Aldo Bare si Basha, avokati: Hetimet jashtë afatit
Kreu i “Bandës së Lushnjës” kërkoi leje nga gjykata për t’u larguar nga salla e gjyqit, për shkak të gjendjes shëndetësore. Avokati Vladimir Meçi: Gjykimi duhet të pushohet, pasi hetimet janë kryer jashtë afatit ligjor
Leonard Bakillari
TIRANë - Fatmira Hajdari, gjyqtarja që pranoi kërkesën e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, duke shpallur të pavlefshme aktet hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme, tashmë do t’i duhet të japë përgjigje, për të njëjtën problem procedural, por këtë radhë ndaj kërkesës së Aldo Bares, i njohur ndryshe si kreu i “Bandës së Lushnjës”. Në më pak se një vit nga vendimi, që shpëtoi ministrin aktual të Brendshëm nga përballja me drejtësinë, kryetarja e trupit gjykues, Fatmira Hajdari, pritet të japë argumentet e saj, rreth kërkesës që avokati mbrojtës i Aldo Bares bërë dje në gjykatë. Sipas avokatit Vladimir Meçi, procesi gjyqësor ndaj klientit të tij duhet të pushohet, pasi hetimet e prokurorisë janë kryer jashtë afatit ligjor. Gjatë seancës së djeshme, i pandehuri Bare, i cili fillimisht ishte prezent në sallën e gjyqit, shfaqi dobësi trupore, ndërsa pas një daljeje të shkurtër nga salla e gjyqit, i kërkoi leje trupës gjyqësore të largohej, pasi nuk ndihej mirë. Gjithçka pritet për këtë çështje është vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila do të vendosë mbi kërkesën e avokatit, duke marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për dosjen “Basha”, zbatimi i të cilit është i detyrueshëm për gjykatat më të ulëta.
Kërkesa
Pas dy betejash të humbura për masën e sigurisë ndaj të cilësuarit si kreu i “Bandës së Lushnjës”, avokati i tij mbrojtës dje ka nxjerrë të dhëna, që mund të detyrojnë gjykatën të pushojë çështjen ndaj Bares. Gjatë kërkesës, në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të Aldo Bares, avokati Vladimit Meçi argumentoi se gjykimi i kësaj çështje nuk mund të vazhdojë. Duke folur për afatet hetimore të tejkaluara nga organi i prokurorisë, avokati i rikujtoi gjyqtares Hajdari edhe vendimin e Gjykatës së Lartë, që ka zgjidhur këtë moment procedural, por nuk e anashkaluar faktin se ka qenë pikërisht e njëjta gjyqtare, që ka dhënë fillimisht vendimin pro ish-ministrit të Transporteve. “Aktet janë të pavlefshme, prandaj kërkoj pushimin e gjykimit”, - tha avokati Meçi. Por në të njëjtën kohë që avokati lexonte kërkesën, klienti i tij, Aldo Bare, ka shfaqur shenja dobësie, duke kërkuar nga gjykata largimin për pak kohë nga salla e gjyqit. Pas disa minutash Bare është rikthyer në sallë, duke kërkuar largimin e tij, pasi nuk ndihej mirë. Procesi gjyqësor ndaj Aldo Bares, sipas juristëve, ka të njëjtin problem procedural me çështjen “Durrës-Kukës”, gjatë kohës që ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, për abuzime me fondet e rrugës Durrës-Kukës. Menjëherë pas vendimit të prokurorisë, avokati i ish-ministrit të Transporteve iu drejtua Gjykatës së Tiranës, ku kërkoi shpalljen e pavlefshme të akteve të prokurorisë, me argumentimin se janë marrë tej afateve ligjore të parashikuara në ligj. Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtarja që aktualisht gjykon Aldo Baren, ndërsa kolegji penal i Gjykatës së Lartë i dha vendimit formë të prerë, duke vendosur pushimin e gjykimit ndaj ministrit Basha. Tashmë kur ka kaluar më pak se një vit nga ky vendim, avokati i Bares i kërkon të njëjtës gjyqtare të zbatojë të njëjtën praktikë, sipas vendimit të formës së prerë të marrë nga Gjykata e Lartë.