Nderohen 4 mësues, u mësuan gjermanisht të rinjve në monizëm
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Katër mësues shkodranë, të cilët në vitet e monizmit u përndoqën disa herë vetëm se u mësonin të rinjve gjermanisht dhe kishin studiuar në Austri, dje u nderuan me titull. Shoqata e Miqësisë Shqipëri–Austri nderoi mësuesit Karlo Ljarja, Ndoc Kamsi, Sandër Bushati dhe Izet Bebeziqi. Ndonëse ata tashmë nuk jetojnë më, dje u shpallën “Anëtarë Nderi” të kësaj shoqate. Për shumë vite ata vuajtën pasojat e studimeve në Perëndim duke u pushuar nga puna, survejuar apo burgosur. Familjarët e katër mësuesve kujtojnë sot një persekutim të gjatë nga regjimi i kohës. E njohur mjaft mirë me historinë e katër mësuesve, të cilët janë edhe themelues të shkollave të para në disa zona të Shkodrës, shoqata mori iniciativën të nderonte pas vdekjes figurat e profesorëve të gjermanishtes. Iniciativa e kësaj shoqate u mbështet edhe nga shkolla profesionale austriake me qendër në Shkodër. Sipas kryetarit të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri–Austri”, Prof.Dr Mahir Hoti, nderimi i këtyre figurave të shquara të përhapjes së kulturës dhe gjuhës gjermane ishte një detyrim moral në prag të 7 Marsit, festës së mësuesit. “Kemi vendosur të nderojmë këto figura që janë arsimuar në Austri dhe i kanë shërbyer vendit të tyre me devotshmëri. Ata kanë mbaruar shkolla perëndimore, ishin intelektualë të niveleve të larta, por pësuan pezullime nga puna, burgosje etj. E kemi obligim moral që rinia të mësojë për këto figura”, u shpreh prof.dr Hoti. Mes këtyre figurave që u nderuan dje, janë emra që kanë kontribuar në hapjen e shkollës së parë në zonën e Dukagjinit, në Theth. Në vitin 1935, mësuesit e diplomuar në Perëndim ishin të obliguar për përhapjen e diturisë, shkollimit e kulturës edhe në zonat më të thella të Shkodrës. Në bazë të dokumenteve, katër mësuesit që u nderuan dje kanë qenë përkthyes të dokumenteve në Arkivin e Shtetit. Pjesëmarrës në organizimin e djeshëm ishte edhe një nga aktorët e shquar të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja. Artisti i njohur është djali i Karlo Ljarjes, njëri prej mësuesve që u nderua nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Austri. Tepër i emocionuar, aktori Ljarja falënderoi për këtë nder që i bëhet me rastin e 7 Marsit babait të tij, i cili njihej si një nga mësuesit më profesionistë në Shkodër, dhe për më tepër kontribuoi për mësimin e gjuhës së huaj në vitet e monizmit. “Faleminderit për këtë nderim. Mbaj mend që im atë fliste pak. Ai është emëruar dhe pushuar disa herë nga puna. Kjo përndjekje e tij ishte vetëm për shkak se ai jepte mësimin e gjuhës gjermane. Gjithashtu, ai ishte diplomuar në Austri”, u shpreh aktori Rikard Ljarja, teksa iu dorëzua titulli i akorduar nga shoqata. Edhe familjarë të tre mësuesve të tjerë që u nderuan dhe kujtuan dje për profesionalizimin e tyre pohuan të njëjtën gjë. Madje, disa prej tyre vuajtën persekutimin dhe burgun, duke ua ndaluar rreptësisht mësimin e gjermanishtes të rinjve shkodranë. Në fakt, nuk është e rastësishme kjo lidhje mes Shkodrës dhe Austrisë. Sipas dokumenteve që ekzistojnë në arkiva edhe në Shkodër, mësimi i gjuhës gjermane ka nisur që në vitin 1848. Ndërkohë që para 250 viteve është hapur në Shkodër Konsullata e parë Austriake. Këtë fakt e vunë dje në pah edhe të pranishmit, që relatuan gjithnjë në nder të katër mësuesve që nuk jetojnë më, Karlo Ljarja, Ndoc Kamsi, Sandër Bushati dhe Izet Bebeziqi. I pranishëm në këtë ceremoni nderimi ishte edhe konsulli i Austrisë në Shkodër Gjergj Liqejza, drejtues të shkollës austriake, pushtetarë lokalë, familjarë të personaliteteve që u nderuan si dhe shumë shkodranë që kishin njohur personalisht këto figura.
Mësuesit e nderuar
Shoqata e Miqësisë Shqipëri–Austri nderoi mësuesit Karlo Ljarja, Ndoc Kamsi, Sandër Bushati dhe Izet Bebeziqi. Dje u organizua ceremonia me familjarët dhe dashamirësit e këtyre figurave, pasi ata sot nuk jetojnë më. Në këtë ceremoni u vu në dukje guximi i këtyre arsimtarëve, si dhe kontributi i tyre për të dhënë dije e kulturë në zonën e Shkodrës.