon provën, atëherë do të bëhet kosovari i dytë në këtë ekip në të cilin luan edhe mesfushori Denis Abdullahi. Anëtari i përfaqësueses U21 të Finlandës kësaj skuadre i është bashkuar në verën e vitit 2010 nga klubi finlandez FC Viikingit.
Në sezonin 2010 pjesë e Orebros ishte edhe mesfushori tjetër kosovar Astrit Ajdareviç. Por, kosovari me pasaportë suedeze braktisi këtë ekip, për t’u transferuar te klubi tjetër suedez IFK Norrkoping.