E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi; Ndryshon akuza për Arben Lazen, dosja i kalon Elbasanit



Prokuroria e Krimeve të Rënda ndryshon akuzën për presidentin e ekipit të Elbasanit, Arben Lazen, nga “trafik narkotikësh”, në akuzën “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Vendimi është marrë pas disa hetimeve të njëpasnjëshme, nga ku rezultoi se Laze nuk ka kryer transport të drogës nga Maqedonia, por vetëm e ka shituar atë tek Arben Prifti, i akuzuari tjetër. Pronësinë e drogës e mori përsipër vëllai i presidentit Laze, Fatjoni, i cili deklaroi se e kishte sjellë drogën nga Maqedonia në Shqipëri. Nisur nga këto fakte, të provuara gjatë procesit hetimor, prokurorët e çështjes e veçuan hetimin për Lazen, duke e kaluar për hetim dhe gjykim në Elbasan. Tashmë, pas veçimit të çështjes dhe ndryshimit të akuzës, shpëtojnë nga bllokimi dhe sekuestroja pronat e Lazes, masë e marrë qysh në fillim të hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Presidenti i sport-klub “Elbasani”, Arben Laze, u arrestua në kuadër të operacionit “Mesfushori”, së bahsku me të vëllanë, Fatjon Laze dhe dy shtetasit, Arben Prifti e Shkëlqim Hyzmo. Ky i fundit u kap me heroinë, pasi e kishte marrë në dorëzim nga Laze.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›