Rrjedhoja të një konflikti të paramenduar
Një luftë e shkurtër 5-ditore, brutale dhe e paparashikuar, përfundoi me një bilanc negativ për Gjeorgjinë, ku mund të llogariten mijëra të vdekur, humbjen faktike dhe ndoshta edhe de jure të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, si dhe dobësimin prospektiv të presidentit të ri karizmatik, Saakshvilli. Mediat perëndimore fajësuan shpejt këtë të fundit për qëndrim emotiv dhe moskalkulim gjakftohtë të situatës ku vendosi t`u përgjigjej provokimeve të separatistëve me një ofensivë të plotë, që u zbyth shpejt nga ndërhyrja ruse. Po në të njëjtin kah, ishte dhe qëndrimi pasiv evropian, ku liderë të rëndësishëm, si kancelarja Merkel asnjëherë nuk i kanë parë me optimizëm sjelljet aventurekse të një presidenti djaloshar që shumë shpejt zhgënjeu aleatët perëndimorë me një sjellje të papërmbajtur dhe infantile ndaj Rusisë.
Gjithsesi, për të kaluar nga e përgjithshmja te disa nga konkluzionet që mund të hiqen nga ky zhvillim i papritur dhe dramatik i situatës që precipitoi në kursin e pak ditëve, mund të fillojmë ndoshta me faktin që këto krahina separatiste shpesh janë ekuivalentuar me rastin e Kosovës, sidomos në artikulimet e Kremlinit zyrtar, duke hequr paralele destabilizuese për precedentin që krijojnë në të drejtën ndërkombëtare. Pa pritur ende që pavarësia e Kosovës të merrte udhë mirë, Moska paralajmëroi që para shpalljes së pavarësisë nga Prishtina zyrtare, lëvizje të ngjashme në Kaukaz. Nga ana tjetër, si në raste të tjera të ngjashme, përveç Abkhazisë dhe Osetisë, ku vlen të përmenden ndër të tjera, rajoni i Nagorno-Karabakh, i kontestuar prej vitesh tashmë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, apo ai i rajonit separatist të Transdnistrisë në Moldavi, rusët janë të interesuar të ruajnë status quo-në, pra konflikte të ngrira që synojnë ruajtjen e homogjenitetit rus në rajon dhe kontrollin faktit të rrugëve strategjike.
Të njëjtën gjë politika ruse synon të arrijë edhe me Kosovën, duke tentuar që të arrijë bllokimin e njohjes ndërkombëtare të saj dhe pengimin e çdolloj forme bashkëpunimi mes dy etniteteve shtetërore, serbe dhe kosovare. Kjo përforcon pozitat e saj dhe i jep një rëndësi gjeostrategjike edhe në këtë pjesë të Evropës, nga ku mendohet të kalojnë linja të rëndësishme, si dhe shton ndërvarësinë serbe ndaj Rusisë dhe armiqësinë e saj me botën perëndimore. Konfliktet e “ngrira” rrisin potencialin negociues të rusëve të cilët kanë edhe pluse të tjera, të tilla si rezervat e shumta natyrore apo kontrollin e burimeve dhe rrugëve të kalimit nga vendet fqinjë, si dhe shtimin e vazhdueshëm që po njohin petrodollarët dhe kohezionin e brendshëm dhe mungesën e opozitës që iu krijon luksin e sjelljes si një aktor unik politik në marrëdhëniet dy dhe shumëpalëshe.
Pavarësisht kësaj, për t’iu rikthyer konfliktit të fundit në Oseti, shkurtimisht vlen të nënvizojmë disa nga benefitet dhe kostot për secilën nga palët kryesore dhe sesi mund të ndikojnë në konfigurimin e ardhshëm diplomatik të këtyre vendeve. Për ta filluar me Gjeorgjinë, duket se ajo shënoi një humbje neto në konfliktin më të fundit, duke paguar shtrenjtë dëshirën për pavarësi reale nga Kremlini. Humbja e Osetisë Jugore, e cila deri tani gjithsesi funksiononte si një rajon autonom, për shkak të funksionimit të një qeverie “bastarde” si dhe menaxhimit fiskal dhe monetar krejtësisht të pavarur nga Tbilisi, e bën edhe më të lehtë rrugën e krahinës akoma më të avancuar separatiste dhe tashmë të spastruar etnikisht (nga gjeorgjianët) të Abkhazisë. Nga ana tjetër, me qetësimin e situatës, koka e parë e “turkut” pritet të bëhet vetë Saakshvilli, i cili dështoi si në bërjen e llogarive, ashtu edhe në tërheqjen efikase të mbështetjes ndërkombëtare, pra në lojën diplomatike. Një Gjeorgji e izoluar, ku të gjitha rrugët të çojnë drejt Moskës, nuk mund të ketë luksin e mbajtjes për një periudhë afatgjatë të një Presidenti që shihet si “dele e zezë” në Moskë.
Humbësi i dytë i madh, mund të konsiderohet Xhorxh W.Bush i cili investoi personalisht kohë më parë dhe iu refuzua nga partnerët skeptikë franko-gjermanë, miratimi i një plan-veprimi konkret për futjen e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO. Po aq i rëndësishëm është edhe dështimi i dukshëm ushtarak i ushtrisë gjeorgjiane të përbërë prej 18.000 trupash të rregullta dhe që njihej si më e mirë-trajnuara nga amerikanët ndër republikat ish-Sovjetike. Gjithashtu, Saakshvilli gëzon reputacionin e liderit më pro-amerikan dhe realisht më të pavarur nga Moska ndër liderët post-sovjetikë. Dështimi i diplomacisë amerikane në parandalimin dhe më pas në sanksionimin e politikës agresive ruse, është një setback jo i vogël për një President në vitin e fundit të mandatit dhe që njihet sidomos për drejtimin e fortë në politikën e jashtme.
Jo më e vogël është edhe konsekuenca tjetër e “mbytjes” në embrion të revolucioneve me ngjyrë të eksportuara nga Washingtoni, që fillimisht dhanë përshtypjen e një efekti domino dhe më pas duket se po shuhen njëra pas tjetrës në këto republika. Rreth një vit më parë, Uzbekistani që njihej si aleati më i fortë dhe i sigurt amerikan në Azinë Qendrore i dha fund partneritetit me amerikanët për t`u rikthyer fuqishëm drejt Moskës. Por lideri i këtij vendi, Karimov nuk është i vetmi. Presidenti i përjetshëm i Kazakistanit, Nazarbayev po ashtu i dha fund një projekti naftësjellës që do anashkalonte rusët dhe përkundrazi ka nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme tubacionesh naftë dhe gazsjellës jo vetëm me Moskën, por që lidhin edhe këtë të fundit me Kinën. Një shembull të ngjashëm ndoqi edhe presidenti i ri i Turkmenistanit, i cili zhgënjeu shpresat e amerikanëve, që kishin shpresuar në një ndryshim kursi të neutralitetit historik të këtij shteti, duke i shitur rusëve të drejtat e shfrytëzimit të gazit natyror të një shteti që konsiderohet si më i pasuri në planet në lidhje me këtë pasuri energjetike të vyer. Ndërsa Bjellorusia është totalisht e dominuar nga fqinjët e tyre rusë dhe arriti deri aty sa të përzërë diplomatët amerikanë nga vendi i tyre pak kohë më parë. Shpresa e fundit, Ukraina, është e ndarë pothuajse përgjysmë mes pjesës lindore që identifikohet ngushtësisht me rusët dhe pjesës perëndimore të vendit, ku ndodhen me shumicë përkrahës së bllokut pro-perëndimor Jushcenko-Timoshenko, çka reflektohet edhe te përqindja e blloqeve politike.
Rusia nga ana tjetër është një fituese relative që ndonëse konsolidoi pozitat e saj dhe iu dha fund hamendësimeve për dominuesin real të Euroazisë, parandaloi ekspansionin e NATO-s dhe ndryshoi peshoren gjeopolitike dhe gjeostrategjike në favor të saj, përsëri nuk mund të thuhet se fitoi gjithçka. Fuqizimi rus dhe ri-konfirmimi i pushtetit të saj në Kaukaz dhe më gjerë, së pari, zgjon frikën e një hegjemoni ekonomiko-ushtarak të pakontrolluar. Kursi disavjeçar i Rusisë për fuqizimin e pushtetit të butë (soft power), nëse do përdornim termin e mirënjohur të profesorit të Harvardit, Joseph Nye, i cili synonte shpërhapjen e vlerave ruse, kryesisht nëpërmjet “lingua franca” që është gjuha ruse për këto territore apo atraksionit drejt Moskës për emigrantët nga këto vende dhe rikthim drejt kërcënimit të hapur ushtarak, pra fuqisë së fortë (hard power). Së dytii dhe kjo është më e rëndësishme, Rusia nuk mund të luajë në mënyrë simultante dhe të barabartë në shumë fronte: edhe në Kaukaz, edhe në Iran, edhe në Kosovë, edhe në dëshirën për t`i kundërvënë sistemit mbrojtës së raketave amerikanë, një të tillë në Azerbajxhan, apo ndoshta edhe më afër, Serbi. “Mbyllja” e syve e amerikanëve ndaj konfliktit në Kaukaz, ku mbështetja pakufi nuk mund t`i jepej kurrsesi një presidenti të anatemuar dhe të nxituar, e kombinuar me një ftohje natyrale të gjakrave në marrëdhëniet e tendosura me Iranin, si dhe rehabilitimin në dukje të Koresë së Veriut, lë hapur të gjitha shtigjet që amerikanët të ngulmojnë fort në atë që me të drejtë është kapitalizimi më i madh në politikën e jashtme të administratës Bush dhe margaritari i trashëgimisë së tij si President: njohjen e përshpejtuar ndërkombëtare të shtetit të ri kosovar dhe marrjen e garancisë ruse për heqje dorë nga intransigjenca e tyre e njohur në këtë çështje. Kjo nuk është vetëm një tekë personale. Kjo i shërben mbi të gjitha interesit strategjik amerikan në këtë pjesë të rëndësishme të Evropës, ku miqtë nuk janë dhe aq të shumtë, si dhe kurorëzon suksesin më të plotë dhe unik të një diplomacie që i ka kapërcyer prej kohësh dallimet partizane në lidhje me këtë çështje.