E Diel, 1 Nëntor 2026

E sëmura mendore terror në lagje, i vë zjarrin banesës

BULQIZË -Një grua 52-vjeçare është kthyer në tmerrin e banorëve të lagjes "Minatori", në qytetin e Bulqizës.
Dije Lezaj, nënë e një djali 20-vjeçar, prej vitesh vuan nga depresioni, por mungesa e trajtimit nga mjekë specialistë apo mjekimit me ilaçe, ka bërë që të kthehet në makth për gjithë fqinjët, por jo vetëm. Sipas dëshmive të banorëve, për shkak të këtij depresioni, Dije Lezaj, aktualisht 52 vjeçe, para tre vitesh ka vrarë bashkëshortin e saj 73-vjeçar. Gruaja e ka vrarë me sqepar burrin e saj dhe ky krim, konfirmohet edhe nga djali i 52-vjeçares. Ndërkohë, banorët thonë se 52-vjeçarja ka tentuar disa herë t'i vërë flakën vetes.
Akti më i fundit i çmendurisë ka ndodhur të enjten, kur e sëmura i ka vënë flakën banesës së saj, duke rrezikuar edhe shtëpitë e fqinjëve. Për këtë arsye, ata u kanë kërkuar organeve kompetente largimin e saj nga lagjja, pasi përbën rrezik për shoqërinë e sidomos për fëmijët. Ndërkohë, Dije Lezaj është shtruar në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës.
NGJARJA
Të enjten rreth orës 11:30, Dije Lezaj, në kushtet e depresionit të rëndë, i ka vënë flakën shtëpisë njëkatëshe ku banonte sëbashku me djalin e saj 20-vjeçar. Distanca e afërt ka bërë që të rrezikohen edhe shtëpitë e fqinjëve, të cilët të alarmuar janë munduar të shuajnë zjarrin dhe kanë njoftuar forcat zjarrfikëse. Falë punës së tyre, është bërë i mundur izolimi i flakëve e më pas shuarja totale, duke shmangur djegien e banesave të tjera aty rrotull. Njëherazi është bërë i mundur edhe dërgimi i 52-vjeçares për në Spitalin e Bulqizës dhe pas një trajtimi paraprak nga ana e bluzave të bardha, është bërë transportimi drejt Spitalit Psikiatrik të Shkodrës.
BANORËT
Prej 3 vitesh banorët e lagjes "Minatori", kanë kërkuar që 52-vjeçarja Dije Lezaj të largohet nga lagjja, pasi rrezikon jetën e të gjithëve. Ata thonë se ajo shpesh godiste fëmijët me gurë dhe sende të forta. Për këtë arsye, gjithë banorët janë çuar në një protestë, ku kanë kërkuar dërgimin e saj në spital, pasi sipas tyre, çdo ditë e saj në lagje, përbën rrezik për ta. Vdekja e bashkëshortit të 52-vjeçares, Ethem Lezaj, është konsideruar aksidentale nga policia. Por fqinjët e familjes Lezaj, thonë se ka qenë vetë gruaja ajo që e ka qëlluar me sqepar në kokë. Për dërgimin e saj në Spitalin Psikiatrik, ka rënë dakord edhe djali 20-vjeçar, i cili pohon se ka qenë pikërisht nëna ajo që ka vrarë babain e tij. Pavarësisht se Dije Lezaj, vuante prej një kohe të gjatë nga depresioni, ajo nuk ka marrë asnjëherë mjekim dhe nuk është trajtuar nga mjekë specialistë.
Ndërkohë banorët ngulmojnë që 52-vjeçarja e sëmurë të mos kthehet më në gjendje të tillë, në qytetin e Bulqizës, pasi ajo paraqet një rrezik të madh si për fëmijët ashtu edhe për djegien e banesave.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›