E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekserët, në polici tetë pedagogë të Infermierisë

Tetë pedagogë të Fakultetit të Infermierisë në Tiranë, janë shoqëruar në polici dy ditë më parë, pas arrestimit të dy personave të akuzuar për marrje ryshfeti nga studentët e kësaj dege.Dy ditë më parë, Policia e Tiranës zbatoi vendimin e gjykatës për arrestimin e shtetasve Bujar Luga, punonjësi i administratës së Fakultetit të Infermierisë, dhe Kreshnik Cami, kamerier i lokalit pranë këtij Fakulteti në Tiranë. Pas hetimeve të zhvilluara për më tepër se tre muaj, prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, kërkoi në gjykatë caktimin e masës së sigurisë ndaj dy personave të akuzuar për pesë raste të marrjes së ryshfetit në emër të pedagogëve të Fakultetit të Infermierisë. Tetë pedagogët e thirrur në polici, pas arrestimit të dy sekserëve, kanë mohuar të kenë marrë para prej tyre, madje janë ballafaquar me të arrestuarit duke hedhur poshtë kështu çdo pretendim bashkëpunimi. Çështja është hetuar nga njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e cila pasi ka arrestuar dy të dyshuarit, shtetasit Bujar Luga dhe Kreshnik Cami, ka shoqëruar në polici edhe tetë pedagogë të Fakultetit të Infermierisë. Shoqërimi në polici i pedagogëve të lëndëve të përfolura është bërë pasi punonjësi i Fakultetit dhe kamerieri i lokali aty pranë, u kishin premtuar studentëve se do të kalonin provimet me pedagogët në fjalë, kundrejt shumave të ryshfetit. Hetimi për këtë çështje filloi në fund të janarit 2011, kur policia dhe Prokuroria u vunë në dijeni të abuzimit të dy personave. Në kulmin e sezonit të provimeve, kamerieri i lokalit pranë Fakultetit, pasi ka parë studentët e Infermierisë të stresuar nga ngarkesa e madhe me provimet, u ka thënë disa prej tyre se nuk duhej ta vrisnin mendjen, pasi ka mënyra tjera për ti marrë provimet. Në vazhdim të veprimeve të paligjshme të tij, kamerieri Kreshnik Cami, sipas Prokurorisë, ka hyrë në tratativa me studentët duke u thënë se pedagogët kërkonin sipas rastit 50 euro ose 5 mijë lekë të reja për të kaluar në provime. Kamerieri i lokalit pranë Fakultetit i ka informuar studentët se puna e kishte bërë që të kishte njohje dhe besim me disa prej pedagogëve të Infermierisë. Për këtë ai ka përmendur më pas edhe shtetasin Bujar Luga, punonjësit i Fakultetit të Infermierisë. Kamerieri në fjalë mësohet se e ka përdorur emrin e punonjësit të Fakultetit për të rritur besimin e studentëve tek kjo skemë. Dhe mesa duket, ka pasur efekt pasi rezulton nga hetimi se në pesë raste, kamerieri i lokalit pranë Fakultetit të Infermierisë ka marrë për dy provime nga 50 euro secila dhe për tri provime të tjera nga 5 mijë lekë të reja secila. Për këtë, ai ka përmendur pedagogët dhe lëndët përkatëse. Pas ballafaqimit në polici, ka dalë se pedagogët nuk kanë marrë asnjë shumë nga dy të arrestuarit që kanë përvetësuar për vete shumat e parave. Hetimi ka nisur pikërisht nga denoncimi i studentëve ngelës në provime.

Të arrestuarit

Kreshnik Cami, kamerier i lokalit pranë Fakultetit të Infermierisë, dhe Bujar Luga, punonjës i Fakultetit në fjalë, janë të arrestuarit për pesë rastet e marrjes së ryshfetit. Dosja penale për këtë rast është hetuar nga prokurori i Task-Forcës, Sotir Kllapi, i cili në mënyrë të gabuar e në rrethana të gabuara është përmendur në artikullin e djeshëm të gazetës Panorama, për çka redaksia i kërkon ndjesë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›