E Shtunë, 31 Tetor 2026

E prirur për emocione



Kush mund t’i rezistojë njëra-tjetrës, nderi apo dashuria e vërtetë? Ndonëse me një partner të gabuar, dashuria bëhet zgjedhja definitive e “heronjve”, duke marrë me vete edhe riskun moral. E ngjitur në skenë, ishte paralajmëruar se atmosfera shqiptare do mbizotëronte, sidomos ajo e fshatit, ku sjellje të tilla janë tipike në një vepër të Molierit. Në shfaqjen “George Dandi”, me regji të Franc Helmer, spikati Anxhelika, bija e një familjeje të pasur, e cila kishte pasur fatin të martohej me një burrë, të cilin nuk e donte... Duke pranuar se është krejt emotive në emocione, në këtë rol aktorja Adelina Muça tregon eksperiencën e saj më të re dhe ndjesinë e saj pas shfaqjes. Ja si e tregon këtë përvojë...

Molieri, në një fshat shqiptar. Në një provincë, vite më parë. Kush mund t’i rezistojë njëra-tjetrës, nderi apo dashuria e vërtetë? Ndonëse me një partner të gabuar, dashuria bëhet zgjedhja definitive e “heronjve”, duke marrë me vete edhe riskun moral. E ngjitur në skenë, ishte paralajmëruar se atmosfera shqiptare do mbizotëronte, sidomos ajo e fshatit, ku sjellje të tilla janë tipike në një vepër të Molierit. “George Dandin” ishte shfaqja e dhënë prej dy netësh në skenën e Akademisë së Arteve, me regji të Franc Helmer, i ftuar nga Franca. Por veçoria “rrihej” diku tjetër. Ishte e para herë që në skenën tonë ngjitet një shfaqje bilinguale. Aktorë që interpretonin shqip dhe frëngjisht në të njëjtën kohë. Mes tyre, lartësohej edhe Anxhelika, bija e një familjeje të pasur, e cila kishte pasur fatin të martohej me një burrë të cilin nuk e donte. Ishte fshatar, por pavarësisht kësaj, ai nuk dinte të komunikonte dhe të vlerësonte bashkëshorten e tij. Një boshllëk të cilin ajo e gjen tek një tjetër mashkull, edhe pse e mohonte në sy të prindërve për hir të nderit, me rëndësi jetike në atë kohë. Rol ky i interpretuar nga aktorja Adelina Muça, ku pothuajse gjatë gjithë shfaqjes na është paraqitur një e huaj, “produkt” i Molierit, në përshtatje me veprën skenike. Në një intervistë për “standard”, ajo tregon eksperiencën e saj më të re dhe ndjesinë e saj pas shfaqjes. Vështirësitë që ka ndeshur, sidomos gjatë premierës, apo edhe mënyrën se si aktrimi përjashton edhe rregullat universale. Një aktor student ka shansin të jetë koleg me pedagogun e tij, sipas Adelinës. Pikërisht, kjo dukuri i ka ndodhur edhe vetë asaj, madje ishin edhe bashkëshorte. Ja si e tregon këtë përvojë...

Sapo keni përcjell shfaqjen e dy mbrëmjeve “George Dandin”, ku ju ishit një ndër rolet kryesore. Si ndiheni?

Ndihem bosh, sepse të gjitha emocionet, energjia janë shkarkuar në këto dy ditë shfaqjeje. Ashtu si çdo aktor, i cili këtë pjesë e njeh shumë mirë, edhe mua më duket sikur nuk kam asgjë. Ne kishim rreth dy muaj e gjysmë që punonim për këtë shfaqje, ndërkohë që nga ana tjetër ishim edhe në gjendje ankthi për mënyrën se si ajo do të pritej. Por në momentin që gjithçka përfundon, menjëherë ngre pyetjen se çfarë bëra në të vërtetë. Kështu, unë ndihem jo shumë e emocionuar, pa energji, por gjithsesi ndihem edhe mirë sepse kam bërë diçka, një punë të mirë që është pëlqyer.

Kjo shfaqje ishte bilinguale, në shqip dhe në frëngjisht. Sa e vështirë ishte për ju?

Fakti që kjo shfaqje ishte në gjuhën frënge për mua ishte një eksperiencë shumë e mirë, por në të njëjtën kohë ishte edhe tepër e vështirë. Them kështu, sepse të interpretosh në gjuhë të huaj nuk është e lehtë sado zotërues i mirë i asaj gjuhe të jesh, për shkak se nga njëra anë më duhej të përktheja atë që thosha në gjuhën amtare, me mëndje dhe atë “produkt” më pas duhej ta përçoja tek partnerët, publiku, duke e interpretuar, normalisht. Pra, përveç vështirësive të tjera, ashtu siç ndodh në çdo shfaqjeje, edhe gjuha ishte një prej tyre.

Ju interpretonit në skenë me pedagogun tuaj njëkohësisht...

Po, dhe jam ndjerë jashtëzakonisht shumë e lumtur, nga fakti që unë kam punuar me pedagogun tim, Alert Çelo Aliajn. Të luash me pedagogun në skenë nga një anë më ka bërë të ndihem shumë krenare, por nga ana tjetër kam qenë paksa edhe në siklet.

Pse jeni ndjerë kështu?

Jam ndjerë e tillë, sepse ai ishte pedagogu im, i cili më ka ndihmuar jashtë mase, por duhet të kuptojmë se profesioni ynë nuk i njeh këto lloj raportesh. Është diçka e bukur, pasi edhe sapo të përfundosh studimet, nuk është ndonjë çudi e madhe nëse pedagogun tënd mund ta kesh koleg. Për mua nuk ishte hera e parë që interpretoj me këtë profesor. Kam aktruar edhe në një tjetër shfaqje me të, “Andrra e jetës”. Në momentin e parë nuk e pashë që ai ishte në skenë, kur e pashë për të dytën herë isha shumë në siklet, sepse mendoja se si ai mund të më gjykonte pas shfaqjes. Mbaj mend që edhe kur shfaqja mbaroi, nuk e merrja as guximin të dilja nga dhoma e aktorëve. Më dukej vetja si një fëmijë i vogël, si në faj, duke pritur gjykimin e tij. Por kjo, për mua është jashtëzakonisht e bukur si ndjesi.

Po pas kësaj shfaqjeje jeni e kënaqur nga vetja, do të ndryshoje ndonjë gjë nga roli?

Gjatë natës së parë kishim pak emocione. Dhe kjo ishte normale, pasi edhe ne nuk e dinim se si do të pritej shfaqja, si një eksperiencë e re që ishte. Në prapaskena ai më tha diçka. “Mos ma var fare. Imagjino sikur unë nuk ekzistoj si pedagogu yt”. Kështu, pasi shfaqja mbaroi, Alerti më falënderoi meqenëse unë e kisha zbatuar këshillën e tij. Gjithçka ishte një ndihmesë për mua, por njëkohësisht edhe një vlerësim, sepse unë arrita të bëj atë që ai më kërkoi. Ai është njohës shumë i mirë i gjuhës frënge dhe më komplimentoi edhe për mënyrën se si kam interpretuar në këtë gjuhë. Për këtë unë jam e kënaqur, por jam e ndërgjegjshme që nuk kam dhënë maksimumin tim. Sepse maksimumi nuk jepet kurrë.

Një shfaqje me dy gjuhë, që vihej për herë të parë në Shqipëri. A keni luajtur herë të tjera në të tilla rrethana?

Kjo shfaqje ishte e para në Shqipëri, por unë kam punuar për rreth dy vjet me periudha të shkurtra, në një teatër italian si aktore. Në këtë teatër që vendosej në Leçe me një regjisor dhe kastë italiane, punohej mbi bazat e Brutovskit. Kemi bërë disa shfaqje si “Zgjimin e Uliksit” etj. Fillimisht ishte një punë eksperimentale si workshop, e më pas mori një trajtë serioze. Pra për mua nuk është hera e parë që realizoj një rol skenik në teatër në gjuhë të huaj.

Na fol pak mbi këtë eksperiencë. Çfarë mësohet nga skenat e huaja?

Është një eksperiencë, të cilën do t’ua këshilloja të gjithë aktorëve. Në radhë të parë të mësojnë një tjetër disiplinë. Po ashtu, një aktor duhet të merret jo vetëm me rolin, apo personazhin, por gjithashtu edhe me veten e tij, që do të thotë të përqendrohet mbi zërin dhe trupin. Ashtu siç mund të jetë rasti i një instrumentisti, i cili duhet të praktikojë çdo ditë me veglën e tij muzikore, ashtu duhet të praktikojë edhe një aktor me këto dy detaje që sapo përmenda. Eksperienca ishte shumë e lodhshme, pasi filloja të punoja në orën tetë të mëngjesit dhe mbaroja në orët e vona të mbrëmjes, vetëm me 30 minuta pushim ndërprerje. Madje, edhe gjatë këtij intervali, regjisori kërkonte që të mos komunikoja me asnjërin prej aktorëve. Më pak fjalë, të impononte një lloj gjendjeje psikologjike e cila përshtatej më pas me shfaqjen që duhej të jepja. Ishte një disiplinë e jashtëzakonshme. Por veç kësaj, unë kam mësuar shumë mbi mënyrën se si punohet me zërin dhe trupin, jo se në shkollë nuk na është dhënë kjo mundësi, por metodat përkatëse janë të ndryshme. Kështu, unë kam vënë re që pjesa më e madhe e aktorëve hyjnë në skenë sapo kanë ardhur nga rruga, pa punuar fare me zërin e tyre. Kanë një lloj përqendrimi, por pjesa dërmuese nuk i japin rëndësi pjesës fizike dhe asaj zanore.

Gjithë këto mangësi që vini re mes të rinjve që përgatiten këtu, aktorëve, si pasojë e kujt është sipas jush? Ju na folët mbi një disiplinë pune, një përgatitje profesionale të gjithanshme...

Mendoj se faji peshon më tepër tek aktorët. Nuk është faji i pedagogëve tanë, sepse ata na e kanë mësuar këtë lloj metodologjie, pavarësisht se studentët nuk i kanë dhënë rëndësi. Unë kam pasur raste kur nuk e kam zbatuar këtë lloj praktike dhe e kam ndjerë menjëherë ndryshimin tim, pasi të jep një tjetër lloj përkushtimi dhe përqendrimi në skenë.

A është e vështirë për një aktor shqiptar që t’ia dalë në një skenë jashtë vendit, që nuk flitet gjuha e tij, do ju pëlqente të luanit vetëm jashtë Shqipërisë?

Jo, nuk do të më pëlqente të jetoja jashtë. Më pëlqen shumë të jetoj këtu, në Shqipëri. Veç kësaj, këtu kam dashurinë time më të madhe të jetës sime, që është ime më dhe nuk mund ta lë dot kurrsesi vetëm. Madje, gjithçka që kam arritur deri tani e kam bërë vetëm për atë.

Ju keni punuar për këtë shfaqje me një regjisor francez. Si ishte ky bashkëpunim?

Ishte një tjetër mënyrë e re e të punuarit. Jo se ishte jashtëzakonisht shumë ndryshe nga ç’jemi mësuar të punojmë me regjisorët tanë, por mund të them se bashkëpunimi ishte shumë i mirë. Ndërkohë regjisori francez na erdhi më tepër në ndihmë me mënyrën se si luhej në të vërtetë Molieri. Ndonëse ne e kemi praktikuar, por ishte thjesht një eksperiencë e re. Kjo shfaqje ishte një rrugë për shkëmbimet kulturore, duke kuptuar gjëra të reja sa i përket autorit, veshjeve dhe kostumeve për të cilat na ndihmoi edhe skenografia dhe kostumografia Beri Kokona, pedagoge në Akademinë e Arteve.

Jeni edhe asistent-regjisore e shfaqjes që do të vihet së shpejti në Teatrin e Metropolit, “Kopshti i vishnjave”. Ndërkohë ju jeni shumë e re në moshë. Çfarë janë gjithë këto pasione?

Në të vërtetë unë kam filluar të punoj që kur kam qenë në klasë të shtatë e deri më sot. Kam bërë të gjitha punët e mundshme, duke filluar që nga radio “Tirana”, më pas nëpër televizione si regjisore, prezantuese. Më pas, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, sërish si as/regjisore e Nicola Zorzi-t në shfaqjet “Lucia de Lamermoor” dhe “Norma”, në spektakle si “Miss Shqipëria”, “Netët e llipit shqiptar”, prezantuese në disa festivale të ndryshme etj.

Ku e gjeni veten më shumë?

Veten e kam gjetur më tepër tek teatri, sepse më jep emocionin e vërtetë. Jam e prirur për emocione, jam person shumë emotiv dhe i përjetoj gjërat jashtëzakonisht shumë. Edhe kur jam në skenë, e përjetoj atë lloj situate në të cilën ndodhem. Vë veten në pozicionin e personazhit dhe mundohem që të nxjerr nga vetja pikat kyçe të tij, duke e vënë veten në të njëjtën situatë me të.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›