E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri britanik Coaker, letër Nishanit për luftën antikrim

 

TIRANE- Vetëm disa ditë pasi ka vizituar Shqipërinë, ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Policinë, Krimin dhe Sigurinë, Vernon Coaker, i ka dërguar një letër falënderimi ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Përveç mirënjohjes për pritjen që i rezervuan gjatë vizitës së tij më 17 shkurt të këtij viti në Tiranë, gjithashtu Coaker e ka përgëzuar Nishanin për arritjet e policisë shqiptare, nismat që kanë marrë, projektet etj., duke i ofruar edhe mbështetjen e Britanisë. “Është e qartë se vazhdon një bashkëpunim i shkëlqyer mes agjencive të zbatimit të ligjit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë”, shprehet në letrën e tij ministri Coaker. Më tej funksionari i lartë i Home Office ndalet në vlerësimin e niveleve të bashkëpunimit dypalësh në disa fusha dhe për çështje të caktuara. “Mbretëria e Bashkuar i kushton një rëndësi të veçantë suksesit të PAMECA III dhe është e dukshme se ju dhe autoritetet shqiptare keni dhënë një siguri të plotë për një nisje të shkëlqyer të projektit. Ne e vlerësojmë Shqipërinë si partner në luftën kundër krimit të organizuar, siç parashikohet edhe në angazhimet e nivelit të lartë të SOCA-s (Agjencia Kundër Krimit të Organizuar)”, shkruhej në letrën e Coaker. Më tej ai ka treguar edhe mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Brendshme, lidhur me investimet dhe financimet e Mbretërisë së Bashkuar për Policinë e Shtetit Shqiptar. Ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Policinë, Krimin dhe Sigurinë përforcon në letrën e tij angazhimin e plotë për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve. “Dëshiroj të theksoj edhe njëherë mbështetjen time dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e zbatimit të ligjit në Shqipëri në luftë kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar që prek të dy vendet tona”, shprehet ministri Coaker në mbyllje të letrës së tij për ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›