Dosja AEY (III). Një histori mashtrimi
Vazhdon publikimi i dosjes amerikane të AEY, kompanisë që tentoi të bëjë biznes në Shqipëri duke blerë fishekë kinezë për llogari të Shteteve të Bashkuara, fishekë të cilët do të shkonin për forcat e sigurisë afgane. Dosja hetimore e përgatitur nga Kongresi amerikan jep një sërë shembujsh të kontratave të mëparshme të siguruara nga Efraim Diveroli, të cilat bashkoheshin në një pikë me kontratën e tij shqiptare: ishin të parealizuara dhe kishin brenda mashtrim. Duke kuptuar atë mekanizëm që e lejoi Diverolin të kontraktonte miliona dollarë kontrata, por dhe të ndëshkohej në SHBA, “për performancë të dobët dhe jo të besueshme”, mund të hiqen paralele për atë çka ndodhi me “biznesin” e tij me Tiranën.
“MAPO” boton sot pjesën e tretë të kësaj dosjeje; në dy pjesët e para dosja shënonte veç të tjerash edhe faktin që në të njëjtën kohë që autoritetet më të larta të shtetit në Shqipëri afronin municion falas për forcat afgane të sigurisë, Diveroli blinte dy herë më shtrenjtë se në Çeki e Hungari fishekët shqiptarë të prodhuar në Kinë, dekada më parë. Ndërmjetës i biznesit të tij dhe Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes ishte zvicerani enigmatik, Henry Tomey, i skeduar si trafikant armësh në SHBA dhe i vendosur në listën e mbikëqyrjes së Departamentit amerikan të Shtetit. Veç Diverolit, Tomey, në adresë të të cilit Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një letërporosi, është padyshim një pikë kyçe për hetimin e pjesës shqiptare të këtij skandali. Ndoshta në ndihmë të hetimit do të vijnë dhe të tjera të dhëna të siguruara nga hetimi në SHBA.
V. Vlerësim i papërshtatshëm i retrospektivës vepruese të AEY
Nga të dhënat e paraqitura përpara Komisionit rezulton se vlerësimi që i ka bërë Departamenti i Mbrojtjes veprimtarisë së AEY ka qenë i paplotë. Përpara se AEY të fitonte kontratën prej 300 milionë dollarësh, kompania kishte akumuluar një rekord të gjatë dështimesh dhe veprimtarish të dyshimta nën kontrata të tjera të Departamentit të Mbrojtjes dhe Departamentit të Shtetit. Kjo veprimtari, me sa duket, ishte anashkaluar nga zyrtarët, të cilët përzgjodhën AEY si palë kontraktuese.
A. Veprimtaria e AEY me kontrata të tjera të Departamentit të Shtetit
Dokumentet e siguruara nga Komisioni tregojnë se performanca e AEY me kontrata të tjera të Departamentit të Shtetit ka qenë e dobët. Nën këto kontrata, AEY dërgoi helmeta potencialisht të pasigurta në Irak, dështoi të dërgonte të paktën 10 mijë pistoleta në Irak, dhe iu dërgoi Forcave të Armatosura amerikane municion të një cilësie të dobët. Në total, Departamenti i Mbrojtjes ka ndërprerë të paktën 5 kontrata me AEY si pasojë e performancës së dobët të kësaj kompanie. Për më tepër, Departamenti i Mbrojtjes kish pezulluar edhe 4 porosi dorëzimi nën një kontratë të veçantë.
Në muajin tetor të vitit 2005, AEY i dorëzoi Komandës së Përkohshme Shumëkombëshe për Sigurinë (MNSTC-I) një porosi prej helmetash të dëmtuara. Një inspektor amerikan, i cili ekzaminoi këtë dërgesë, shkruante: “Helmetat erdhën gabimisht në Abu Ghraib. Ato nuk janë shumë të mira. Bojën e kanë të hequr dhe disa prej tyre janë të dëmtuara, a thua se janë përplasur diku. Kur i pashë për herë të parë, i vendosa në kategorinë “refuzuar.”
I njëjti inspektor me vonë i shkruan AEY për helmetat: “Disa njerëz të Komandës së Përkohshme Shumëkombëshe për Sigurinë (MNSTC-I) u shqetësuan kur panë raportin ditor të hyrjeve. Atyre iu kujtuan 10 mijë helmetat që ju i shitët këtë vit disa kohë më parë, dhe kallashnikovët e prishur që vazhdojmë të kemi në magazinë. Shqetësimi ishte se, nëse ato thyhen apo krisen, a vazhdojnë ato të mbeten të vlefshme nga ana balistike? Me fjalë të tjera, a do të ndalojnë ato një plumb dhe si do bëjmë, nëse jo? Skenarë të ndryshëm po përgatiten për ju dhe asnjë prej tyre nuk ju shkon për shtat.”
Një oficer tjetër i MNSTC-I ishte akoma më i drejtpërdrejtë duke shkruar: “Shkurt muhabetit, helmetat janë të dëmtuara dhe ne nuk i duam.”
Gjatë një interviste me stafin e Komisionit, oficeri kontraktues për kontratën e helmetave u shpreh se AEY kishte dështuar të provonte se helmetat ishin të sigurta. AEY kishte sjellë vetëm një dokument të shkruar në gjuhën kineze, i cili nuk i referohej aspak standardeve të duhura të sigurisë. “Madje, nuk dukej as sikur ishte dokumenti respektiv që duhet të shoqëronte porosinë e helmetave.” Oficeri kontraktues u shpreh në Komision se AEY ishte “jo-operacionale” nën këtë kontratë dhe se ai vetë kishte një “problem personal” me zotin Diveroli, duke thënë shprehimisht: “Unë thjesht nuk i zë besë atij djali.”
Nga fundi i vitit 2005, AEY dështoi të siguronte më shumë se 10 mijë pistoleta nën një porosi dërgimi 5.6 milionë dollarë, pjesë e një kontrate më të madhe për Forcat e Sigurisë irakiane. Oficeri kontraktues, përgjegjës për përmbushjen detyrimeve kontraktuale, i bëri thirrje AEY duke shkruar: “Më duhet një zgjidhje e menjëhershme mbi gjithë pistoletat 9 mm që nuk janë dërguar. Kemi një gjendje kritikisht të paktë të këtyre pajisjeve.” Më pas ai arriti në përfundimin se zoti Diveroli ishte shfajësuar me një sërë justifikimesh të paqena për dështimin e kësaj sipërmarrjeje. Këto justifikime përfshinin gënjeshtra si “avioni u përplas duke djegur dokumente të rëndësishme” që “qeveria gjermane kishte ndërhyrë gjatë dërgesës së pistoletave italiane”, dhe që “uragani që kishte prekur Majamin dhe Floridën, ku AEY është vendosur, kishte privuar furnizimin me ujë, duke ia vështirësuar jetën tmerrësisht zotit Diveroli.” Sipas një tjetër oficeri kontraktues: “Ne e dinim që nuk kishte uragan në Majami, a thua se nuk kishim internet në Zonën e Gjelbër.”
Pas disa muaj rresht vonesash, oficeri kontraktues arriti në përfundimin: “Unë nuk mund të merrja asnjë gjë që thoshte zoti Diveroli si të besueshme”, dhe ai e ndërpreu kontratën për këtë arsye. Ai i shpjegoi Komisionit:
“Të gjitha arsyet e tij vazhdonin të shtoheshin. Dikur arriti në pikën ku ishte faji i kashtës në kurriz të deveve. Dhe i thashë, shiko, asnjë masë konsiderate nga ana jote për t´i dorëzuar këto nuk do të fshijë faktin që ti ke qenë i paaftë të dorëzosh. Asnjë porosi dorëzimi nuk ka ardhur nga ty.”
Kontraktuesi gjithashtu ndërpreu porositë e mbetura të dorëzimit të AEY nën kontratë dhe refuzoi të lejonte që AEY të garonte për porosi të tjera dorëzimi nën një kontratë tjetër për punë në Irak. Ai i tha Komisionit se AEY vazhdimisht përdorte taktika “karremi dhe ndryshimi” duke zëvendësuar me mallra jo konform rregullave ato që kërkoheshin nga kontrata. Ai arriti në përfundimin se performanca e AEY ishte “tepër e dobët”. I pyetur nëse AEY ishte kompania më e keqe, me të cilën kishte punuar në Irak, ai u përgjigj: “Po, ata ishin… AEY, po, ata ishin limoni, nga i cili më duhej të nxirrja limonadë.”
AEY performonte dobët edhe në kontrata të shkuara për municione, përfshirë llojet e municioneve që AEY dorëzonte më vonë në Irak. Në prill 2005, Komanda për Aksionet Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (USASOC) ndërpreu pjesërisht një kontratë municionesh me AEY, sepse kompania “dështoi në dorëzim mallrash të pranueshme”, “nuk dha asnjë paralajmërim për një vonesë të justifikueshme”, dhe “dha siguri të pamjaftueshme për performancë më të mirë në të ardhmen.” Disa javë më vonë, USASOC ndërpreu pjesërisht një kontratë të dytë municionesh për shkak: “dështimin në dorëzim mallrash të pranueshme.”
Dokumente të Departamentit të Mbrojtjes tregojnë se AEY dërgonte një lloj municioni që ishte “municion i rimbushur i gjeneratës së dytë, aspak i pranueshëm për standardet ushtarake.” Municioni kishte shenja djegieje, gërryerjeje dhe defekte aq serioze, sa “rritja e presionit të goditjes do të shkaktonte një keqfunksionim të sistemit të armëve.” Në vend të zëvendësonin municionin defektoz, AEY ia vuri fajin inspektores së municionit, duke e quajtur atë “jashtëzakonisht irrituese” dhe duke e akuzuar atë për “hile.”
Përgjatë dy viteve pas kontratës për Afganistanin, AEY pati dhe një sërë problemesh lidhur me performancën e saj :
- Më 1 dhjetor të vitit 2006, dy muaj para përfitimit të kontratës për Afganistanin, ushtria ndërpreu një kontratë me AEY si pasojë e dështimit të kompanisë për të siguruar 150 foleza për dylbi pushkësh. Mbas vonesave të para, zoti Diveroli iu lut kontraktuesit të mos ndërpriste kontratën duke u shprehur: “Larg qoftë... Ndërprerja e kësaj kontrate do të ishte shkatërruese për një biznes si yni.” Kontrata u ndërpre, kur AEY kërkoi të shtynte afatin kohor të dërgesave dhe dy herë të tjera dhe dështoi të dorëzonte pajisjet.
- Në shkurt të vitit 2006, AEY dështoi të dërgonte “dylbi pushkësh snajper” sipas një kontrate me ushtrinë. Kontrata u ndërpre për këtë arsye. Kontraktuesi u shpreh se vonesat e para u justifikuan, meqë AEY ishte një biznes i vogël. Më pas AEY dërgoi një produkt mostër, i cili u refuzua si “kopje e lirë e një sistemi të licencuar pushkësh snajper.” Mbas justifikimeve dhe arsyeve të paqena, kontrata u ndërpre.
- Në gusht të vitit 2005, AEY dështoi t'i siguronte Irakut mitraloza dhe pistoleta. Në një e-mail të siguruar nga Komisioni, zyrtari kontraktues kërkonte një shpjegim për vonesën, duke shkruar se “kanë kaluar dy muaj dhe dërgesa ende nuk është kryer.”
B. Performanca e AEY me kontrata të tjera të Departamentit të Shtetit
AEY ka pasur gjithashtu një historik performance të dobët në furnizimin me municione dhe pajisje të tjera sipas kontratave dhe urdhrave të blerjes me Departamentin e Shtetit. Si rezultat, Departamenti i Shtetit ka ndërprerë apo tërhequr dy kontrata për shkak të paaftësisë së AEY për të performuar.
Për shembull, sipas një kontrate të vitit 2006 për pajisje terreni për ambasadën e SHBA në Kolumbi, AEY ofroi modelin e gabuar të indikatorëve lazer dhe komponentëve të pushkëve, siç kërkohej nga urdhri i kontratës. Gjithashtu, AEY dështoi në marrjen e licencës për eksport për mallrat dhe nuk respektoi datën e kërkuar për dërgesën. AEY gjithashtu tentoi të furnizonte me mallra zëvendësues të papranueshëm sipas kësaj kontrate, pa lajmëruar Departamentin. Në një memo të datës 1 nëntor 2006, një zyrtar i Departamentit të Shtetit shkruante: “Prodhuesi i produktit i kuotuar nga AEY kontaktoi [Departamentin] për të na informuar se AEY nuk është një distributor i miratuar dhe nuk do të jetë i aftë të ofrojë produktet e kuotuara në Bogota …” Në përgjigje të këtij fakti, AEY ofroi informacion për produkte totalisht të ndryshme të ardhura prej prodhuesish totalisht të ndryshëm… Të gjithë janë të shqetësuar prej faktit se, nëse AEY nuk do të ishte pyetur, ajo do të kishte ofruar produkte komplet të ndryshme pa dijeninë e Departamentit. Tanimë, Departamenti i Shtetit i di planet e AEY për të ofruar produkte të patestuara. A mund të konsiderohet kjo gjë si një “dallaver me çmimin”?
Departamenti i Shtetit e tërhoqi urdhrin më 2 nëntor 2006. Sipas një kontrate të Departamentit të Shtetit për të ofruar sisteme armësh holografike me tejqyra për shikimin natën për ambasadën e SHBA në Kolumbi, AEY dështoi në ofrimin e mallrave, për shkak të faktit se prodhuesi nuk ia shiste mallrat AEY. Përsëri AEY ofroi një mall zëvendësues. Oficeri kontraktues e ktheu prapa propozimin e AEY, duke thënë: “Ju është dhënë kjo kontratë në bazë të produktit që ju ofruat përmes ankandit të ofertave federale, prandaj jeni të urdhëruar që t´i qëndroni besnik kontratës.” AEY dështoi në ofrimin e pajisjeve sipas kësaj kontrate dhe më 1 mars 2007 kontrata u ‘ndërpre me shkak’, sepse sistemi i armëve nuk u dorëzua ‘brenda afatit’.
Sipas një kontrate të vitit 2005 për pajisje taktike për t´u përdorur në Irak, që përfshinin mjete optike dhe adaptorë për armë, AEY në mënyrë të vazhdueshme injoroi paralajmërimet e hapura të një oficeri kontraktues se vetëm produktet e sakta sipas kontratës do të pranoheshin. AEY dorëzoi vetëm një njësi brenda 18 prillit 2005, data e dorëzimit, por iu kthye pas, duke u konsideruar si jo konform kontratës. Oficeri kontraktues i shkroi zotit Diveroli: “Kisha ‘nevojë’ për pajisjet brenda 18 prillit. Kështu që, fakti që akoma nuk i kam ato pajisje është duke i sjellë dëme misionit.” Departamenti i Shtetit e tërhoqi këtë urdhër dhe mori shumicën e pajisjeve prej shitësve të tjerë. Në një letër për AEY, oficeri kontraktues shkroi: “Përmes kësaj letre ju lajmërojmë se dështimi juaj për të dorëzuar objektet më poshtë të listuara brenda datës 18 prill 2005, siç është treguar dhe në përputhje me subjektin, ka rrezikuar performancën e misionit të Departamentit të Shtetit. Gjithashtu, në korrespondencën vijuese premtimet tuaja për dorëzimin nuk janë mbajtur. Përmes këtij dokumenti ju informojmë se njësitë e padorëzuara do të hiqen prej urdhrit në fjalë. Misioni DoS nuk mund të vonohet më tepër për shkak të paaftësisë suaj për të ofruar njësitë sipas urdhrit në fjalë.”