E Diel, 1 Nëntor 2026

“E tmerrshme që lideri i opozitës shqiptare punon kundër interesave të vendit të vet”

09-12-2011 / Gazeta 55

Kongresi i XX i PPE, Franco Frattini: Shqipëria meriton më shumë nga BE - progresi është i dukshëm

“Është e tmerrshme, e tmerrshme. Berisha ka një kundërshtar si Rama që gjithmonë punon kundër Shqipërisë”. Kjo është deklarata e bërë dje nga ish-ministri i Jashtëm italian Franco Frattini, në kuadër të punimeve të Partive Popullore Evropiane në Francë, ku prej dy ditësh është i pranishëm edhe Kryeministri shqiptar Sali Berisha.
Frattini gjatë takimit me kryeministrin dhe anëtarë të tjerë të delegacionit italian të PDL (Popolo della Liberta) në PPE është shprehur i tmerruar se si kreu i opozitës, për interesa personale cenon interesin kombëtar. “Është e tmerrshme, e tmerrshme. Kryeministri Berisha ka një kundërshtar si Edi Rama që gjithmonë punon jo vetëm kundër kryeministrit, por fatkeqësisht edhe kundër Shqipërisë”, tha ai.
Ish-kryediplomati italian dhe një nga zërat vendimmarrës të Brukselit, i kushton një hapësirë të gjerë në fjalimin e tij gjatë Kongresit të XX të Partisë Popullore Evropiane në Marsejë të Francës, kursit të integrimit Evropian të Shqipërisë.
Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në realizimin e reformave dhe në zbatimin e atyre reformave që ka premtuar të realizojë. Në këtë sens Fratini ka kërkuar më shumë vëmendje nga Brukseli. “Unë mendoj se e rëndësishme këtej e tutje është vazhdimi i zbatimit të planit të reformave. Mendoj se Shqipëria meriton besimin e Bashkimit Europian. Edhe më herët kam theksuar se sa e rëndësishme është për Shqipërinë bashkëpunimi politik mes grupeve kryesore politike, të cilat ndihmojnë që të funksionojë dhe parlamenti dhe kjo është gjëja e duhur që do të ndihmojë Shqipërinë në integrimin europian. Forcat politike duhet të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën dhe bashkëpunimi do t’u sjellë dhe suksesin e integrimit dhe duhet të kihet parasysh se integrimi është në interesin e të gjitha palëve”, u shpreh Frattini.
Gjithashtu, ai u bën thirrje forcave politike që të bashkëpunojnë me njëra tjetrën pasi sipas tij, bashkëpunimi do t’u sjellë edhe suksesin e integrimit dhe duhet të kihet parasysh se integrimi është në interesin e të gjitha palëve. Frattini, jep edhe mbështetjen e vendit të tij në rrugën e integrimit duke thënë se “Italia është një mbështetëse e plotë e integrimit të Shqipërisë, ne po presim raportin përfundimtar por Shqipëria e meriton që të jetë sa më shpejt një anëtare e BE me të drejta të plota”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›