E Hënë, 2 Nëntor 2026

E shtronte në dru burri i dehur hidhet nga ballkoni i katit të dytë

15/06/2005  Gruaja i ka shpëtuar vdekjes, bashkëshorti është arrestuar nga policia

LUSHNJE - Një grindje e ashpër familjare, për pak është mbyllur me tragjedi. Një grua, nënë e dy fëmijëve të mitur, pasi është rrahur barbarisht nga bashkëshorti, është hedhur nga ballkoni. Pas tentativës për vetëvrasje të shtetases Anila Manaj, është arrestuar bashkëshorti i saj.

Ngjarja

Ngjarja është shënuar në qytetin e Lushnjës, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 21.00, në lagjen “Loni Dhamo”. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se 36-vjeçari Alfred Manaj është arrestuar nga policia, pasi ky i fundit ka keqtrajtuar gruan, duke e rrahur barbarisht, aq sa e ka detyruar këtë të fundit që nga frika të hidhej nga ballkoni i katit të dytë të pallatit ku banonte.

Menjëherë fqinjët e gruas 30-vjeçare kanë lajmëruar policinë e Lushnjës dhe kjo e fundit ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të burrit dhunues Alfred Manaj, i cili ka pohuar se ka qenë në gjendje të dehur dhe se e ka kryer aktin dhunues jo në gjendje normale.

Policia ka bërë arrestimin e burrit, që ka dhunuar gruan e tij për motive banale, duke e detyruar këtë të fundit të kryente një akt kundër vetes.

Sipas burimeve nga policia e Lushnjës, gruaja e re është në gjendje të rëndë, për shkak të dhunës së ushtruar dhe frakturës të gjymtyrës së poshtme, por jashtë rrezikut për jetën.

Dëshmitarët

Sipas njërës prej fqinjëve të çiftit, ende të ri në moshë, mësohet se dy bashkëshortët nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin, që prej dy vjetësh kur burri kishte filluar të pinte.

Sipas fqinjes, kryefamijari Manaj pinte, për shkak të mungesës së punës dhe kushteve të këqija ekonomike dhe mosgjetjes së një zgjidhjeje për familjen. Ata jetonin me qira në një nga apartamentet e vjetra të kësaj lagjeje në qytetin e Lushnjës dhe kishin dy fëmijë për të rritur.

Edhe mbrëmjen e së hënës, burri kishte shkuar i dehur në shtëpi dhe e akuzonte gruan e tij që kjo shkonte me persona të tjerë. Ajo lutej e betohej se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë, por burri i dehur thërriste edhe më shumë kundër moralit të saj. Atëherë gruaja nga frika e rrahjes të mëtejshme të burrit të saj ka vendosur të hidhet nga ballkoni i katit të dytë, tregon fqinja.

Nuk është ende e qartë nëse nëna e dy fëmijëve është hedhur për t’i dhënë fund jetës, apo për të shpëtuar prej drurit që po i jepte në ato momente burri.

Menjëherë gruaja është çuar në spitalin civil të Fierit, ku, sipas mjekëve, është në gjendje jo të mirë shëndetësore, por gjithsesi jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa burrin dhunues, policia e Lushnjës e ka arrestuar në flagrancë për dhunim fizik ndaj personit dhe shtyrje drejt aktit të vetëvrasjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›