E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu politik kërkon dy palë politike, jo një opozitë që bërtet për pazar

29-09-2011 / Redaksionale

Me shumë gjasa opinioni i Komisionit Europian në progres-raportin e Strategjisë së Zgjerimit do të jetë i vakët. Edhe pse raporti i këtij viti pritet të ketë një vlerësim pozitiv për kriterin ekonomik dhe standardet, për trendin e rritjes, për stabilitetit të ekonomisë shqiptare, përfshi këtu vlerësimin për reformat e ndërmarra. Megjithatë gjithçka do të fokusohet tek mbetja në klasë përsa i takon marrjes së statusit të vendit kandidat. Arsyet janë të ditura: “Skena e brendshme politike e Shqipërisë u dominua gjerësisht nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e konfrontueshme më tej”. Përkthimi nga gjuha diplomatike në gjuhën e të gjithëve jep kuptimin se kriteri politik për herë të dytë penalizon Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Për më shumë se dy vjet është humbur kohë, nga politika për të gjetur një marrëveshje për të votuar ligjet me 3/5, që përbëjnë 6 nga 12 pikat e përcaktuara nga komisioni Europian si detyra shtëpie për parlamentin tonë.
Mirëpo koha e humbur në parlament ka ardhur si pasojë e mungesës pa arsye të opozitës në Parlament. Në këto dy vite është bërë gjithçka nga ana e opozitës socialiste, përpos votimit të ligjeve të ndryshme, aq të nevojshme për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe hapjen e dritës jeshile nga Brukseli. Kreu i opozitës, Edi Rama e nxori Partinë Socialiste dhe krejt opozitën nga Parlamenti për ta mësuar me gjuhën radikale të rrugës, atje ku vloi protesta, greva e urisë dhe demonstrata e dhunshme si e vetmja rrugë për marrë pushtetin me revolta popullore. Bojkotimi i Institucioneve Kushtetuese si filozofi politike, si akt veprimi i përditshëm solli humbjen e kohës, aq të çmueshme për integrimin Europian.
Përgjegjësia e opozitës socialiste në mos përmbushjen e kriterit politik është e ditur botërisht. Kur bërtet me ose pa bilbila, gjuan me gurë, drunj dhe shaska, shan dhe fyen në rrugë shumicën parlamentare, anëtarët e qeverisë, kryeministrin Berisha afërmendsh pastaj përgjegjësia e maxhorancës kundrejt kriterit politik është e kufizuar. Dialogu kërkon të paktën dy palë, dhe kur një palë e rëndësishme si PS-ja kryen akte politike jashtë Parlamentit dhe jashtë institucioneve kuptohet vetiu pastaj që bllokimi ka pasur autor.
Autori i sjelljes së papërgjegjshme anti-integrim është vetëm ai që zgjedh gjuhën e rrugës dhe jo gjuhën institucionale për të sekuestruar integrimin dhe jo për ta afruar atë. Dhe autori i këtyre veprave është Edi Rama, që propozon kushte dhe pazare politik në dëm të kulturës institucionale në minutat shtesë të kohës suplementare të vënë nga Komisioni Europian. Propozimi i një platforme politike për integrimin europian në një dead-line, në një kohë vdekje, për t’i dhënë një mesazh Komisionit Europian përpara se të nxjerrin progres-raportin, ku vendoset marrja e status-kandidat për në BE - është një tallje cinike, e zakonshme për sojin e kësaj opozite.
Përtej skemës për t’i lënë përgjegjësinë qeverisë, 10 pikat e Ramës janë 10 kushte më të cilat opozita i drejtohet paturp shumicës parlamentare për t’i marrë asaj sadopak Pushtet (Avokat të Popullit, Guvernatorin e BSH, KLSH, TVSH, Presidentin, etj) domethënë atë ç’ka nuk e realizoi me protesta, greva urie dhe demonstrata të dhunshme, kërkon ta imponojë me një makiavelizëm cinik gjoja platformë për “Shqipërinë si e gjithë Europa”.
Mirëpo plotësimi me sy mbyllur i dekalogut të profetit socialist do të ishte jo normalizimi i opozitës parlamentare, por shuarje e parlamentarizmit, dhe eliminimi politik i konceptit të maxhorancës që është përfaqësues i sovranit votues 50+1, si dhe privimi i çdo të drejte shumicës parlamentare për të bërë politikë, neutralizimi i pushtetit qeverisës dhe krijimin de-fakto të opozitës qeverisëse. Pushteti kushtetues i maxhorancës nuk mund të kufizohet duke përdorur të drejtën e shqiptarëve për të hyrë në Europë.
Sidoqoftë maxhoranca është deklaruar e gatshme të bashkëpunojë për Reformën Zgjedhore dhe miratimin e 52 rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për përafrimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë me standardet e Parlamentit Europian. Mirëpo Edi Rama kërkon diçka tjetër. Ai kërkon ca qendra pushteti në tavolinë si ndarje plaçke, prandaj ngjan më shumë me një pazar sesa një pakt politik. Sepse po t’i shohësh me një sy realist 6 prej 10 pikave të Partisë Socialiste janë me prapaskenën e marrjes së ca fronteve të reja pushteti, pra me marrjen e ca qendrave të pushteteve të pavarura, ose diktimin e drejtuesve të këtyre institucioneve nga agjenda e Ramës. Këto qendra pushteti të pavarura janë Avokati i popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Guvernatori dhe bordi këshillimor i Bankës së Shqipërisë, Televizioni Publik, KKRTSH etj. Të përkthyera në poste drejtuese marrja e tyre është një frymëmarrje për shumë zëra kundër Ramës brenda Partisë Socialiste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›