E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit e Velipojës pastrojnë plazhin

15/06/2005  

Iniciativa e GTZ shndërrohet në traditë

SHKODER - Hapja e sezonit turistik në plazhin e Velipojës, çdo vit shoqërohet me veprimtari ndihmëse dhe sensibilizuese për krijimin e një ambienti sa më të pastër në këtë zonë turistike mjaft të frekuentuar gjatë gjithë periudhës së verës.

Kësaj radhe kanë qenë nxënësit e shkollës së mesme të komunës së Velipojës, të cilët kanë marrë dje iniciativën dhe kanë dhënë kontributin e tyre për krijimin e një ambienti të tillë. Kështu, gjatë gjithë ditës së djeshme, 60 nxënës të kësaj shkolle kanë kryer një aksion dhe kanë realizuar pastrimin e zonave më të frekuentuara të plazhit të Velipojës.

Kryerja e këtij aksioni, që u realizua në sajë të një bashkëpunimi midis GTZ-së (Agjencia gjermane për bashkëpunim teknik), komunës së Velipojës dhe shkollës së mesme të kësaj komune, më tepër se të ndikonte në pastrimin e plazhit, kishte si qëllim rritjen e ndjenjës së gjerë të sensibilizimit të brezit të ri shqiptar, për një sjellje sa më të ndërgjegjshme kundrejt mjedisit rrethues. Përveç kësaj kjo veprimtari synonte rritjen e ndjenjës së kolektivitetit dhe të ndjenjës së të qenit pjesë e një iniciative që duhet ta realizojnë të gjithë së bashku.

Lidhur me këtë aksion pastrimi, drejtori i Programit të Zhvillimit Ekonomik të GTZ-së, Ismail Beka, u shpreh se me anë të kësaj veprimtarie pastruese të ditës së djeshme, vetë përgjegjësia e nxënësve dhe e popullsisë lokale do të vijë gjithnjë në rritje, pasi pastrimi i ambienteve, ku ata jetojnë çdo ditë, do të shpie në ndërgjegjësimin e tyre për një jetë në ambient të pastër për veten e tyre që do të ndikojë dhe favorizojë dhe ardhjen e turistëve.

Për të realizuar pastrimin e plazhit të Velipojës, drejtuesit e kësaj komune kishin vënë në dispozicion të nxënësve qese plastike për futjen e mbeturinave, doreza si dhe kishin garantuar transportin.

Kjo iniciativë e pastrimit të plazhit u mbështet edhe nga “Vodafon Albania”, e cila kishte sponsorizuar me bluza dhe kapele, të cilat iu shpërndanë nxënësve që kishin vajtur për pastrimin e plazhit në fjalë. Edhe në të ardhmen kompania celulare Vodafon do të bashkëpunojë për një program që do të mbështesë sezonin turistik në Velipojë.

Por përveç procesit pastrues të ditës së djeshme, edhe në të ardhmen, nga komuna dhe GTZ-ja, do të zhvillohen aktivitete të vazhdueshme për pastrimin e plazhit të mrekullueshëm të Velipojës, të cilat do të mbështeten edhe nga pronarët e hoteleve, duke mos lënë mënjanë edhe iniciativat e nxënësve të shkollave, të cilat do të ndërmerren gjithnjë e në formë më të rregullt.

Iniciativa e djeshme e kishte bazën që në verën e vitit të kaluar, ku u vunë re forma të ndryshme organizimi për të ndihmuar në pastrimin apo mbajtjen pastër të zonave turistike. Nën këtë frymë, vitin e kaluar, GTZ-ja, në bashkëpunim me komunën e Velipojës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale si dhe asaj të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, inicioi një program për pastrimin e përditshëm të plazhit të Velipojës, të cilin e arriti nëpërmjet punësimit të 30 personave pa punë, që trajtoheshin me anë të skemës së ndihmës ekonomike, duke ndikuar kështu jo vetëm në pastrimin e zonës turistike të Velipojës, por edhe në ekonominë e personave të punësuar gjatë sezonit veror. Me sa duket ky program do të përsëritet çdo vit, pasi edhe këtë vit ka filluar i njëjti projekt, i cili parashikon që këta punëtorë, gjatë periudhës qershor-shtator, do ta pastrojnë çdo ditë plazhin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›