E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet pista e konfliktit për pronësinë

Hetimeve për ngjarjen e ndodhur para tri ditësh në Durrës ku humbën jetën tre persona, i është shtuar edhe pista për një konflikt të mundshëm pronësie. Prokuroria e Durrësit po vazhdon që të mbledhë dëshmitë për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e 27 janarit, ku humbën jetën një 42-vjeçar, nipi i tij dhe një person tjetër. Hetimet janë përqendruar tek një prej viktimave, Luan Curri, i cili sipas burimeve nga policia, është me precedentë penalë dhe njihet në botën e krimit. Por megjithatë, sipas hetuesve, po shikohet e kaluara e dy viktimave të tjera, 18-vjeçarit Andi Curri dhe 32-vjeçarit Edmond Shemsi, me profesion inxhinier ndërtimi. Numri i personave të shoqëruar në komisariat për të marrë dëshmitë në lidhje me ngjarjen ka shkuar në 15. Grupi hetimor, ende nuk ka asnjë gjurmë të autorit të krimit, si edhe një pistë konkrete ku të bazohet.
Pistat
Sipas burimeve nga grupi hetimor, ende nuk ka një pistë të qartë për tre vrasjet e ndodhura. Me përjashtim të Luan Currit, asnjë prej viktimave të tjera nuk kishte precedentë penalë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, pistat që po shikohen me vëmendje janë ato të vetëgjyqësisë ose ajo e hakmarrjes. Nga dëshmitë e dhëna nga familjarët, viktima i trembej hakmarrjes, pasi një prej nipave të tij kishte vrarë aksidentalisht një grua katër vjet më parë. Por, 42-vjeçari ishte gjykuar pesë vjet më parë për kryerjen e veprës penale të përdhunimit me të mitura të kryer në bashkëpunim. Ai ishte arrestuar për tre muaj dhe më pas liruar, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë. Por sipas burimeve nga grupi hetimor, një tjetër pistë mund të jetë edhe ajo e një konflikti të mundshëm për pronësinë. Ndërkohë që hetuesit po punojnë edhe për sa i përket veprimtarisë së dy viktimave të tjera. Sipas burimeve nga policia, Edmond Shemsi dhe nipi i tij, Ani Curri, ishin pa precedentë penalë, por hetuesit po “gërmojnë” për të kaluarën e tyre.
Ngjarja
Rreth orës 23:00 të së mërkurës, një person është futur në një lokal në katin e parë të një pallati në lagjen numër 9 të qytetit të Durrësit. Ai në kokë kishte një kapuç të zi, ndërsa ishte i armatosur me një automatik tip kallashnikov. Ka drejtuar armën në një tavolinë ku ndodheshin Luan Curri, i cili ishte ulur së bashku me nipin e tij, Ani Curri, si dhe Edmond Shemsin, duke goditur me breshëri. Për pasojë, të tre kanë marrë plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, duke u rrëzuar në tokë të gjakosur. Më pas, autori i ngjarjes së rëndë është larguar me shpejtësi, ndërsa ka hedhur në tokë armën me të cilën ka kryer krimin. Klientët e tjerë të lokalit, të shokuar janë përpjekur t’iu japin ndihmën e parë viktimave, duke i dërguar në spitalin e qytetit, por plagët e marra dhe humbja e gjakut i kanë shkaktuar që të treve të sulmuarve vdekjen.

Viktimat

Në sulmin e orëve të vona të së mërkurës mbeti i vrarë 18-vjeçari Ani Curri, nxënës në një prej gjimnazeve të qytetit.

Xhaxhai i tij, Luan Curri, 42 vjeç, i dënuar nga dy shkallë të gjyqësorit për përdhunimin e një minoreneje dhe i liruar nga Gjykata e Lartë

Edmond Shemsi, 32 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi, pa precedentë të mëparshëm penalë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›