Kapshticë, sekuestrohen 2 kg heroinë, pranga 22-vjeçarit
KORçE/VLORE - Bllokohen në doganën e Kapshticës 2 kilogramë heroinë. Policia arrestoi një 22-vjeçar nga qyteti i Korçës, i cili tentoi ta transportonte lëndën narkotike drejt Greqisë. Burime të policisë thanë se është arrestuar në flagrancë Arsen Lumani, i cili u kap duke transportuar me mjetin e tij sasinë e lëndës narkotike. Droga, e cila sipas verifikimeve të policisë, rezulton e llojit heroinë, u kap dje në orët e pasdites. Policia nuk saktësoi nëse ka pasur ose jo sinjalizime për këtë rast të trafikut të drogës drejt Greqisë nga dogana e Kapshticës. "Gjatë kontrollit të autoveturës tip 'Audi', me targa greke NHA 1953, u gjetën katër kilogramë drogë. Sasia ishte ndarë në katër pako, dhe ishte fshehur në sediljen e pasme të mjetit me të cilin udhëtonte 22-vjeçari që u arrestua për trafik të lëndëve narkotike", bëri të ditur policia. Ndërsa policia e Vlorës, sekuestroi po pasditen e djeshme një sasi prej 80 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sattiva. Drejtori i Policisë së Qarkut, Ylli Metko, bëri të ditur se, lënda narkotike u zbulua në një stan në afërsi të fshatit Velçë në komunën Brataj, 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës. Sipas Metkos, gjatë këtij aksioni të uniformave blu, u siguruan provat dhe u realizua ndalimi i dy vëllezërve, Gëzim dhe Muslli Qikaj, banorë të fshatit, të cilët dyshohet se kanë lidhje me këtë sasi lënde narkotike. Kjo është sasia më e madhe e lëndës narkotike që ka sekuestruar policia e Vlorës, gjatë këtij viti. g.a/q.b