E Diel, 1 Nëntor 2026

E thirra këtë mbledhje të Këshillit të Ministrave jo thjesht për shkak të përbërjes së ndryshuar të qeverisë që u votua mbrëmë në Kuvend nga maxhoranca progresiste, por për të diskut

E thirra këtë mbledhje të Këshillit të Ministrave jo thjesht për shkak të përbërjes së ndryshuar të qeverisë që u votua mbrëmë në Kuvend nga maxhoranca progresiste, por për të diskutuar hapat cilësisht të rinj që do të ndjekim në vazhdim.
Ky kabinet qeverisës i rikompozuar është produkt i marrëveshjes së nënshkruar nga 6 parti parlamentare për krijimin e Koalicionit për Integrim. Ky koalicion shpreh në thelbin e vet një angazhim serioz për përfundimin me sukses dhe sa më shpejt të negociatave të Stabilizim Asocimit me BE-në. Tashmë Shqipëria është futur në rrugën e saj të pakthyeshme të integrimit në BE. Dëshira mbarë popullore për integrim në Europë, e ka marrë rrugën e saj të realizimit qysh me çeljen e negociatave me BE-në për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Qeveria ka përballuar me sukses ecurinë e deri tanishme të negociatave, por stadi në të cilin ndodhemi kërkon një hop cilësisht të ri për të kuptimin dhe veprimin politiko qeverisës në përmbushjen e detyrimeve që lindin nga ky bashkëpunim dhe që kanë të bëjnë pikërisht me thellimin e reformave në vend.
Koalicioni për Integrim nuk është një shpikje e radhës dhe as gjetje rastësore. Ai vjen si ide e pjekur politikisht nga nevojat për më shumë cilësi në reformat integruese. Tashmë ne jemi në fazën më delikate dhe të vështirë të negocimit me BE-në për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që ka të bëjë me përcaktimin e të ardhmes së ekonomisë sonë dhe integrimit të aktorëve tanë të interesit në ata Europianë e më gjerë. Ne nuk mund të vazhdojmë të damkosemi artificialisht nga sensiblitetet dhe perceptimet për mungesë reformash, sepse rezultatet janë të pranishme në çdo sector. Të mos harrojmë se jo larg por vetëm para 2 vjetësh BE dhe qytetarët Shqipëtarë, nuk ishin gati të fillonin të negocionin sepse vendi ishte zhytur në errësirën më të thellë energjitike dhe politike që kishte ndodhur ndonjëherë. Nuk mund të çeleshin negociatat sepse institucionet e shtetit të së drejtës ishin ende jo funksionuese.
Procesi i Integrimit nuk është monopol i qeverive; përkundrazi ai është proces i kohabitacionit dhe i bashkimit të ideve dhe veprimeve reformatore e progresiste në shërbim të të ardhmes së vendit. Nuk mund të flitet për integrim në Europë pa garantimin e integrimit të brendshëm të interesave, ideve, veprimeve dhe kontributeve të gjithsecilit. Maxhoranca jonë progresiste bëri të mundur rivlerësimin e kontributeve më përfaqësuse qysh kur veproi politikisht me zgjedhjet e Presidentit të Republikës me konsensus të gjerë parlamentar. Ne rivlerësuam kontributet edhe kur filluar reformat ë rëndësishme në institucionet e shtetit si SHISH, Gjykatën Kushtetuese, Kontrollin e Shtetit, reformat në drejtësi dhe në mënyrë të vecantë kur kristalizuam reformën zgjedhore. Natyrisht jo gjithcka ka shkuar ashtu sic dëshironim, por kryesorja është se vullneti për reforma është tashmë aktiv në çdo sektor.
Qeveria mbylli përfundimisht bashkë më skafet edhe gojët e liga të vendasve dhe ndërkombëtarëve që akuzonin gratë dhe vajzat shqiptare për prostitucion dhe shqiptarët si prodhuesit më të mëdhenj të trafikut botëror të qënieve njerëzore. Ne dëshmuam se dimë t'i përgjigjemi krimit të organizuar dhe korrupsionit me gjuhën e ligjit dhe të ndëshkimit të merituar nga drejtësia e organizuar. Duhet të pranojmë se nuk kemi mundur ta përdorimin mirë këtë gjuhë për ata njerëz me imunitet ligjor apo politik që dhunojnë ligjet dhe abuzojnë me detyrën në dëm të zhvillimit dhe progresit. Nuk kemi arritur ende të shmangim alibitë politike të personave që merren në mbrojtje nga grupime të ndryshme politke, kudo qofshin, sepse paradoksalisht jemi gjendur gjithmonë para presionit për më shumë stabilitet fals dhe demokraci fiktive. Unë besoj se shqiptarët e njohin dhe e çmojnë më shumë se kushdo tjetër demokracinë dhe stabilitetin e institucioneve. Ne e kemi arritur këtë gjë më së miri, ndonëse disa herë jemi të detyruar të pranojmë më pak taksa të mbledhura nga biznese të ndryshme, psh nga bizneset që ushqejnë media, por kemi gjeneruar kështu më shumë fjalë të lirë dhe mendim ndryshe.
Reformat që kemi ndërmarrë kohët e fundit janë bazike dhe të thella, ato prekin themelin e qeverisjes së vendit, për pasojë efektet e tyre nuk mund të ndihen menjëherë. Të gjithë ne e kuptojmë padurimin legjitim të shtetasve për më shumë drita në shtëpitë e tyre, por kjo nuk mund të vinte pa kaluar fazën e nxjerrjes së KESH nga kolapsi financiar i borxheve të papaguara në vite. Nuk mund të ndodhte bllokimi i keqmenaxhimit të pasurisë publike, nëse nuk do të merrmin masa për miradministrimin e saj që filloi që nga bllokimi i dhënieve me qera abusive të saj e deri tek shfrytëzimi me nikorqirllëk menaxherial i cdo objekti public. Nuk mund të kishim sukses spektakolar në privatizimin e sektorëve strategjikë, nëse vullneti ynë për ta bërë pronën publike atraktive për investitoret, do të mungontte. Privatizimi i suksesshëm i Bankës së kursimeve psh, nuk erdhi me frymën e shenjtë, por me angazhimin serioz të qeverisë dhe punën konkrete të saj për marketingun dhe kombinimin me një aktivitet të dendur edhe diplomatik.. Po kështu ndodhi edhe me INSIG dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Nga ana tjetër sigurimi i një territori të pastër nga ndërtimet pa leje, ka qenë motoja e qeverisë së 17 muajve të fundit. Me këtë filozofi politike kemi bërë të mundur të mbyllim përfundimisht fenomenit e ndërtimeve pa leje, krahas legalizimit të lagjeve të reja urbane ende informale. Kundërpërgjigja jonë ka qenë ligjore, e paanshme dhe e ndershme. Ne u angazhuam dhe përfunduam me sukses të plotë reformën në fushën e pronësisë së paluajtëshme. Kthimi dhe kompensimi i pronës mbetet ende prioritet, por miratimi i projekt ligjit të ri në Kuvend, në një kohë të shpejte do të përshpejtojë edhe reformat e tjera që lidhen me tregun imobiliar në vend. Të mos harrojmë se ky treg është i një rëndësie të jashtëzakonshme për thithjen dhe garantimin e investive vendase dhe të huaja.
Thellimi i reformës së dencentralizimit financiar dhe pasuror të pushtetit vendor shënoi hapin më të madh kurajoz të ndërmarrë ndonjëherë në historinë e shtetit tonë. Efektet u ndien menjëherë, pavarësisht kostove normale që PS mori në disa bashki në zgjedhjet e fundit. Unë jam i bindur se qytetarët e këtyre Bashkive, shumë shpejt do të binden se kishim të drejtë që e ndërmorëm këtë refomë, sepse është në dobi të përmirësimit të shërbimeve të tyre. Ka perënduar koha kur qeveritë janë përgjegjëse për gjithçka, madje edhe për cmimin e majdanozit në treg.
Të nderuar ministra,
Nuk kam ndërmend të ndalem në arritje të qeverisë së deritanishme, sepse këtë do të kemi rast ta bëjmë në javët e para të janarit kur do të zhvillojmë analizat e hollësishme qeverisëse në çdo sector. Por një gjë duhet ta kemi të gjithë të qartë: detyra jonë e përbashkët është të qeverisim për integrim. Integrimi nuk është vetëm detyrë e misnitrit të integrimit dhe as vetëm e Ministrit të Jashtëm, por ajo është detyra jonë e përbashkët. Integrimi real fillon nga zgjidhja e problemeve të brendëshme dhe arritja e standarteve këtu, në Shqipëri. Ne duhet të rivlerësojmë reformat e programuara 35 mujore, duke i detajuar ato në programe ekzekutive vjetore dhe mujore për 18 muajt e ardhshëm. Ju të gjithë keni si detyrë prioritare detajimin e mëtejshëm të programit tonë politik qeverisës deri në zgjedhjet parlamentare 2005. Sistemi i vlerësimit të punë së secilit është ngritur tashmë dhe funksionon pranë meje nëpërmejt ministrit të koordinimit. Me këtë sistem vlerësimi ne kemi ecur deri më sot dhe na ka dhënë rezultate të prekshme. Ne nuk kemi pse të shpikim gjëra të reja, por na duhet të përsosim më tej sistemin ekzistues me synim rritjen e mëtejshme të ritmeve në qeverisjen e vendit.
Reformat parësore që do të duhet t'i thellojmë në vazhdim do të jenë;
1- Reforma në Administratën Publike. Programi politik i qeverisë në mënyrë të detajuar përcakton të gjitha hapat që duhen ndërmarrë më tej për thellimin e kësaj reforme. Drejtimet kryesore mbi të cilat do të ndërtohet programevt e veprimit për vitin 2004 do të jenë:
a- Rishimi i funksioneve të çdo dikasteri.
b- Rivlerësim i strukturave në këtë funksion,
c- Përmirësimi i aftësisë menaxhuese të rekrutimit të admisnitratës sipas Ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil.
d- Përmirësimi i kapaciteteve absorbuese të ndihmës së dhënë.
e- Përmirësim i Sistemit të Pagave të Ekzekutivit
f- Trainimi i punonjësve.
g- Thellimi i masave antikorrupsion dhe antitrafik influence nëpërmejt rritjes së transparencës
2- Reforma në Ekonomi dhe financë. Në këtë sektor ne synojmë:
a- Të tellohet reforma në fushën e privatizimeve të sektorëve strategjikë.
b- Të menaxhohet më me kujdes administrimi i pasurisë publike nga SHA-të publike dhe ato qeramarrëse dhe koncensionare.
c- Të rriten kapacitetet thithëse të ndihmës së huaj.
d- Realizim të të gjitha detyrave që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
e- Thellim të reformës fiskale nëpërmejt rritjes së qëndrueshmërisë së mbledhjes së të ardhurave tatimore dhe doganore.
3- Reforma në Drejtësi. Viti 2004 duhet të jetë viti i realizimit të të gjitha objektivave tona programore për konsolidimin e një drejtësie të organizuar kundër krimit të organizuar. Për këtë qëllim unë kërkoj që ministri i drejtësië të detajojë programin e veprimit që bën të mundur:
a- Funksionimin e gjykatave dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda.
b-Korrektimin e të gjitha defekteve në sistemin e hetimit dhe gjykimit.
c- Përmirësimin e shërbimeve ligjore ndaj qyteratëve.
d- Ndërmjetësimin dhe presionin pozitiv mbi pushtetet e tjera për kontrollin ligjor mbi gjyqësorin dhe ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkelin ligjin.
4- Në fushën e Rendit Publik dhe Sigurisë, gjatë vitit 2004, presim:
a- Kapjen e të gjithë elementëve kriminale.
b- Rritjen e aftësisë parandaluese anti krim.
c- Forcimin e luftës anti trafik, nëpërmejt kontrollit të rreptë kufitar.
d- Mbylljen e trafikut të drogave të forta dhe lëndëve të tjera të rrezikshme.
e- Forcimin e bashkëpunimit me policitë partnere në rajon e më gjerë.
5- Shëndetësia dhe Arësimi, do të vazhdojnë të jenë prioritetet tona qeverisëse. Në mënyrë të veçantë ne po hyjmë me një grintë tjetër në reformimin e këtyre sektorëve, mbi të cilët varet edhe cilësia e marrëdhënieve të çdo qeverie me shtetasit e vet.
6- Reforma e kthimit dhe kompesimit të pronave mbetet pa asnjë dyshim një nga provat më të vështira për qeverisjen tonë. Kjo reformë është komplekse dhe kërkon aktivizimin e të gjithë aktorëve të jetës së vendit. Ne si maxhorancë qeverisëse mbetemi tërësisht të angazhuar që ajo të përfundojë sa më parë, pasi pa përfundimin e saj çdo zhvillim ekonomik do të ishte i pasigurt dhe i çalë, ritmet e zhvillimit nuk do të arrijnë nivelet që dëshirojmë, problemet dhe konfliktualiteti social do të vazhdojnë të cënojnë jetën e përditëshme të qytetarëve.
7- Zgjidhja e problemit të ish të perndjekurve të rregjimit komunist, si pjesë e politikës sonë qeverisëse për të ndihmuar shtresat në nevojë, gjithashtu do të mbetet në qendër të vëmendjes së qeverisë sonë. Për këtë ne kemi tashmë programet dhe objektivat tona konkrete dhe do të fuqizojmë edhe strukturat përgjegjëse të ekzekutivit.
Këto janë vetëm disa nga drejtimet më parësore në të cilat kjo qeveri do të fokusojë përpjekjet e saj.
Krahas përmbushjes së këtyre objektivave për reforma integruese që burojnë nga nënshkrimi i SAA, ne synojmë edhe integrimin në NATO, si njërën nga shinat ku do të ecë procesi yne i integrimit euroatlantik. Ne po punojmë me ritme të larta dhe me programe të qarta e trë koordinuara që Shqipëria të marrë ftesën për antarësim në samitin e Stambollit të 2006-ës.
Zotërinj ministra,
I gjithë aktiviteti ynë qeverisës po zhvillohet në kushtet kur opozita i është kthyer sërish gjuhës së vjetër të bojkotit dhe konfliktualitetit tashmë tradicional për të. Kjo është zgjidhja e saj, qytetaria e gjykon ashtu siç e ka gjykuar deri më sot; ndërsa detyra jonë është të krijojmë të gjitha kushtet që ajo të zhvillojë aktivitetin e saj, brenda normave të demokracisë për një vend që po integrohet. Nëse opozita i është kthyer sharrjeve dhe konfliktualitetit, kjo është një provë tjetër e paaftësisë së saj për bashkëpunim të hapur insitucional dhe konkurim veprues. Por ne nuk kemi për të hequr dorë së ftuari opozitën tonë për bashkëpunim, pasi demokracia është pjesëmarrje dhe në çdo vend normal demokratik edhe opozita ka detyrimet e veta që ajo duhet t'i përmbushë për shkak të elektoratit që pretendon se përfaqëson.
Punë të mbarë!
Gëzuar Vitin e Ri 2004!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›