Qeveria dhe shteti në dispozicion të fushatës
Qëkur ka filluar fushata elektorale, por edhe më parë, duke filluar nga nivelet më të larta të strukturave shtetërore dhe deri në bazë, po përdorin mjetet dhe burimet financiare të shtetit për të përfituar sa më shumë vota. Qeveria ka zbrazur arkën për ish-pronarët, ish-të përndjekurit, mjekët, infermierët, pensionistët, e kështu me radhë; ka dhënë koncesione dhe ka bërë privatizime pa fund në këto gjashtë muaj; ka legalizuar banesa në zonat informale; ka dhënë tapi nëpër zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ka zhbërë tapi dhe ka ngritur komisione të verifikimit të titujve të pronësisë, të cilat janë vënë edhe në funksion të garës për 28 qershor; ka dhënë licenca dhe leje për aktivitete të ndryshme; ka dhënë shpërblime dhe paga. Ndër gjërat më të rëndomta të kësaj periudhe janë vënia në dispozicion të shtabeve elektorale të makinave shtetërore të deputetëve, ministrave, drejtorëve të administratës dhe deri te nëpunësi më i thjeshtë. Një fakt i tillë është konstatuar edhe nga misioni i vëzhguesve afatgjatë në Shqipëri, i cili thotë se po përdoren mjetet dhe administrata në funksion të zgjedhjeve. Edhe opozita ka denoncuar shpërdorimin e mjeteve në pronësi të shtetit dhe administratës publike në fushatën zgjedhore.
RASTET E DENONCUARA
Lëmoshë në këmbim të votës
Në një kohë kur kriza ekonomike ka prekur vendet më të zhvilluara të Europës e aq më tepër qytetarët shqiptarë, paraja bën shumë punë për të fituar zgjedhjet. Kandidatët, biznesmenët e lidhur me ta e cilido i përfshirë në fushatë tashmë ka hapur “thesin” e parave. Strategjia e “blerjes” së votës tani ka përfshirë edhe skema të tilla si shlyerja e listës së borxheve në këmbim të votës. Pagesa për ta në këmbim të votës në zgjedhjet e 28 qershorit varion sa një pension mujor fshati e shkon deri në një pension mujor qyteti. Burimet bëjnë të ditur se vota në fshat blihet me 50-100 mijë lekë të vjetër për ato familje që nuk kanë të ardhura financiare dhe jetojnë me ndihmë ekonomike apo vetëm me pensione. Por ka nga ata kandidatë që e kanë orientuar stafin e bashkëpunëtorëve drejt dyqaneve ushqimore dhe kanë shlyer borxhet e banorëve të zonës që kanë blerë me listë prej kohësh.
Notë kaluese në këmbim të votës
Fushata elektorale ka shënuar dhe një tjetër premtim të paprecedentë, atë të kalimit në provime të nxënësve mbetës nëse ata ose prindërit e tyre votojnë numrin 10 në fletën e votimit. Ky fakt është bërë i ditur nga vetë nxënësit që kanë marrë këtë premtim nga anëtarë të Shtabit Elektoral të PD-së në Rrugën e Kavajës. Nxënësit e gjimnazit “Arben Broci” në Tiranë tashmë kanë gjetur një “mik” të fuqishëm për të ndërhyrë te drejtori i shkollës dhe për të marrë vitin shkollor. Një premtim i tillë, i bërë nga njerëz të afërt me kandidatin për deputet, shënon një rast të paprecedentë që rrënon të gjithë sistemin arsimor në Shqipëri. Lufta për pushtet dhe fushata elektorale jo vetëm që ka ndikuar negativisht gjatë këtyre dy javëve për shkak të mbylljes së shkollave me urdhër nga lart për të mbushur sheshet i mitingjeve, por po ndikon dhe në nxitjen e korrupsionit në arsim.
23 Qershor 2009