E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau Bruno Logun në Oblikë, arrestohet në Forli Astrit Barcaku

Itali, u deklarua shtetas bullgar, zbulohet se ishte shqiptar. Pranon se ka vrarë 19-vjeçarin. Italia, në pritje të kërkesës për ekstradim nga Shqipëria

* * * *

Karabinierët në Forli kanë vënë në pranga 19-vjeçarin Astrit Barcaku, klandestin prej shtatorit të vitit të kaluar në Itali, i akuzuar në Shqipëri për vrasjen e Bruno Logut. Ka qenë vetë i riu që ka rrëfyer vrasjen para autoriteteve policore, të cilëve fillimisht u ka deklaruar se është shtetas bullgar dhe pa dokumente dhe për të rrëfyer më pas se është shqiptar dhe se në shtetin e tij kërkohet për vrasjen me thikë të një personi. Ngjarja për të cilën akuzohet Barcaku ka ndodhur më 15 korrik të vitit të kaluar në Shkodër. I nisur për 2 fjalë goje, askush nuk e ka menduar se do të përfundonte me vrasjen e Bruno Logut. Policia ka mundur që në kohë të shkurtër të zbardhë emrin e të dyshuarit për krimin ndaj të riut, duke shpallur në kërkim atë. Astrit Barcaku, 19 vjeç, banor i fshatit Oblikë, akuzohet se ka kryer krimin, të cilin e ka pranuar edhe vetë përpara policisë italiane. Madje, ka rrëfyer para tyre edhe arsyen pse e ka bërë. Sipas tij, viktima Logu ka tentuar ta qëllojë me thikë dhe në përleshje e sipër Barcaku i ka rrëmbyer thikën dhe e ka qëlluar dy herë. Dyshohet që ngjarja, sipas edhe rrëfimeve të të riut para policisë italiane, të ketë ndodhur për një femër. Krimi i rëndë ka ndodhur pak pas ndeshjes Vllaznia-Napoli. Logu, emigrant në Itali, u qëllua dy herë më thikë, vetëm pak metra larg banesës së tij, në fshatin Oblikë të Shkodrës. Bruno Logu ishte djali i vetëm i familjes Logu në Oblikë. Ata kishin disa vite që jetonin në Itali. Prej një jave ishin kthyer në Shqipëri për pushime, ndërsa pas dy ditësh do të largoheshin sërish në shtetin fqinj. Banorët e fshatit pohuan se 19-vjeçari nuk ishte problematik dhe nuk kishte pasur asnjëherë më parë konflikte me bashkëmoshatarët e tij.

Arrestimi

Astrit Barcaku, 19 vjeç, është arrestuar dje nga policia e Forlit në parkun “San Mauro Pascoli”. Prej shtatorit të vitit të kaluar ai ndodhej në Itali pa dokumentacion, si klandestin, ndërkohë që kishte mbërritur në shtetin fqinj, sipas deklarimeve të tij, nga Greqia ku u arratis pas vrasjes së Bruno Logut. Policia italiane ka deklaruar se Barcaku fillimisht është deklaruar shtetas bullgar, por pas marrjes në pyetje, rezultoi se ishte shqiptar. Pak pas ndalimit, 19-vjeçari ka deklaruar se në vendin e tij të origjinës, në Shqipëri, kërkohej për vrasjen e një bashkëfshatari të tij. Ai e ka qëlluar dy herë me thikë në zemër. Sipas Barcakut, përplasja me viktimën Logu ka ardhur për shkak të një femre. Po sipas Barcakut, Logu ka tentuar ta qëllojë me parë me thikë dhe ky në përleshje e sipër ia ka marrë atij dhe e ka qëlluar dy herë në zemër. Sipas deklarimeve të tij para policisë, ai e kishte mësuar vdekjen e të riut vetëm disa ditë më pas, në vendin ku ishte fshehur para se të shkonte klandestin në Greqi dhe më pas në Itali. Policia e Forlit ka kryer disa verifikime nga ku ka rezultuar se në të vërtetë i riu kërkohej për një vrasje në vendin e tij. Astrit Barcaku, sipas të dhënave të grumbulluara nga policia italiane, rezulton të jetë në kërkim për vrasjen e një të riu në verën e vitit 2008, konkretisht, shtetasit Bruno Logu, në Shqipëri. Policia italiane e ka arrestuar atë për deklarim të rremë dhe dokumente false. Për këtë arsye, i riu është në burgun e Forlit, ndërkohë që Shqipëria duhet të kërkojë ekstradimin dhe të lëshojë kërkesën për ta arrestuar atë për akuzën e vrasjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›