Opozita feston e ndarë Ditën e Çlirimit
Kryetari i PS, Edi Rama, fton te Varrezat e Dëshmorëve kritikët e tij të ditëve të fundit. Në ceremoninë e Festës së Çlirimit, Rama kishte ftuar, Dritëro Agollin, Rexhep Meidanin dhe Servet Pëllumbin, tri figura të rëndësishme të historisë së afërt të PS, të cilët ditët e fundit kanë shprehur rezerva ndaj Ramës lidhur me marrëdhëniet e tij me Ilir Metën dhe LSI. Pas ceremonisë te Varrezat e Dëshmorëve, ku ishin të pranishëm edhe drejtues të partive të tjera dhe deputetë të PS, Rama ka ftuar veteranët në një drekë festive me rastin e Festës së Çlirimit.
Në fjalën e tij drejtuar veteranëve, Rama është përqendruar pikërisht te çështja e bashkimit, por pa theksuar specifikisht bashkimin e opozitës. Rama nuk ka përmendur në asnjë moment LSI dhe kryetarin e saj, Ilir Meta, i cili kishte bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, i ndarë nga PS dhe Rama, për shkak të përplasjeve që kanë pasur dhe po vazhdojnë të kenë këto dy parti, për shkak të Kodit Elektoral. Pikërisht sherri midis Ramës e Metës ka qenë objekt i kritikave të tre socialistëve të pranishëm dje në festë, të cilët konsiderohen figura emblematike për PS. Ish-presidenti, Rexhep Meidani, si dhe ish-kryetari socialist i parlamentit, Servet Pëllumbi, kanë shfaqur kohët e fundit kritika ndaj kryetarit socialist, Edi Rama, për mënyrën e drejtimit të partisë, por edhe për marrëdhëniet me LSI. Së fundi, vetëm pak ditë më parë, Dritëro Agolli, gjithashtu u shfaq mjaft kritik në media, kur theksoi se, nëse vazhdojnë të qëndrojnë të ndarë, PS e LSI, e majta humbet zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Nisur nga këto kritika, Rama i ka mbledhur dje tre figurat e rëndësishme të PS në drekën e organizuar me veteranët për t’iu drejtuar atyre se PS e drejtuar prej tij është për bashkimin e madh, jo specifikisht vetëm bashkimin e opozitës. “Të dashur veteranë dhe veterane të luftës! I dashur Dritëro!”, i është drejtuar kështu Edi Rama, të parit Dritëro Agollit, dhe më pas ka renditur argumentet e tij për bashkimin sipas konceptit të politikës së re, përtej së majtës dhe së djathtës. “E kam thënë gjithmonë, kur më është dhënë rasti dhe besoj se nuk ka rast më të mirë për ta përsëritur se në 8 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës kam pritur dhe përcjellë shumë njerëz, po ndër ta, ata që nuk do t’i harroj kurrë, janë veteranët dhe veteranet e Luftës së Dytë Botërore, të cilët kanë trokitur dhe vazhdojnë të trokasin në derën time jo rrallë, por asnjëherë nuk e kanë bërë këtë për arsye personale. Asnjëherë nuk e kanë bërë këtë për të zgjidhur halle apo për të kërkuar favore, por gjithmonë për të ngritur shqetësime të komunitetit ku jetojnë”, - tha Rama.
“Do ta mbyll me dy kujtime të familjes time. Njëri, kujtimi i njërës nga gjyshet, djali i së cilës ishte vrarë në luftë dhe tjetri, kujtimi i hallës së tim eti, djali i së cilës ishte pushkatuar menjëherë pas lufte. Dy djem të rinj, të cilët historia e dhimbshme e popullit tonë i vuri në dy pozicione të ndryshme. U dha dy jetë dhe dy funde të ndryshme. Dy djem të rinj që kishin në ëndrrën e tyre një Shqipëri më të mirë, një qytet më të mirë, një komunitet më të mirë, një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tyre. E pra, arsyet që i ndanë shqiptarët në të shkuarën, nuk janë arsye për të ndarë fëmijët tanë në të ardhmen. Në emër të së ardhmes, ne duhet t'i bashkojmë të gjitha energjitë tona, duke parë te njëri-tjetri një arsye për të shpresuar dhe jo një arsye për t'u dëshpëruar. Një arsye për t'u respektuar dhe jo një arsye për t'i treguar njëri-tjetrit ato anë të papëlqyeshme të natyrës njerëzore, të cilat politika e vjetër shqiptare i ka nxjerr në pah, në një skenë ku në vend që njerëzit të diskutojnë për të mirën e atyre që përfaqësojnë, rëndom kacafyten thjesht për karriera dhe privilegje personale. E në rast se politika ka lindur që njerëzit së bashku të bëjnë atë që nuk e bëjnë dot vetëm, të zgjidhin probleme që nuk i zgjidhin dot vetëm, të realizojnë ëndrra që nuk i realizojnë dot vetëm, ne duhet t'ia japim politikës shqiptare këtë përmasë. Kjo përmasë është e mundur, sepse asgjë nuk është e pamundur, në rast se ne jemi bashkë. E ky bashkim duhet të shohë në vazhdimësi, aty ku buron idealizmi dhe patriotizmi, në një histori të largët, por edhe në një histori të gjatë, që është historia juaj. Në amanetin e atyre që nuk janë më, por edhe në dëshminë e përditshme tuajën, në mënyrë që ne që nuk kemi asgjë më pak sesa fqinjët tanë, të kemi një Shqipëri që të mos ketë asgjë më pak sesa vendet rreth e rrotull nesh, Shqipërinë që u kemi borxh fëmijëve tanë, fëmijëve të socialistëve, fëmijëve të demokratëve, fëmijëve të Shqipërisë, në Shqipëri, në Kosovë, e kudo ata ndodhen, fëmijë shqiptarësh e shqiptaresh, që nesër do të jenë qytetarë e qytetare me të drejta të barabarta në Bashkimin Evropian. Ne mundemi dhe mundemi në radhë të parë falë jush, miqtë tanë të shtrenjtë, veteranë e veterane, dhe falë atyre që kur e nisën luftën praktikisht nisën një mision të pamundur dhe sollën lirinë, që u bë e mundur pikërisht sepse asgjë nuk është e pamundur, në rast se ne jemi bashkë”, - u shpreh kryetari i PS.
Meta: Beteja për çlirimin e Shqipërisë vazhdon
Kryetari i LSI, Ilir Meta, së bashku me anëtarë të Kryesisë së LSI dhe të reja dhe të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim, vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Duke folur për mediet, Meta tha se ende vazhdon beteja për çlirimin e shqiptarëve. “Në këtë ditë të madhërishme dua të shpreh në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe njëkohësisht për të gjithë veteranët, për të gjitha familjet e tyre dhe familjet e dëshmorëve të kësaj lufte. Njëkohësisht, i siguroj që Lëvizja Socialiste për Integrim mbështetet fort te vlerat e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të luftuar për progresin e vendit tonë, të popullit tonë dhe për t’i dalë gjithmonë në krah mbrojtjes së lirisë të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Edhe lufta jonë për votën e lirë është një përpjekje e vazhdueshme, për të mos lejuar Shqipërinë që të pushtohet edhe nga shqiptarë të papërgjegjshëm, të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë dot, edhe pas 18 vjetësh demokraci, që çdo shqiptar duhet të jetë zot i vetes së tij”, - tha Meta.
Kryetari i LSI tha se nuk ndjehet i shqetësuar për praninë e shumtë të policëve bashkiakë, por tha se shteti nuk po dëshmon seriozitet me këtë festë. “Ne nuk bezdisemi nga askush. Por, na vjen keq që ceremonitë e 28 dhe të 29 Nëntorit, sidomos të 29 Nëntorit, tregojnë një mungesë serioziteti të shtetit shqiptar, pasi kjo është një festë kombëtare dhe nuk ka një protokoll të unifikuar, gjë që është një turp për shtetin tonë.
Megjithatë, jam i bindur që shumica e shqiptarëve e festojnë sot dhe do të vazhdojnë ta festojnë gjithnjë, sepse është një ditë që mbart një mesazh të madh. Beteja për çlirimin e Shqipërisë vazhdon!” - tha Meta.