Bubullima e Kavajës
“Njeriu që nuk do të vdesë për diçka, nuk është i aftë të jetojë”
Martin Luther King Jr.
Nga Pleurat Sejdiu
“Për të gjithë ne, liria e Kosovës dhe bashkimi kombëtar do të jetë çelësi i prosperitetit dhe fuqizimit të kombit shqiptar”. Ishte kjo bindja e Indritit të ri, por të pjekur nga koha dhe mësimet e të parëve të familjes Cara.
Londër, nëntor i vitit 1995, shumë bashkatdhetarë nga të gjitha tokat shqiptare ishin mbledhur të përkujtonin ata të cilët ndër vite qëndronin si fanar në rrugën e lirisë së Kosovës. Të paepurit dhe simbolet e rezistencës kombëtare, Afrimi dhe Fahriu, u bënë edhe një herë shpërthim i ndjenjave të atdhedashurisë së mijëra të rinjve shqiptarë, ishte dita kur ne përkujtonim lavdinë e Kodrës së Diellit dita kur Indriti i ri u “rrëfye”. Shikimi i tij zhbirues më bëri që të ndihem disi çuditshëm, të ndihem se para meje kam një njeri që do të mund ta quaja shok për vite me radhë.
Tek e shihja në dritë të syrit, përpiqesha të kuptoja ç’mendime lëvrinin në trurin e këtij kavajasi, dukej po aq i sinqertë sa edhe i vendosur.
Kush ishte ky i ri kavajas që një ditë marsi të luftës së Kosovës do të shndërrohej në bubullimë, bubullimë nga Shkëmbi i Kavajës, i cili do sillte me vete ushtimën e valëve të bardha të Adriatikut. Zëri i tij do të shndërrohej në klithmat e Vojo Kushit e Afrim Zhitisë, do t’i sillte Kosovës gjëmimin e pushkëve të Çerçiz Topullit dhe Avni Rrustemit, trimëria e tij do të bëhej frymëzim për luftëtarët e lirisë anembanë trojeve shqiptare.
Në gjenet e tij mbijetonin vrullshëm ndjenja e lirisë, dinjiteti kombëtar, dashuria për dheun e të parëve dhe krenaria për trimat që i dilnin zot atdheut.
Mjeshtëria ushtarake e fituar në shkollën e oficerëve, nuk do ta linte për asnjë moment të qetë para detyrave që i shtroheshin kombit shqiptar në atë fundshekull. I bindur se kombi dhe atdheu kishte nevojë për të, si për çdo shqiptar, ai iu përvesh punës.
“Kjo është dita më e lumtur e jetës time”, - thoshte Indriti në ditën kur iu bashkëngjit radhëve të lëvizjes popullore të Kosovës. Indriti, si një strateg ushtarak, vuante kur dëgjonte për rënien e shokëve, vuante për pamundësinë që të ishte pranë njësive guerile të UÇK-së,për aksionet e të cilëve bisedonim shumë. Rënien në altarin e lirisë të Adrian Krasniqit, Indriti e përjetoj rëndë, sa që në takimin me vëllain e Adit, në Londër, nuk mundi ta fshihte më pikëllimin dhe qau!
Londër, mëngjes i ftohtë janari. Unë dhe Indriti qëndronim para Dorianit, vëllai i Indritit, të heshtur dhe dëgjonim “akuzat” për mosvënien e tij në dijeni. Ishte e rëndë ndarja nga Doriani dhe e paharrueshme. Ashtu si në legjenda, Indriti kishte veshur një pardesy të gjatë e të bardhë. Indriti, sikur shkroi që atëherë rreshtat e këngës kushtuar atij, ku thuhet: “Ball i trimërisë, engjëll i lirisë ...” dhe dukej si një engjëll që shkonte drejt lavdisë.
Shikoja buzëqeshjen e Indritit, Fatonit, Halilit dhe Ismajlit, buzëqeshje trimash të cilët nuk ia dinë për vdekje.
“Pleurat shoku, pas lirie, do të bëhem dhëndër Kosove”, - këto ishin fjalët e fundit të Indritit që i tha para se hipte në “zogun e qiellit” që po i sillte Kosovës së përvuajtur edhe një krah pushke, edhe një gjoks trimërie.
Ashtu si në legjendat e Gjergj Elez Alisë, Indriti nuk mund të shkonte në beteja e të mos merrte bekimin e nënës, edhe pse nënë Xhemailja nuk e dinte, nënë shqiptare që veç trima lindi.
E pse mos të besojmë në legjenda, kur me të vërtetë ato shkruhen nga njerëz që janë të lindur për trimëri, Indriti në mëngjesin e 25 marsit 1999, brofi në këmbë si trim që ishte dhe doli vullnetar për të mbrojtur pozicionet e shokëve që ishin nën bombardimet e pamëshirshme të ushtrisë serbe. Shkoi fluturimthi me shokët e tij të pandashëm, Ismajlin dhe Halilin, dhe me gjoksin para u shndërrua në engjëll ashtu si i ka hije një burri, bëri vdekjen ashtu si buzëqeshja e Fehmi Lladrovcit dhe këngët e Adem Jasharit në rrethimet e kullave të Bac Shabanit.
Me rastin e rivarrimit të Indritit, përfaqësuesi i SHP-së të UÇK-së, Kadri Veseli, do të thoshte edhe një herë atë për çka nënë Xhemailja kishte lindur Indrit trimin: “... Indriti sot erdhi si një engjëll në Kavajë, ku do t’i bëjë dritë jo vetëm Kavajës, por gjithë tokave shqiptare...”, dhe i tillë ishte dhe mbeti Ushtar Kavaja, “ballë i trimërisë, engjëll i lirisë, Kavaja e ka djalë, Kosova e ka xhan!
Lavdi të përhershme trimit Indrit Cara!