E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, Policia Bashkiake dhe Patrullat e Përgjithshme, më shumë kompetenca



Për të rregulluar trafikun e rënduar në qytetet e Shqipërisë po angazhohen Patrullat e Përgjithshme të Policisë dhe Policia Bashkiake. Këto struktura do të kenë më shumë kompetenca, me qëllim penalizmin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë që Policia Rrugore do të “anashkalojë” procesin e dënimit të shkelësve të Kodit Rrugor dhe do të përqendrohet në rregullimin e trafikut të rënduar. Tashmë në Tiranë duket se kjo nismë ka filluar që të aplikohet prej disa muajsh. Ndërkohë që edhe në qytetet e tjera vihet re ky ndryshim. Trafiku i rënduar në kryeqytet dhe në qytetet e tjera të vendit kërkon që Policia Rrugore të lipsë ndihmë në punën e saj. Punonjësve të Policisë Rrugore u është dashur, që përveç rregullimit të trafikut brenda në qytet, të merren edhe me penalizmin e shkelësve të Kodit Rrugor. Por një gjë e tillë paraqitet e lodhshme dhe e vështirë, për vetë faktin e burimeve njerëzore, të cilat janë pjesë e kësaj. Por me vështirësitë gjithmonë e në rritje për sa i përket qarkullimit të makinave, sidomos në Tiranë dhe shtimit të aksidenteve me ardhjen e sezonit veror, u vendos që në ndihmë të Policisë Rrugore të vijnë edhe patrullat e policisë, si dhe Policia Bashkiake. Kështu gjatë muajve të fundit, patrullat e policisë janë marrë me dënimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët kryejnë shkelje në qarkullim. Ndërkohë që Policia Bashkiake është përqendruar në penalizmin e të gjithë personave, të cilët kanë parkuar gabim makinat e tyre, duke rënduar trafikun. Kështu, përveç Policisë Rrugore e cila ka ndërmarrë masa të ashpra ndaj këtij fenomeni, në ndihmë kanë ardhur edhe punonjësit e Policisë Bashkiake. Kjo, pasi parkimi i makinave private në rrugë dyshe apo mbi trotuare ka dëmtuar në lëvizjen e mjeteve dhe njerëzve, duke rënduar edhe trafikun e duke krijuar probleme në qarkullimin normal. Nisur nga kjo, për vetë shpeshtinë e këtij fenomeni, Policisë Bashkiake i janë shtuar kompetencat për të penalizuar shkelësit.

Ndërsa patrullat e policisë kanë mundësi të kapin dhe të dënojnë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor për shkak të numrit të tyre të madh, por edhe sepse janë kudo të pranishme në rrugët e qytetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›