Grabitet me armë lodër arka e OSSH-së
Në kërkim autorët
Ngjarja që ndodhi në mes të ditës dhe fare pranë Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ka pasur si objektiv shumën e parave prej 300 mijë lekësh të mbledhura nga pagesat e qytetarëve për energjinë elektrike
Artan CENA
TITANë - Të paktën 300 mijë lekë janë grabitur mesditën e djeshme nga zyrat e OSSH-së, në rrugën “Bardhyl”, ndërsa policia ka ndjekur ritualin e zakonshëm, duke u vënë në kërkim të dy grabitësve, edhe pse ata nuk janë identifikuar ende. Ngjarja ka rreth orës 14:30, kur dy persona kanë shkuar në zyrat e OSSH-së, në afërsi të “Bërrylit”, në kryeqytet, dhe me një armë lodër kanë marrë shumën e parave që ndodhej në arkë. Lajmi i grabitjes dhe largimit të menjëhershëm të dy autorëve të saj, është bërë i ditur nga burime zyrtare pranë Policisë së Tiranës, të cilat thanë se kanë nisur një hetim për ngjarjen. Siç bëhet e ditur, zyrat e OSSH-së ndodheshin në të njëjtat ambiente me ato të Postës Shqiptare, por ata kanë marrë vetëm paratë e paguara nga qytetarët për energjinë elektrike. Sipas të dhënave të policisë, grabitësit ishin dy persona të armatosur ende të paidentifikuar, që nën presionin e armëve kanë mundur të grabisin pikën e arkëtimit të OSSH-së. Policia pohon gjithashtu, se armët me të cilat kanë kërcënuar arkëtaret ishin lodra.
Policia
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë ka nisur hetimet e para. Nga të dhënat është mësuar se në këtë ngjarje janë përfshirë dy persona. Sipas burimeve, nga filiali i OSSH, ku paguhen faturat e dritave, janë marrë 300 mijë lekë. Policia ka marrë në pyetje punonjëset që kanë qenë aty dhe ka zbardhur rrjedhën e ngjarjes. Sipas tyre, një i ri ka hyrë në ambientet e brendshme, ndërkohë që i dyti ndodhej jashtë në një motor, që më pas janë larguar. Ata kanë kërcënuar arkëtaret me një armë lodër dhe pasi kanë marrë shumën e 300 mijë lekëve, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Burimet nga policia e Tiranës kanë bërë të ditur se rreth orës 14:30 janë njoftuar se një pikë OSSH-je, në të cilën bëhej pagesa e faturave, është grabitur nga persona të armatosur. Policia është vënë në dijeni se grabitja ka ndodhur në rrugën “Bardhyl”, sapo kalon “Bërrylin”, përballë një lokali të njohur, 200 metra larg nga Komisariati Nr. 1. Të parët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet, kanë qenë efektivët e Komisariatit Nr. 1. Këta të fundit kanë bërë bllokimin e zonës dhe kanë marrë dëshmitë e dy arkëtareve të grabitura.
Hetimet
Sipas dëshmisë së dy arkëtareve, mësohet se brenda kishte hyrë një person me pistoletë, ndërkohë që i dyti ishte jashtë. Më tej, ato i kanë shpjeguar policisë se nuk mbanin maska, duke u dhënë edhe përshkrimin e tyre. Shërbimet e policisë, të cilat janë forcuar edhe nga ato të Komisariatit Nr. 4, si dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës, kanë rrethuar gjithë zonën, duke shoqëruar disa të dyshuar. Nga të dhënat e grupit hetimor mësohet se të rinjtë kishin pritur momentin që në filialin e postës, që përdorej nga OSSH-ja, nuk kishte persona të jashtëm, që paguanin faturat e energjisë elektrike. Në ato momente kanë ndërhyrë, duke kryer grabitjen. Më pas, dyshohet se ata janë larguar me një motor, ndërsa një tjetër në këmbë. Madje, policia ka dyshime të forta se grabitja është realizuar me një pistoletë lodër. Nga ana tjetër, policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje dy arkëtaret që u grabitën. Ato kanë treguar për oficerin e Policisë Gjyqësore përshkrimin e tyre, me aq sa mbanin mend, ndërkohë që më vonë kanë kryer edhe përllogaritjet për dëmin e shkaktuar. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, të rinjtë kanë marrë rreth 300 mijë lekë, aktualisht gjithë paratë e mbledhura gjatë ditës së djeshme.
Arka
Arka në të cilët janë grabitur paratë nuk ka asnjë element sigurie, madje në të nuk ndodhej asnjë kasafortë, ku mund të qëndronin paratë e mbledhura nga pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe për grabitësit nuk ka qenë e vështirë ta grabisin arkën. Rasti i rëndë është analizuar pasditen e djeshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku është deklaruar se kjo ngjarje do të zbardhet shumë shpejt.
Të pandehurit u dënuan me 200 vite burg
“Kanun”, rinis në Itali procesi ndaj të akuzuarve si trafikantë femrash e droge
XHENOVA - është rihapur procesi ndaj personave të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Kanun”. Gjykata italiane hapi dje seancën e parë të gjykimit për organizatën kriminale të njohur me emrin “Kanun”, një simbol ky i ardhur prej letrave që organizonin funksionimin e fiseve në veri të Shqipërisë dekada më parë. Shumica e anëtarëve të organizatës kriminale janë nga Shqipëria. Pak kohë më parë në Durrës, policia shqiptare njohu dosjen italiane të koduar me emrin “Kanun” dhe arrestoi gjashtë persona, dënimet e të cilëve u rrëzuan më pas në Gjykatën e Lartë në Tiranë. Në Itali, seanca është hapur mëngjesin e sotëm me objekt rigjykimin e dosjes, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Kasacionit në Itali, e cila anuloi procesin e mëparshëm. Operacioni përmban një dosje penale voluminoze, e cila akuzon 53 persona se ishin organizuar në një bandë kriminale, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit, trafikun e armëve dhe drogës dhe vjedhjet me anë të nënshkrimit me dhunë. Në prill 2007, gjykata kishte dhënë në total 206 vite burg për të akuzuarit, dënimi më i madh ishte dhënë për kapon e organizatës, të dyshuarin Haki Aleksi (30 vjet burg). Dënimet tjera shkonin deri në 11 vjet heqje lirie. Provat kryesore ishin denoncime dhe dëshmi të vajzave që ishin shfrytëzuar nën kërcënimin e dhunës për prostitucion. Autoritetet italiane me ndihmën e Interpolit kanë arrestuar gjithsej 164 persona të lidhur me çështjen. Në ankesën e firmosur nga prokurorët Francesco Nanni dhe Silvio Franc e ndihmësprokurori i Përgjithshëm Pio Maçhiavello kishte pandehur dënime të rrepta deri në 500 vjet në burg. Për 33 prej anëtarëve të grupit prokurorët aluduan për lidhje me mafien.
24 vjet burg për shqiptarët e “Ndragetës”
KATANZARO - Ka përfunduar gjykimi për të arrestuarit në kuadër të operacionit “Shkodër”, i cili solli më pas shkatërrimin e një organizate të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Sipas hetuesve, trafiku drejtohej nga të dyshuar si eksponentë të “Ndragetës” kosentinase . Gjykata e Katanzaros ka dënuar dje me burg 12 persona, mes tyre edhe shqiptarë, italianë dhe moldavë. Mes shqiptarëve të dënuar janë Alberto Mesiti, 29 vjeç e Elvis Metvelaj, 25 vjeç, me nga 8 vjet e 4 muaj burg dhe Rodon Rexhepi, 28 vjeç, i dënuar me 8 vjet burg, shkruajnë mediat italiane. Hetimet e drejtuar nga Guardia di Financa për operacionin “Shkodër” nisën në vitin 2005 dhe përfunduan në tetor të vitit 2008. Gjatë operacioneve të policisë u sekuestruan gati 500 kg kokainë, heroinë dhe marihuanë. Sipas mediave italiane, në këtë trafik merrnin pjesë elemente të kriminalitetit shqiptar, rumunë, si dhe kalabrezë, të cilët kontrollin fluksin e lëndëve narkotike. Ata siguronin që asnjë ngarkesë droge e ardhur nga lindja të mos hynte në tregun kalabrez pa kaluar më parë në Altomonte, në qytezën vogël ku banda kishte krijuar një qendër të vërtetë të mbledhjes dhe përpunimit të drogës që vinte nga Shqipëria.
Grabitjet, gjobë dhe burg tre shqiptarëve
MELDOLA - Gjykata italiane në Meldola shpalli dënimin për tre emigrantë shqiptarë të akuzuar për grabitje vilash dhe pengmarrje në vitin 2000. Togat e zeza kanë dënuar përkatësisht me nga 9 vjet e gjashtë muaj burg, si dhe me nga një gjobë prej 1200 eurosh tre shqiptarët Sinan Gjika, 45 vjeç, Fation Vokrri, 30 vjeç dhe Jedan Bardhaj, 33 vjeç. Gjykata deklaroi se dy shqiptarë të tjerë të implikuar në grabitjen e dhunshme të vitit 2002 në vilën Foschi, ishin arrestuar dhe dënuar më parë. Mikel Fusha ishte dënuar me dhjetë vjet burg, ndërsa Xhevahir Ndoka me pesë vjet burg. Pesë shqiptarët janë akuzuar se më 17 prill 2000 kanë hyrë në vilën Foschi me dhunë dhe kanë kërkuar 30 milionë lireta italiane nga pronari i banesës, duke i mbajtur peng gruan dhe dy fëmijët e tij.