Hetimi i zgjedhjeve, sipas rekomandimeve të miqve evropianë

Kryeministri Berisha flet një ditë pas vendimit të Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, duke e cilësuar atë si një strukturë që po ngrihet sipas sugjerimeve të miqve europianë, për transparencë dhe në përputhje me Kushtetutën. “Vullneti i parlamentit për bashkëpunim është i paqortueshëm. Opozita le të protestojë, nëse kështu e vlerëson. Këtë të drejtë ia garanton kushtetuta”
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje nga Bërno e Sllovenisë ku merrte pjesë në takimin e nivelit të lartë me liderë të Ballkanit Perëndimor me temë diskutimi “Bashkë për Bashkimin Evropian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e Europës”, se opozita shqiptare gëzon të gjitha të drejtat ligjore për pretendimet e saj lidhur me zgjedhjet e kaluara. Përmes një prononcimi për mediat, shefi i qeverisë tha se opozita ka të garantuar me ligj si protestat ashtu edhe kontestimet.
“Shqipëria është një vend i lirë. Opozita ka të gjitha hapësirat për të marrë pjesë në parlament, për të marrë pjesë në komision, për të protestuar. Të gjitha këto i ka dhe do t’i ketë të garantuara në një sistem demokratik”, u shpreh kryeministri Berisha.
Lidhur me funksionimin e parlamentit shqiptar, shefi i qeverisë deklaroi se institucioni legjislativ po bën punën e tij, sipas Kushtetutës. Kreu i qeverisë solli në vëmendje deklaratën e komisionarit për Zgjerimin e BE-së Stefan Fule, se respektimi i Kushtetutës mbetet parakushti i funksionimit demokratik të shtetit, qëndrim ky që bie ndesh që në krye të herës me “kauzën” e ngritur dhe të tërhequr me pas nga Edi Rama.
“Mendoj se parlamenti shqiptar po tregon një frymë dhe një vullnet bashkëpunimi të paqortueshëm. Mendoj se deklarata e djeshme e komisionerit Fule, i cili siç më deklaroi mua, i ka deklaruar edhe Edi Ramës, ka qenë deklaratë totalisht dhe tërësisht në emër të Komisionit Europian, pra, është deklaratë e institucionit nga i cili ai erdhi dhe përbën me të vërtetë një mundësi shumë të madhe. Kushtetuta e Shqipërisë duhet të respektohet, transparenca duhet të realizohet. Që të dyja këto për Shqipërinë janë 100 për qind të mundshme. çfarë thotë komisioni? Thotë transparencë të plotë. Por mendoj se asgjë nuk mund të jetë dhe askush nuk mund të kërkojë që të dalë mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi gjykatat e vendit, theksoi Berisha, duke shtuar se, nëse ekziston vullneti dhe dëshira nga ana e opozitës, ai komision është i aftë të realizojë transparencën e plotë, absolute dhe totale të procesit zgjedhor”.
“Shteti shqiptar, demokracia shqiptare i ka të gjitha instrumentet të gatshme për realizimin e saj”, tha më tej, Berisha.
Në vijim të prononcimit të tij për mediat, kryeministri Berisha u ndal edhe te proceset e integrimit, kryesisht te liberalizimi i vizave. Shefi i ekzekutivit informoi se ka marrë garanci të plota nga kryeministri slloven Pahor, për përshpejtimin e procesit.
“Sigurisht që u diskutua gjerësisht me Kryeministrin Pahor pikërisht kjo temë. Mora siguri të plotë se ai dhe qeveria e tij do ta mbështesin plotësisht këtë proces”, tha më tej, kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri Berisha u ndal edhe gjatë fjalës së tij para krerëve të qeverive dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në konferencën për Integrimin e Ballkanit në Slloveni, tek zgjedhjet e kaluara. Pavarësisht qëndrimit të opozitës në Tiranë, lideri i mazhorancës në Slloveni theksoi se zgjedhjet u vlerësuan se përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR dhe janë zgjedhjet e para në historinë e vendit, të cilat u firmosen pa përjashtim, nga të gjithë komisionerët e të gjithë forcave politike.