E veja e Trebickës, vullnetarisht nga SHBA-ja në gjykatë
Masa e vendosur me arrest shtëpie "me akuzën e evazionit fiskal", ndryshoi në detyrim për paraqitje
TIRANË- E veja e Kosta Trebickës, Brunilda Trebicka, kthehet nga SHBA-ja, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendos t'i ndryshojë masën e sigurisë dhënë në mungesë ndaj saj me "arrest shtëpie" pas paraqitjes së saj vullnetarisht në organin e drejtësisë në kryeqytet.
Brunilda Trebicka (Krasniqi) e njohur ndryshe si e veja e Kosta Trebickës, dëshmitarit që denoncoi publikisht aferat e "trafikut të fishekëve" në Gërdec, tashmë duhet të qëndrojë e gatshme për organet e drejtësisë në çdo rast.
Vetëm tri ditë pas rikthimit me vullnet të saj nga SHBA-ja, Trebicka ka kërkuar para togave të zeza zëvendësimin e masës së sigurisë dhënë në mungesë me "arrest shtëpie", duke kërkuar t'i caktohet masa e sigurisë "detyrim për paraqitje".
Togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, duke parë kthimin e kërkueses nga SHBA-ja me dëshirën e saj, biznesin e familjes që duhet të udhëheqë dhe mungesën e kushteve të rrezikshmërisë për largimin nga vendi, vendosi të pranojnë kërkesën e bashkëshortes së Kosta Trebickës, duke ia ndryshuar masën e sigurisë në "detyrim për paraqitje".
Gjithashtu, me vendimin e gjykatës, ndaj Brunilda Trebickës, është hequr edhe masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës dhe të drejtës për kryerjen e biznesit, për shkak se nuk ka kush të administrojë bizneset e saj të trashëguara nga bashkëshorti.
Ndërkohë, pak ditë më parë, me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendosi izolimin në "arrest shtëpie" edhe të bashkëpunëtorëve të Trebickës, shtetases Nevila Bama, Shkëlqim Sako, Marjana Palla, Ajeta Shkëmbi, Klodian Çela dhe një emigranti që ndodhet në listën e të kërkuarve tashmë.
Sipas akuzës, ekspertët e ndaluar kanë konsumuar veprat penale të "falsifikim të vulave stampave ose formularëve"; "vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën" dhe "falsifikimit të dokumenteve" të gjitha të kryera në bashkëpunim me njëri-tjetrin por në momente dhe role të ndryshme.
Mësohet se ekspertët kontabël kishin hapur në qytetin e Elbasanit dy kompani fantazma të cilat i përdornin për t'i mbuluar qarkullimet financiare të kompanive që ata i mbanin bilancet.
Nga hetimet disa mujore është arritur të provohet se shtatë të dyshuarit, me anë të faturave të falsifikuara, duke ia veshur detyrimet kompanive fantazmë kanë bërë që këto kompani t'i detyrohen Drejtorisë Tatimore shumën e 1.5 miliardë lekëve të vjetra, që firmat për të cilët punonin të dyshuarit kanë përfituar nga TVSH-ja dhe mos pagimi i tatimit mbi fitimin, duke fituar ata rreth 300 mijë euro nga TVSH-ja e rimbursuar.