Vata shpërthen kundër alarmit të skocezëve
JORGIS MEMO
Rudi Vata ka shpërfillur me neveri paralajmërimin e klubit të Modhëruellit, drejtuar tifozëve, për të mos udhëtuar në Shqipëri. Lajmi i përhapur në mediat skoceze, se në Vlorë, ku do të luajë më 16 korrik Modhëruelli, është një vend i pasigurt, ka bërë që ish-kapiteni i Kombëtares, që më parë ka luajtur për Sëlltikun, të shpërthejë kundër klubit skocez. “Për mendimin tim, kjo është marrëzi. Tani për tani, Shqipëria është një vend shumë i sigurt dhe në zhvillim,”- është shprehur shkodrani për “BBC”. Ndërkohë, zyra e marrëdhënieve me jashtë në shtetin skocez ka bërë të ditur se siguria publike është e mirë dhe shqiptarët janë shumë mikëpritës për vizitorët. Më tej, Vata tregoi me kënaqësi për qytetin e Vlorës, teksa akuzoi edhe një herë, ata që kanë dhënë këtë informacion të gabuar. “Kush e ka bërë publik këtë informacion, e ka shumë të gabuar, sepse nuk ka lidhje me Shqipërinë. Madje së fundmi vendi ynë u bë pjesë e NATO-s dhe ka aplikuar për në Bashkimin Evropian. Nëse nuk ke stabilitetit dhe siguri, nuk mund të bëhesh pjesë e NATO-s. Ndërsa për Vlorën mund të them se është një qytet i mrekullueshëm, që ia vlen ta vizitosh. Bregdeti aty do t’i josh shumë ata tifozë të Modhëruellit që kanë ndërmend të shkojnë. Unë u them atyre që ta bëjnë një gjë të tillë, sepse do të ngelen të kënaqur,”- tregon Vata, i cili tashmë është menaxher futbolli. “Kam qenë së fundmi në Shkodër, qytetin tim të lindjes, ku kam ndjekur ndeshjen Vllaznia-Sligo Rovers. Në stadium pash disa tifozë irlandezë, të cilët përkrahën ekipin e tyre pa as më të voglën pengesë,”- shton ish-mbrojtësi kuqezi, duke iu referuar ndeshjes së Vllaznisë në Kupat e Evropës. Në fund, ai u kujton skocezëve. “Herën e fundit që Flamurtari luajti në Kupat e Evropës, u përball katër herë kundër Barcelonës dhe doli pamundur në tri ndeshje. Tashmë, ekipi vlonjat ka disa lojtarë të rinj të talentuar, që u pëlqen të luajnë futboll, por nuk kanë asnjë eksperiencë në arenën ndërkombëtare.”