Gjirokastër/ Vidhen 7 ikona të shekujve 18 dhe 20 në kishën e Jorgucatit
Vidhen 7 ikona të rëndësishme në kishën e fshatit Jorgucat, policia identifikon autorët e dyshuar dhe vihet në ndjekje të tyre. Mëngjesin e djeshëm, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se në fshatin Jorgucat të rrethit Gjirokastër është vjedhur kisha e këtij fshati. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe forca të tjera policie, ku ka rezultuar se gjatë natës është vjedhur me thyerje kisha e Shën Gjergjit në qendër të fshatit Jorgucat, ku janë vjedhur 7 ikona, nga të cilat 2 i përkasin shekullit të 18-të dhe 5 ikona i përkasin shekullit 20. Sipas policisë së Gjirokastrës, vjedhja është kryer me thyerje, duke thyer çelësin e derës së jashtme. Sipas burimeve, përveç ikonave nuk është vjedhur asgjë tjetër. Konstatimi i vjedhjes është bërë nga kujdestari i kishës, rreth orës 08:30 të ditës së djeshme, i cili kur ka shkuar për në kishë ka parë derën e jashtme të hapur dhe çelësin të thyer dhe menjëherë ka lajmëruar policinë. Ndërkohë, përgjegjësi i kishës së Shën Gjergjit, Kosta Franko, është shprehur se shtatë ikonat e grabitura ishin transferuar në këtë kishë pas vitit 1990 nga manastiri i Ilijas që ndodhet në pjesën sipërme të fshatit Jorgucat dhe kjo u bë për arsye sigurie. Kisha e Shën Gjergjit është ndërtuar në vitin 1932. Ky është rasti i parë gjatë këtij viti, që ikonat bien pre e grabitësve në qarkun e Gjirokastrës. Për këtë ngjarje janë angazhuar një numër i madh i forcave të policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të gjithë specialistët e Seksionit të Krimeve Kundër Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Policia ka grumbulluar informacion në rrugë operative dhe disponon të dhëna për persona konkretë që për arsye hetimi nuk mund të bëhen të ditur dhe po punohet për kapjen e tyre. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.