E Diel, 1 Nëntor 2026

“Taçi Oil” monopolizon çmimet e karburanteve, i ul 10%, kur në bursa ka rënë me 300%

Nga Fitim Zekthi

Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë më shumë se 25% më të larta sesa në vendet e rajonit, pavarësisht rënies së çmimeve të naftës në bursa me 300%, që prej shtatorit çmimet në vend kanë rënë në mënyrë të papërfillshme. Gjendja monopol në tregun e karburanteve është bërë shumë më e vrazhdë pas blerjes së kompanisë shtetërore ARMO nga “Taçi Oil”, e cila tashmë ka në dorë të gjitha çmimet e karburanteve. Roli i kësaj kompanie në kontrollin e çmimeve të karburanteve është vendimtar, pasi ajo zotëron pjesën më të madhe të tregut. Dje, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve bëri thirrje që të bojkotohen pikat e karburanteve në të gjithë vendin si një protestë e dëshpëruar përpara mosndërhyrjes së qeverisë ndaj këtyre kontrolleve të turpshme të çmimeve. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve tha se ajo nisur nga vëzhgimet e saj, si dhe nga konsultimet me eksperte të fushës, vëren se situata që paraqitet në treg, me çmimet e naftës dhe nënproduktet e saj, është skandaloze dhe po kontrollohet tërësisht nga kartelet që sot operojnë në këtë treg. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve fajësoi konkretisht organet shtetërore të cilat, sipas saj, në mënyrë të papërgjegjshme vazhdojnë të mungojnë ne përmbushjen e detyrës së tyre thelbësore, atë të rregullatorit dhe të arbitrit në mbrojtje të interesave të konsumatoreve. Ndërkohë që papërgjegjshmëria e institucioneve pasqyrohet dhe në kuadrin ligjor, që shërben në kontrollin në fushën e përpunimit, transportit dhe tregtimit të hidrokarbureve. Kompania shtetërore e djeshme, ARMO, ishte një operator i rëndësishëm në treg dhe ndikonte në çmimet e karburanteve, të paktën këtë fuqi e kishte. Sot ajo është pronë e një operatori tjetër në treg, një operatori të akuzuar nga kryeministri i sotëm për kontrabandë karburantesh në sasi të mëdha, dhe fuqia e saj për të ndikuar çmimet është e paqenë. Që prej momentit që ARMO është blerë nga “Taçi Oil”, çmimet në Shqipëri kanë pasqyruar lakminë më të madhe të shfaqur ndonjëherë. Një ulje prej 300% e çmimit në bursa është përkthyer në vend në ulje me më pak se 10%. Më herët tregu shqiptar i karburanteve ka pas reaguar po në këtë mënyrë dhe nuk i ulte çmimet sipas asaj që ndodhte në tregun e huaj, por në këto përmasa ai asnjëherë nuk e ka bërë. Për shembull, deri në qershor tregu shqiptar i kishte rritur çmimet nga viti 2002 me 125%, ndërkohë që tregu i huaj i kishte rritur ato me 85%. Lakmia e tregut tonë kishte qenë 40 pikë përqindje më e madhe se e tregut të huaj. Sot kjo lakmi është rreth 290 pikë përqindje më e madhe dhe këto shifra vlejnë në kohën kur tregu kontrollohet në pjesën më të madhe nga “Taçi Oil”. Zyra për Mbrojtjen e Qytetareve tha dje se ajo i kërkon qeverisë të marrë masat e duhura ligjore për shmangien e situatës duke ulur akcizën në favor të konsumatoreve. Gjithashtu, ZMQ i kërkon Autoritetit të Konkurrencës të ndëshkojë administrativisht me gjoba të larta të gjitha shoqëritë tregtare që kanë vendosur diktatin e kartelit në treg, si dhe fillimin e hetimeve për këtë situatë të patolerueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›