E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisionerët e Arsimit: Titulli s’e nderon Kulen

TIRANE-Dhënia e titullit të nderit "Doctor Honoris Causa", rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule nga Universiteti i Vlorës, është konsideruar qesharake nga deputeti i Partisë Socialiste Alfred Dalipi, i cili është edhe anëtar në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Po ashtu edhe nga një anëtar tjetër i këtij komisioni parlamentar, Fatmir Toçi, dhënia e këtij titulli nuk është e arsyeshme. Sipas Toçit tituj të tillë jepen kur nuk ka marrëdhënie institucionale. Veç të tjerash, Alfred Dalipi gjatë një interviste për "Gazeta Shqiptare" ka deklaruar se këtë dhënie titulli jo vetëm e shikon me dyshime, por e konsideron edhe si një shembull të keq, pasi mund të bëjë që dekorime të tilla të kthehen në modë në botën akademike dhe në universitetet e vendit. Të cilat vetëm zhvlerësojnë vlerën që mbart një titull i tillë honorifik. "Dhënia e dekoratave njëri-tjetrit është një komendi, e cila zhvlerëson edhe vetë këta tituj nderi",-ka deklaruar Dalipi.
TITULLI
Vendimi i senatit të Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali" në datë 26 shtator të këtij viti ka ngjallur reagime jo vetëm brenda stafit akademik të Universitetit të Tiranës, por edhe nga deputet, të cilët janë anëtarë të Komisionit Parlamentar të Edukimit, përkatësisht Alfred Dalipi dhe Fatmir Toçi. Sipas të cilëve ky titull nuk e nderon Dhori Kulen, pasi i jepet nga kolegët e vet, pavarësisht kontributeve që ai mund të ketë dhënë për Universitetin e Vlorës. "Shpresoj që të mos filloj një modë e re që të gjithë këta që drejtojnë universitete të dekorojnë njëri-tjetrin. Dhënia e titujve të nderit duhet të vazhdojë traditën dhe të ruajë institucionalizmin, ku tu jepet figurave që kanë dhënë kontribute, por të jenë jashtë universiteteve. Pasi dhënia e një titulli nderi për një person që momentalisht është në detyrë më duket abuzive. Gjithsesi jam i habitur përse Dhori Kule dekorohet në Vlorë?! Besoj se kjo është e përgjegjësi e dyanshme e atyre që e kanë dhënë dhe e atij që e ka pranuar. Është qesharake që struktura të të njëjtit nivel arsimor japin dekorata e tituj nderi. Kjo dekoratë Dhori Kulen nuk e nderon pasi po e merr nga kolegët e vet dhe besoj se nuk është vlerësim real pavarësisht kontributit që ai ka dhënë. Por ajo që uroj më tepër është që ky titull të mos ketë qenë një kërkesë e Kules",-ka deklaruar Alfred Dalipi, anëtar i Partisë Socialiste në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

Ndërsa Fatmir Toçi ka deklaruar se: "Fillimisht doja të thoja që unë i njoh të dy, qoftë Dhori Kulen, qoftë Albert Qarrin që është kryetar i Senatit të Universitetit të Vlorës. Sinqerisht kam respekt për të dy dhe nuk kam asgjë në kundërshtim me ta. Megjithatë në rastin e propozimit për dhënien e titullit "Honoris Causa" Dhori Kules do të preferoja që ai të mos ishte bërë sepse ka diçka që nuk shkon dhe që bie në sy. Do të doja që marrëdhënia shef vartës të ishte më e menduar. Dhori Kule aktualisht është në detyrë. Zakonisht propozime të tilla bëhen kur nuk kemi marrëdhënie institucionale, ose kur personi të ketë dalë në pension. Personalisht nuk më duket diçka e menduar mirë".

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›