E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Itali, vrasësi mund t’i ketë helmuar viktimat para se t’i vriste



Itali

Përpara se të vriste mbesën e tij trevjeçare, kunatën dhe motrën e saj, autori i masakrës mund t’i ketë helmuar viktimat. Prokuroria italiane po heton ngjarjen e rëndë që ndodhi në pasditen e së shtunës në Stradella të Italisë. Sipas të përditshmes italiane “Il Messagero”, viktimat nuk kishin në trup shenja të cilat tregonin që ato ishin përleshur me vrasësin para se të thereshin për vdekje. Kjo tregon që ato mund të jenë helmuar, ose mund të kenë konsumuar diçka që i ka turbulluar. Ndërkohë që fjalët e vetme që i riu 24-vjeçar, autori i masakrës, ka thënë përpara policisë, kanë qenë: “Ishte vullneti i Zotit”.

I riu Alfred Melyshi jetonte me familjen e të vëllait në Itali. Ai punonte në vendin fqinj si shofer. Sipas prokurorit italian që merret me këtë çështje, ka pasur mosmarrëveshje të mëdha midis vëllait të vrasësit, nuses së tij, pasi ata donin që ta rikthenin 24-vjeçarin në shtëpi. Sipas çiftit, ata mendonin se 24-vjeçari ishte personi, të cilin familja me të cilën ata ishin në gjak, e kishin në shënjestër. Sipas mediave italiane, trupat e viktimave kur janë gjetur kanë qenë afër njëri-tjetrit dhe me plagë në kraharor. Ndërkohë që dy gratë nuk kishin shenja në trup që të tregojnë një përleshje të mundshme midis tyre dhe 24-vjeçarit, që të bëjnë të mendosh për një helmim të tyre më parë. Ndërkohë që do të jetë autopsia që do të zbardhë të vërtetën për këtë ngjarje tronditëse.

Në vendngjarje janë gjetur edhe tri thika. Dy thika kuzhine janë gjetur në aneks, ndërsa një e tretë është gjetur në dhomën e gjumit, ku 24-vjeçari ka qëlluar veten disa herë në kraharor, para se të dilte në rrugë e t’i jepej ndihma e parë, dhe një prej thikave ishte e thyer. Prokuroria po vazhdon hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, që ndodhi në Stradella.

Ngjarja

Rreth pasdites së djeshme, dy gra dhe një fëmijë janë gjetur pa jetë nga karabinierët e Stradella-s, ndërkohë që ndaj një personi të moshës 24-vjeçar është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spital në gjendje të rënduar shëndetësore me plagë të shkaktuara nga goditja me thikë. Ngjarja ndodhi në një apartament në Stradella, në rrugën “Bruno Buozzi 9”. Kur kanë hyrë në banesë, në katin e katërt, pamja që karabinierët kanë parë ka qenë e tmerrshme. Dy femra të moshës rreth 19 dhe 24 vjeçe, të shtrira në tokë, të mbuluara nga gjaku, ndërkohë që pa jetë është gjendur edhe një fëmijë tre vjeç. Të tre të goditur për vdekje me thikë. Njëra prej vajzave është edhe nëna e fëmijës, ndërkohë që burri i saj ndodhet në spital. Askush nuk dyshoi se mund të kishin të bënin me një krim brenda familjes, pasi familja shqiptare ishte përfshirë në një sherr me disa shqiptarë të tjerë, ndërkohë që nisën hetimet për të gjetur autorët e saj. U dyshuan fillimisht dy të rinj shqiptarë, me të cilët kjo familje kishte probleme gjakmarrjeje. Viktimat nga kjo ngjarje janë Rina Melyshi, 24 vjeçe, vajza 3-vjeçare dhe motra e kunatës, 19-vjeçarja Ornela Ndoji. Ndërkohë që babai i fëmijës Antoni është në gjendje të rëndë si pasojë e shokut që përjetoi nga kjo ngjarje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›