Sarandë, borxhi ndaj CEZ-it, qyteti vetëm 1 orë ujë në ditë
SARANDE – Borxhi që ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime sh.a. i ka CEC, për një periudhë kohore prej një viti, ka sjellë probleme që prej dy ditësh në furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve edhe në Sarandë. Nga 5 herë në ditë, tani që ka filluar dhe sezoni turistik, qyteti furnizohet vetëm 1 orë në ditë. I pyetur nga gazeta për këtë problem shqetësues që prej ditës së premte në Sarandë, drejtori Qesko Çakalli tha: Jam njoftuar të premten në mbrëmje se nuk do të kishte energji elektrike tek pompat e shpërndarjes së ujit të pijshëm nëpër lagjet e qytetit. Munda ta shtyja deri të shtunën paradite, por më tej nuk kam mundësi. Dhe për këtë më janë krijuar probleme shqetësuese në furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm. Shkak për këtë është bërë një urdhër i ardhur nga CEZ, për ndërprerjen e energjisë elektrike tek pompat e shpërndarjes, si rrjedhojë e një borxhi që kjo ndërmarrje i detyrohet CEZ. Borxhi i krijuar është për një periudhë prej 1 viti, tha më tej drejtori Çakalli, dhe se kap shifrën e 21 milionë lekëve të rinj. Sipas Qeskos, ndërmarrja që ai drejton nuk ka mundësi financiare të paguajë faturat e energjisë elektrike të harxhuara nga pompat e shpërndarjes së ujit, ndërsa, sipas tij, këtë borxh të krijuar vetëm vitin që shkoi, e ka për detyrë që ta paguajë qeveria. Problematika e ujit të pijshëm në Sarandë vjen në momentin kur sapo ka nisur sezoni i ri turistik. Mjaft biznese janë bllokuar në punën e tyre, ndërsa pronarët e lokaleve bëjnë apel për zgjidhje të situatës, pasi sipas tyre, në ditët në vijim do të jetë edhe kulmi i ardhjes së turistëve në qytet. sh.d