E Shtunë, 31 Tetor 2026

E rrallë, PD-ja u kërkon votën mirditorëve duke bërë benë në ungjill

Demokratët përdorin Biblën për të garantuar votat më 28 qershor. Shtabet elektorale në zonat e Mirditës u rikthehen riteve tradicionale

Bibla nuk është vetëm rruga për të hyrë në besim, por edhe për të garantuar vota. Kjo çudi e rrallë ka ndodhur në krahinën e Mirditës, e cila, në ndryshim nga krahinat e tjera të vendit, e nis fushatën elektorale pikërisht atëherë kur të tjerët e mbyllin. Pas orës 20:00 të mbrëmjes, grupe të shumta brenda Shtabit të PD-së në rrethin e Mirditës shkojnë nëpër familje dhe u kërkojnë votën njerëzve, duke iu vënë tekstin e shenjtë përpara. Burime për gazetën pohojnë se gara mes dy forcave politike është shumë e tensionuar dhe shtabet elektorale po përdorin forma nga më të ndryshmet për të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit. Por, burime jozyrtare pohojnë për gazetën se në një restorant në qytetin e Rrëshenit, por edhe në zona të tjera, janë rikthyer ritet e vjetra të “dhënies së besës” për votën që do të japin pas disa ditësh. Ndërkaq, në këtë zonë, një tjetër mjet që po përdoret për të fituar votat e administratës publike është edhe ai i fotografimit. Ashtu, siç e denoncoi disa ditë më parë opozita këtë fakt, edhe në rrethin e Mirditës, punonjësit e administratës janë paralajmëruar se do të pushohen nga puna nëse nuk sjellin fotografinë e votës së tyre për Partinë Demokratike.
Beja për votën
Sapo të fillojë nata, atëherë kur shtabet elektorale të Partisë Socialiste mbyllin punën e përditshme, pikërisht në këtë moment fillojnë punën aktivistët e PD-së. Burime për gazetën pohojnë se është gjetur një mënyrë disi e pazakonshme për të bërë fushatë. Drejtuesit e shtabeve po u kërkojnë zgjedhësve të kësaj zone që të bëjnë “benë” për votën që do t’i japin PD-së. Gazeta posedon një regjistrim ku një person nga fshatrat e Mirditës thotë se i është kërkuar që të bëjë be në Bibël për votën që do të japë. Sipas të dhënave, ky është një fenomen i përhapur jo vetëm në Rrëshen, por edhe në zona të tjera. Burimet pohojnë për gazetën se pas orës 8 të mbrëmjes, në lokalin me emrin “Pri…” në qytetin e Rrëshenit, njerëzit shkojnë njëri pas tjetrit dhe bëjnë “be” në traditën mirditorçe, mbi ungjill, se do të votojnë për Partinë Demokratike në këto zgjedhje. I njëjti ritual mësohet se bëhet edhe në zona të tjera si Fan, Perlat, apo në fshatra të tjera. Një kërkesë e tillë bëhet që vota të jepet në emër të familjes apo fisit; një praktikë e përdorur rëndom gjatë këtyre 18 viteve të tranzicionit. Burimet pohojnë se ekzistojnë presione të mëdha nga qendra në drejtim të krerëve lokalë të PD-së për të pasur pozitive në këto zgjedhje.
Praktika të tjera
Përveç praktikës së “besë”, burime për gazetën pohojnë se në këtë zonë ka nisur prej kohësh edhe kërcënimi i hapur për punonjësit e administratës publike në rrethin e Mirditës për të fotografuar votën. Ashtu siç është paralajmëruar dhe denoncuar edhe më parë nga opozita, të gjithë punonjësit e bashkisë, komunave apo edhe nënprefekturës, duhet të fotografojnë votën dhe ta paraqesin në këmbim të ruajtjes së vendit të punës. Po ashtu, një tjetër mjet që po përdoret për të mbajtur të gjallë elektoratin e partisë në pushtet është edhe rekrutimi me pagesë i militantëve që marrin pjesë nëpër mitingje të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Burime pohojnë se këto ditë po synohet përfundimi në një kohë rekord i disa projekteve si shtrimi i rrugëve lokale në disa fshatra dhe qytete në qarkun e Lezhës.
Dy net më parë shtroheshin rrugët me asfalt në bashkinë e vogël të Rubikut teksa binte shi, duke shkelur çdo lloj standardi.

GARA NË QARKUN E LEZHËS

Kandidatët e PD-së

Edi Paloka
Mark Marku
Paulina Hoti
Rajmond Hoxha
Gjovalin Prenga
Gjok Vuksani
Zef Gjoka
Margarita Trashaj

Kandidatët e PS-së

Gjok Jaku
Gjovalin Kadeli
Armando Prenga
Ndrecë Deda
Dava Gjoka
Manushaqe Kuli
Fran Marku

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›