E Shtunë, 31 Tetor 2026

E rrahin në shtëpi, tenton vetëvrasjen

 

Etleva Delia

Vajza 19-vjeçare nga Tirana tenton të vetëflijohet, duke u hedhur nga ura e Lanës pas dhunës dhe mosmarrëveshjeve në familje. Ngjarja ka ndodhur dje pas momentit kur xhaxhallarët e adoleshentes e kishin rrahur atë dhe po e shoqëronin me makinë për ta mjekuar në spital. Vajza ka shfrytëzuar rastin kur automjeti ka ndaluar në semafor dhe ka dalë në rrugë, duke u drejtuar nga ura e Lanës pranë Urës së Tabakëve. Ka qenë ora 14:45 kur Flutura Çela është kthyer nga të afërmit e saj dhe nga kalimtarët, duke u thënë që të mos i afrohej njeri, në të kundërt do të hidhej nga ura. Kalimtarët e rastit e kanë rrethuar, duke i bërë thirrje vajzës që të largohej nga ura. Për pak çaste situata është bërë alarmante, derisa një polic rrugor që ndodhej në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit i është afruar vajzës, pasi kishte kërkuar shërbime shtesë në vendin e ngjarjes. Fillimisht polici është munduar që t’i tërheqë vëmendjen vajzës me fjalë, për ta bindur që të mos hidhej, por 19-vjeçarja duket se ishte e vendosur për t’i dhënë fund jetës. Ndërkohë dy xhaxhallarët e 19-vjeçares dhe polici rrugor kanë arritur ta mbajnë për disa sekonda pa kryer asnjë veprim. Ajo u ka ikur nga duart duke dalë nga ana tjetër e urës, për të përfunduar “aventurën” e saj. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, gjithashtu edhe një ambulancë dhe kësaj here kanë arritur që ta largojnë përfundimisht nga vendi ku ajo kërkonte të hidhej. Flutura Çela është dërguar menjëherë në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore, pasi në fytyrë dhe në trup kishte shenja dhune dhe njolla gjaku.
SHOQERIMI NE POLICI
Pasi ka përfunduar “aventura” e vajzës 19-vjeçare, Flutura Çela, që tentoi t’i japë fund jetës publikisht duke u përpjekur të hidhet nga ura e Lanës te rruga e Elbasanit, ajo është dërguar në spital dhe xhaxhallarët e saj në polici. Në gjendje të rënduar nervore dhe e gjakosur në fytyrë dhe trup, vajza ka tentuar të kryejë vetëvrasje publike në mes të kryeqytetit. Personat me të cilët ajo ndodhej në makinë, të cilët kanë rezultuar të jenë xhaxhallarët e saj, janë shoqëruar për disa orë në polici për të dhënë deklarime rreth ngjarjes. Të pyetur nga oficerët e policisë ata kanë shpjeguar edhe pse kishin ushtruar dhunë ndaj mbesës së tyre, duke dëshmuar se ajo ishte me aftësi të kufizuara dhe shpeshherë nuk iu bindej, duke u larguar nga shtëpia ku ata banonin, pranë “Urës së Tabakëve”, pa lënë asnjë lloj adrese. Kjo kishte qenë arsyeja që ata e kishin rrahur dje dhe ajo u ka dalë nga makina. Pasi kanë përfunduar të gjitha deklarimet, ata janë lënë të lirë dhe kanë dalë nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, për t’u marrë në pyetje sërish në një moment tjetër. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur se do të merret edhe deklarata e Flutura Çelës, por në një kohë kur ajo të jetë në një gjendje më të përmirësuar psikologjike. Të njëjtat burime konfirmuan se në rast se ajo preferon të bëjë një denoncim, apo të kërkojë të merret në mbrojtje, do lëshohet edhe një urdhër i tillë, pasi ndaj saj është provuar që xhaxhallarët kanë ushtruar dhunë. Këtë fakt ata e kanë pranuar edhe vetë gjatë dëshmisë që kanë dhënë në polici. Por gjithashtu do të provohet nëse vajza vuan vërtet nga ndonjë sëmundje mendore, ashtu siç kanë pretenduar të afërmit e saj dhe do të hetohet për motivet që e detyruan atë të tentojë vetëvrasjen.

Të afërmit në polici: Vajza vuan nga sëmundje mendore
TIRANE – Xhaxhallarët e vajzës 19-vjeçare u shoqëruan në polici, pasi adoleshentja u dërgua në spital për të marrë ndihmën e parë. Të afërmit e vajzës janë pyetur për të dhënë deklarime rreth ngjarjes dhe arsyeve që e çuan Flutura Çelën të tentonte vetëvrasjen. “E pranojmë që e kemi trajtuar paksa keq, por ajo nuk duronte dot, pasi vuante nga sëmundje mendore. Nuk bindej ndryshe që të mos dilte nga shtëpia dhe ne kishim frikë se mos i ndodhte gjë”, kanë deklaruar ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›