E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kontrata II e Gërdecit, firmë nga SHBA”

 

Trazhgim Sokolaj

Letërporosia e mbërritur nga SHBA zbardh detaje të reja të panjohura më parë për ngjarjen e rëndë të Gërdecit dhe veprimet e zyrtarëve shqiptarë që paraprinë tragjedinë. Autoritetet amerikane mësohet se kanë sjellë në Tiranë letërporosinë, ku gjendet dëshmia e pronarit të kompanisë SAC, Patrick Henry, dhënë për llogari të hetimeve të prokurorisë shqiptare. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave materiali voluminoz mësohet se ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë. Dokumentacioni i kërkuar nga SHBA ende nuk është përkthyer, megjithatë mësohet se në dëshminë e tij, Patrick Henry, drejtues i kompanisë SAC, ka dhënë detaje të panjohura për nënshkrimin e kontratës së dytë, e cila bënte fjalë për çmontim municionesh të kalibrit të madh. Kompania e amerikanit Henry nënshkroi në fakt dy kontrata me ndërmarrjen MEICO, për çmontim fishekësh e më pas predhash në Gërdec. Kontrata e parë, e firmosur nga palët në qershor 2007 dhe në bazë të saj vazhdoi çmontimi i fishekëve në Gërdec, deri në dhjetor 2007. Në këtë kohë, mes SAC dhe ndërmarrjes MEICO u nënshkrua një kontratë e dytë, e dyshimtë në tre aspekte. Së pari, sepse në këtë kontratë firma e kreut të firmës amerikane SAC, dukej me sy të lirë që ishte e ndryshme nga firma e vendosur në kontratën e parë ku kishte nënshkruar i njëjti person. Së dyti, kjo kontratë i hapi rrugë demontimit të municioneve të kalibrit të madh, konkretisht predhave që kërkonin kushte të rrepta sigurie për shkak se kishin mbushje të fuqishme, ndjeshmëri më të lartë dhe parametra të tjerë nga fishekët. Dhe së treti, kontrata ishte e dyshimtë për shkak se dy ditë pas nënshkrimit, kur MEICO i kaloi kompanisë SAC autorizimin për çmontim predhash, vetë kompania SAC ia kaloi të gjitha të drejtat firmës së Mihal Delijorgjit, e cila de fakto hyri në veprimtarinë e çmontimit të kalibrave të rëndë.
Firma nga SHBA
Mësohet se në dëshminë e tij të ardhur me letërporosi nga SHBA, Patrick Henry, administrator i kompanisë SAC, me certifikatë vetëm për demontim fishekësh, ka pohuar se ai nuk ka qenë i pranishëm në firmosjen e kontratës së dytë për predhat. Sipas rrëfimit të tij para prokurorëve amerikanë që e kanë pyetur Henry-në për llogari të Prokurorisë shqiptare, ai kishte hedhur firmën e tij në një letër të bardhë, e cila është dërguar në Tiranë dhe më pas është skanuar dhe vendosur në kontratën e dytë për demontimin e predhave. Shefi i kompanisë “Southern Ammounition Company”, siç pohojnë burimet, ka konfirmuar të ishte në dijeni për çfarë do të përdorej firma e tij në Tiranë. Ai megjithatë nuk dihet nëse e kishte parë dokumentin para se të autorizonte vendosjen e nënshkrimit të tij në fund të kontratës së dytë, e cila po zbatohej në Gërdec, kur ndodhi ngjarja e rëndë me 26 të vdekur e 300 të plagosur. Materiali i letërporosisë së ardhur nga SHBA, mësohet se po përkthehet në Ministrinë e Drejtësisë. Për këtë shkak dëshmia ende nuk është administruar në dosjen penale të ngjarjes së Gërdecit. Prokuroria e Përgjithshme ka ndarë procedimin në ngarkim të Patrick Henry dhe një tjetër blerësi të armëve dhe fishekëve nga Shqipëria, Henry Tomei. Për biznesmenin e parë letërporosia ka mbërritur dhe po përkthehet, ndërsa në rastin e Henry Tomei, letërporosia e kërkuar nga Zvicra ende nuk ka mbërritur në Tiranë.

Dosja e shpërthimit në gjyq, hetim biznesmenëve Patrick Henry e Tomei

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme pritet të dërgojë në gjykatë brenda pak ditësh, pjesën e fashikullit të dosjes “Gërdeci”, që bën fjalë për shpërthimin e ndodhur në fabrikën e demontimit më 15 mars 2008. Ndërkaq në hetim do të mbahen dy dosje të tjera që lidhen me të njëjtën ngjarje. Dosja e parë bën fjalë për abuzimet e mundshme me shitjen e armëve dhe municioneve nga ndërmarrja MEICO tek operatorët e huaj, kompania AEY, SAC apo subjekte të tjera, ku dyshohet se në emër të shitjeve ka pasur edhe trafik fishekësh apo humbje financiare për shtetin shqiptar. Dosja e dytë që do të mbahet në hetim, është ajo që lidhet me biznesmenët e armëve Patrick Henry dhe i dyshuari tjetër Henry Tomei, sipas të dhënave rezident në Zvicër. Ata do të hetohen nga Prokuroria shqiptare nëse kanë kryer shkelje të ligjeve të vendit, por duke qenë se letërporosia që lidhet me shefin e kompanisë SAC, Patrick Henry ende nuk është përkthyer dhe dosja për Henry Tomei ende nuk ka ardhur nga Zvicra, organi i akuzës do t’i mbajë të hapura hetimet deri në mbërritjen e provave nga jashtë vendit. Ndërkaq në gjykatë të akuzuar për shpërthimin që solli pasoja të rënda do të shkojë ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, ish-ministri Mediu, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha dhe 26 të pandehur të tjerë, përfshi dhe financuesin e çmontimit të fishekëve dhe predhave, Mihal Delijorgji, që dyshohet se “fshihej” pas kontratës së dytë të nënshkruar formalisht mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë amerikane SAC në dhjetor 2007.                         t.s

Kontrata I
Marrëveshja e parë mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC është nënshkruar në qershor 2007. Kjo kontratë ka qenë akti ligjor administrativ që ngarkonte ndërmarrjen MEICO për furnizimin e kompanisë amerikane me municione, ndërsa kompaninë SAC për demontimin e fishekëve të kalibrave të vegjël. Kjo kontratë vazhdoi deri në fund të dhjetorit 2008.

Kontrata II
Kontrata e dytë është më e komplikuar se e para, për disa shkaqe. Së pari, ajo u nënshkrua mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë amerikane SAC, por kjo e fundit dy ditë më vonë ia kaloi të drejtat firmës “Albademil” të Delijorgjit. Dhe, së dyti, sepse kjo kontratë parashikoi fillimin e demontimit për municionet e rënda, që u bënë shkak për grumbullimin e barutit dhe predhave, çka solli ngjarjen e rëndë.

Gjykata i komunikon arrestin ish-mbikëqyrësit të MEICO-s

TIRANE - Sokol Gjeçi, ish-mbikëqyrësi i MEICO-s, i arrestuar për ngjarjen e Gërdecit, u njoh dje në Gjykatën e Tiranës me vendimin “burg pa afat” të marrë në mungesë për të pesë ditë më parë. Gjykatësi që e kishte firmosur këtë vendim ia komunikoi Gjeçit atë, ndërsa bëri verifikimin e të pandehurit dhe kushtet e zbatimit të masës së arrestit. Në seancën që zgjati rreth 15 minuta, i pandehuri mohoi akuzën, ndërsa pranoi se vetë pozicioni i tij i punës që kryente, si mbikëqyrës në MEICO, nuk mund të ishte përgjegjës për atë që ndodhi më 15 mars të vitit të kaluar në Gërdec. Duke argumentuar, avokati i tij, Nik Progni ka pohuar në gjykatë se klienti i tij nuk mund të ishte përgjegjës për paprekshmërinë fizike nga jashtë të objektit ku demontoheshin municionet në Gërdec, nuk ishte përgjegjës për sigurinë teknike gjatë demontimit dhe se nuk kishte përgjegjësi për dëmet që mund të shkaktoheshin subjektivisht gjatë demontimit. Sipas mbrojtësit, gjykata duhet të mospranonte pretendimin e Prokurorisë për arrestimin në flagrancë të të pandehurit, pasi vetë ky ishte dorëzuar në polici. Më tej avokati ka pohuar se shkelje e procedurave ishte edhe pyetja e klientit të tij gjatë hetimeve dy herë pa praninë e mbrojtësit. Pas kësaj prokurori i komunikoi Gjeçit akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese të shumë personave në bashkëpunim” dhe “shkatërrim prone në përmasa të mëdha më shumë se njëherë”, për të cilat ai do të pyetet gjatë ditëve në vazhdim, ndërsa pritet mbyllja e hetimeve të çështjes. Ish-mbikëqyrësi i ndërmarrjes MEICO akuzohet se ka pasur të drejtë kontrolli në fabrikën e demontimit dhe nuk ka paralajmëruar rrezikun që vinte nga shkelja e rregullave të sigurisë aty. Avokati i të pandehurit tha se klienti i tij ka qenë inspektor i ndërmarrjes MEICO dhe jo mbikëqyrës i saj. Me këtë argument, mbrojtësi kërkoi një masë sigurimi më të lehtë për klientin e tij, duke kundërshtuar akuzat e ngritura.                                            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›